FESTIVALI I DIVERSITETIT
Çfarë është Festivali i Diversitetit?
“Festivali i Diversitetit” është ngjarja më e rëndësishme e vitit për Ambasadën PINK Shqipëri dhe zhvillohet çdo vit - duke fillular nga data 17 Maj - me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT). Kjo ngjarje zhvillohet përgjatë një jave, e quajtur java e diversitetit, dhe kulmon zakonisht me marshimin e krenarisë dhe aktivitete të shumta sociale dhe argëtuese si koncerte, shfaqje filmash, ekspozita, konferenca dhe tryeza pune etj.
Java e diversitetit është një mundësi për t’u solidarizuar me të drejtat e njeriut dhe grupeve të përjashtuara në veçanti, për të marrë më shumë informacion mbi këto çështje dhe për të festuar faktin se një shoqëri është më e lumtur dhe më e emancipuar nëse arrin të pranojë në gjirin e saj të gjithë njerëzit pavarësisht racës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, bindjeve, etj.
Festivali i ka fillimet e tij në vitin 2009-2010 në një kohë kur nuk flitej publikisht për të drejtat LGBTI. Festivali i Diversitetit do të zhvillohet këtë vit në datat 16-21 Maj dhe realizohet nga Ambasada PINK Shqipëri në bashkëpunim me Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe CRCA/ECPAT Shqipëri dhe pjesëmarrjen e institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit LGBT në vend.
Cili është Qëllimi i Festivalit?
Festivali i Diversitetit është një mundësi për të treguar se pavarësisht diferencave, ne jemi të gjithë të barabartë. Duke promovuar barazinë përmes konceptit të diversitetit ne i bëjmë një apel shoqërisë shqiptare dhe publikut të gjerë që mbetet ende shumë paragjykues dhe ka ende nevojë për ndërgjegjësim për të ndryshuar dhe forcuar mbështetjen publike ndaj grupeve të margjinalizuara. Mesazhi kryesor do të jetë që të gjithë ne, pavarësisht diferencave duhet të jemi të barabartë në shanse dhe mundësi dhe duhet të kemi të drejtën e shprehjes, dashurisë, mbledhjes dhe organizimit.