Ambasada PINK zhvillon leksionin e rradhës pranë Fakultetit të Shkencave Sociale

27 Shkurt 2012

Njoftim për Shtyp

Ditën e Shtunë, 25 Shkurt 2012, stafi i Ambasadës PINK ishte në klasën e vitit të tretë, dega Punë Sociale, part-time, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës përballë mbi 50 studetëve në një leksion mbi institucionin dhe çështjet e komunitetit LGBT në Shqipëri.

Me ftesë të profesorëve Edmond Dragoti dhe Artur Xhaxhiu, dy përfaqësuesit e Ambasadës PINK prezantuan historikun e komunitetit LGBT në Shqipëri dhe botë, konceptet LGBT, paragjykimet dhe faktet mbi komunitetin dhe problematikat e tij në shoqërinë shqiptare. Më pas, leksioni vazhoi me një seancë të gjatë pyetje-përgjigje dhe debatesh mes studentëve.

Një nga sfidat e para të këtij leksioni të pazakontë, ishte vetë përbërja e grupit të studentëve. Ndryshe nga klasat e mëparshme me të cilat ishte përballur stafi i PINK, këtë herë studentët, vinin nga grup-mosha shumë të ndryshme. Klasa kishte vajza dhe djem të grupmoshave 20-25 vjeç por kishte edhe persona më të rritur. Mjaft prej studentëve ishin edhe prindër dhe grupet më të rritura në klasë i përkisnin grup-moshës 30-40 vjeç.

Pas prezantimit të detajuar të aktiviteteve, çështjeve dhe problematikave të komunitetit LGBT, nisi seanca pyetje-përgjigje të cilën studentët e shfrytëzuan për të ngritur shqetësimet, opinionet dhe këndvështrimet e tyre. Pyetjet e tyre kishin lidhje sa me çështjet e seksualitetit po aq edhe me impaktin e tyre social, sidomos tek më të vegjlit e shoqërise, fëmijët.

Pyetja e një studenti ishte nëse ka dashuri mes personave LGBT apo është thjesht “çështje qejfi”. Një pyetje tjetër ishte nëse homoseksualiteti ishte i lindur apo i fituar etj. Por, përveç këtyre pyetjeve, të cilat mund të jenë legjitime për tu bërë në kontekstin tonë sociale, shumë studentë tregonin shqetësim dhe mosaprovim për fenomene të tilla si çiftet gay, martesa, adoptimi ose sjellja në jetë e fëmijëve nga një çift homoseksual. Të shprehura në formë pyetjesh apo komentesh, për mjaft nga këta stuentë paradigma e familjës tradicionale burrë-grua përbënte thelbin e shoqërisë dhe për këtë arsye ata nuk e kuptonin produktivitetin, vlerën dhe qëllimet e ekzistencës së një çifti homoseksual.

Në dialogun e tyre me studentët, Ambasada PINK vuri theksin tek informacionet, dijet dhe faktet e shumta nga fusha shkencore si psikologjia, sociologjia, mjekësia e të tjerë, për të konfirmuar përpara tyre faktin se të jesh person nga komuniteti LGBT nuk do të thotë të mos dish apo të mos kesh mundësi të dashurosh, të hysh në një lidhje romantike me persona të të njëjtit seks dhe pse jo të sjellësh në jetë dhe të rritësh fëmijë të shëndetshëm.

Gjithsesi, përballë këtyre shpjegimeve, për të cilat duket se auditori nuk kishte kundërshtime, ajo që evidentonin disa studentë ishte “padukshmëria” e personave LGBT në Shqipëri dhe për pasojë pa-aftësia e pjesës tjetër të shoqërisë për të dialoguar me ta dhe për ti pranuar.

Komenti i një studenteje, ndër të tjera, ishte se shoqëria jonë i asocion personat e LGBT me paragjykime të forta të cilat ne duhet ti braktisim.

Fundi i leksionit ishte pikërisht nisja e debateve miqësore mes grupeve të ndryshme në klasë të cilët diskutonin pro apo kundër kësaj çështje. Në përmbyllje të tij, mesazhi i stafit të Ambasadës PINK ishte që shoqëria shqiptare duhet të fillojë të reflektojë mbi minoritetet, të çfarëdo lloji qofshin ato dhe të kultivojë brenda gjirit të saj tolerancën, mirëkuptimin dhe diversitetin.

Mbështetësit Dhe Partnerët