Festivali i 17-te i Diversitetit 2026

 

Hapet edicioni i 17-të i Festivalit të Diversitetit në Shqipëri

 

Tiranë, 17 Maj 2026 - Ambasada PINK Shqipëri dhe partnerët e saj hapën sot zyrtarisht edicionin e 17-të të Festivalit të Diversitetit, eventi më i madh kombëtar në Shqipëri kushtuar promovimit të barazisë, diversitetit, respektit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTIQ+.

Edicioni i këtij viti zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, teksa vendi vijon procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe diskutimet mbi përmbushjen e piketave të ndërmjetme për të drejtat themelore, mosdiskriminimin dhe sundimin e ligjit.

Festivali i Diversitetit 2026 sjell një seri aktivitetesh publike, diskutimesh, fushatash ndërgjegjësimi dhe angazhimi qytetar që synojnë të promovojnë një shoqëri më të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të sigurt për të gjithë.

Një nga aktivitetet kryesore të festivalit ishte organizimi i Dialogut të Nivelit të Lartë: “Piketat e ndërmjetme të BE-së dhe të drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri”, i cili mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve shtetërore, Kuvendit, organizatave të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut.

Gjatë dialogut u prezantua raporti kryesor mbi progresin dhe sfidat e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve europiane për të drejtat LGBTIQ+, duke u fokusuar tek mbrojtja nga diskriminimi, lufta kundër gjuhës dhe krimeve të urrejtjes, aksesi në drejtësi dhe forcimi i mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e të drejtave themelore.

Festivali do të kulmojë më 23 Maj 2026 me organizimin e Tirana Pride 2026, marshimi kombëtar për barazi dhe dinjitet, i cili pritet të mbledhë aktivistë, organizata, të rinj, partnerë ndërkombëtarë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

Për organizatorët, Festivali i Diversitetit mbetet jo vetëm një moment festimi dhe solidariteti, por edhe një platformë e rëndësishme për të nxitur dialog publik, për të sfiduar paragjykimet dhe për të forcuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave europiane në Shqipëri.

Aktivitetet e festivalit organizohen nga PINK Embassy Albania dhe partnerët e saj, me mbështetjen e partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët