Shqip
English
RASTI “PRIFTI” DHE POLITIKA “BEJME SIKUR”.
- May 21, 2011
- Ambasada Pink
Nga Etleva Bisha
Botuar ne Gazeten Shqip
Politikanët tanë kanë dështuar më shumë se një herë në përmbushjen e atyre funksioneve që ata i mbajnë për shkak të angazhimit të tyre politik. Kanë dështuar sa herë kanë shkuar te zgjedhësit në fushata elektorale e u kanë premtuar ndryshime edhe deri te detaji i jetës së tyre, por kur kanë marrë pushtetin, kanë harruar se çfarë kanë premtuar. Kanë dështuar në detyrën e tyre për të prodhuar politika që në thelb mbajnë në konsideratë interesat e shtetasve e për të dhënë më të mirën për shqiptarët, por mbi të gjitha kanë dështuar në atë që pas 20 vitesh sistem demokratik duhet t’u kishin garantuar shqiptarëve një sistem demokratik të zbatuar në praktikë. Rëndom në literaturën që trajton elementet e demokracisë në sistemet politike ndesh tipare të demokracisë: zgjedhje të përgjithshme të lira, liri e organizimit, liria e fjalës dhe e shtypit, liria e opinionit, barazi përpara ligjit...
Po t’i marrësh një për një këto elemente gjen aq fakte që vërtetojnë se në secilin prej këtyre komponentëve përbërës së një sistemi demokratik në masën dërmuese në Shqipëri është bërë “sikur”. Ka 20 vjet që në Shqipëri bëhet “sikur” realizohen zgjedhje të përgjithshme të lira, ku sovrani vendos me votë dhe jo pushteti prodhohet nga fitorja në tavolinë. Ligji garanton lirinë e fjalës dhe të shtypit, por më thoni, janë të pakta rastet kur liria e fjalës dhe e shtypit është dhunuar, sepse nuk i ka shkuar për shtat pushtetarit të radhës? Për të mos folur për barazinë përpara ligjit, kur zbatuesi i ligjit dënon për korrupsion “peshkun e vogël” dhe rreh gjoksin se e dënoi, por pa dënuar “peshkun e madh” atë që vazhdon të majmet, sepse në dorë ka pushtetin, pushtetin që e ka fituar në tavolinë dhe që e ka të sigurt se do të vazhdojë ta ketë për sa kohë që në Shqipëri bëjmë sikur kryejmë zgjedhje të lira.
Po dështimi i politikës për t’u dhënë shqiptarëve demokracinë reale të zbatuar në praktikë shkon edhe më tej. Politika në Shqipëri kryen edhe një funksion tjetër (aspak normal): atë të krijimit të modelit të gabuar, të edukimit negativ të publikut. Nuk besoj se ka nevojë t’ju sjell fakte nga modeli i urrejtjes ndaj kundërshtarit që konsumohet çdo ditë në seancat parlamentare nga ata që janë elita e politikës shqiptare. E imagjinoni se çfarë efekti krijon te një dëgjues i edicioneve të lajmeve që pret të dëgjojë nga goja e politikës se çfarë do të ndryshojë në jetën e tij nga vendimet që përditë politika merr e në vend të vendimeve dëgjon se si shahen me fjalor rrugësh ata që janë elita e politikës? Pështirosje, për atë pjesë dëgjuesish që pret një produkt nga politika (e që zor se e merr) dhe urrejtje për kundërshtarin, për ata dëgjues që janë “tifozë” partish.
Gjuha e urrejtjes është bërë tashmë praktikë e zakonshme në punimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe modeli që i ofrohet publikut është i gabuar.
Por politika shqiptare bën “sikur” jo vetëm për atë që prodhon për shqiptarët, por edhe në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare. Kam përshtypjen që nëse bëhet një studim se cilat shtete kanë ratifikuar numrin më të madh të konventave ndërkombëtare, pavarësisht llojit dhe përmbajtjes së tyre, Shqipëria zë vendin e parë, sikurse zë vendin e parë edhe për mosnjohjen dhe mosrespektimin e tyre nga vetë elita politike. Qeveria shqiptare firmos konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por ministrat e saj nuk i respektojnë këto të drejta, qeveria shqiptare firmos parimet e Xhakartës, miraton edhe një ligj antidiskriminim në Parlament, por mendoni se deputetët që e votuan atë (midis tyre edhe ministri Prifti) e njohin atë ligj? Jo, nuk e njohin, sepse po ta dinin se për çfarë përmbajtje ligji kanë votuar do të mendoheshin dy herë kur do t’i servirnin publikut shqiptar si ushqim të ditës modelin e gabuar dhe mesazhin e gabuar. Por ndodh kështu, sepse politika shqiptare bën sikur, por asgjë që bën nuk e ka të vërtetë.
Ajo që unë kuptoj nga e gjithë kjo histori sikuresh të klasës aktuale politike shqiptare është se kemi një tufë politikanësh që kanë hyrë në politikë pa kuptuar ABC-në e saj, që dinë se çdo të thotë sistem politik i demokracisë liberale (dhe të kuptosh është hapi i parë për të vijuar me zbatimin) më pak se sa di një nxënës gjimnazi. Ata që sot janë ministra njohin vetëm anën e pushtetit me të cilën i vesh “mandati”, por nuk njohin anën e detyrimit që kanë përpara çdo shtetasi të këtij vendi që akoma nuk ka gjetur kuptimin e politikës në këtë shtet. Akoma më keq: gjuha e urrejtjes që e prodhon një ministër në Parlament përhapet lehtësisht te publiku dhe ajo që unë kuptova si dëgjues i thjeshtë nga ministri Prifti pak ditë më parë (dhe për fat të keq edhe nga politikanë të tjerë në të njëjtën sallë) është e thjeshtë: kundërshtari im politik është armiku im! Armiku im ka gjithë të zezat e kësaj bote. Vetëm një gjë nuk kuptova nga fjala e zotit Prifti (si rasti më i fundit, por edhe nga politikanë të tjerë më parë): Përse të jesh homoseksual është perversitet? Zoti Prifti vetë ka ngritur kartonin për ligjin antidiskriminim, qeveria e tij ka firmosur parimet e Xhakartës? Dhe tani nuk po kuptoj për çfarë “bën sikur” zoti Prifti: “sikur” kur ka rënë dakord për ligjin, apo “sikur” kur thotë se të jesh homoseksual është perversitet?














