Shqip
English
Jezusi nuk e ka gjykuar homoseksualitetin
- Jan 04, 2010
- Ambasada Pink
4 janar 2010
Reflektimet e Daniel A. Helminiak, marrë nga libri “Ajo që Bibla thotë me të vërtetë rreth homoseksualitetit”.
Nuk ka asnjë fakt në Bibël që të përmbajë fjalët e Jezusit rreth marrëdhënieve homoseksuale, as në ungjijtë kanonikë, as në ato që quhen Ungjijtë e tjerë të zbuluar në Nag Hammadi në 1945 që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë zyrtare e Biblës në tërësi. Ky është një fakt i qëndrueshëm, sipas Victor Furnish.
Furnish thotë se, ky fakt nënkupton që Jezusi nuk kishte asgjë në mënyrë të veçantë për të thënë mbi këtë temë dhe se homoseksualiteti nuk ishte një çështje që e shqetësonte kishën e orëve të para që ishte duke lindur.
Në mungesë të deklarimeve direkte personale nuk mund të themi me siguri se çfarë mendonte Jezusi për homoseksualitetin. Por veprimet e tij mund të jetë më të qarta se fjalët, duke qenë se ekzistojnë prova të forta që dëshmojnë se Jezusi gjatë veprimtarisë së tij në tre vitet e fundit të jetës në Tokë u takua, - të paktën në një rast, - edhe me një çift meshkujsh homoseksualë.
Mateu 8: 5-13 dhe Luka 7: 1-10 rrëfejnë në Ungjitjtë respektivë për shërimin e mrekullueshëm që Jezusi i bëri skllavit të një Centurioni (një gradë komandanti në Ushtrinë Romake).
Po cila ishte marrëdhënia e këtij Centurioni me “skllavin” në fjalë?
Edhe pse ka disa ndryshime interesante në detajet që të dy këta apostuj të Krishtit përdorin për këtë ngjarje, ngjashmëritë janë më të mëdha, sidomos kur ato përkojnë përmes fjalëve në greqisht.
Studiuesit e Biblës pajtohen që Mateu dhe Luka flasin për të njëjtin episod.
Edhe Mateu edhe Luka përmendin shprehjen e Centurionit, i cili thotë se ai (Centurioni vetë) nuk është i denjë që Jezusi të hyjë në shtëpinë e tij. Sa mbresëlënëse! Centurioni përdor dy fjalë të ndryshme greke, kur i referohet shërbëtorëve të tij. I referohet të sëmurit si "djalit të tij" ("Pais" në greqisht).
Kjo fjalë do të thotë “bir”, por gjithashtu mund të nënkuptojë edhe një “shërbyes” e madje mund t’i referohet edhe një “fëmije”. I referohet një të riu por në mënyrë afeksionale mund t’i referohet sipas greqishtes së vjetër, edhe një të rrituri.
Ka shumë mundësi që kjo fjalë të jetë përdorur për skllevër a shërbyes të përdorur për qëllime seksuale nga pronarët e tyre dhe ka prova të tjera përtej teksteve apo ngjarjeve të përshkruara në Bibël se, "Pais" në disa kontekste do të thotë "i dashur".
Në të kundërt, Centurioni sipas ungjijve të Mateut e Lukës, i referohet të gjithë skllevërve të tjerë duke përdorur jo emërtimin “Pais” por fjalën "Doulos", një term ky i përgjithshëm për një skllav apo shërbëtor të zakonshëm.
Mateu gjithmonë i referohet skllavit të Centurionit si "Pais". Duke lexuar këtë ungjill ju mund të mendoni se Centurioni shqetësohej për “birin” e tij. Por Luka, përveç se kur citon fjalët e sakta të Centurionit, i referohet djalit si "Doulos" (që do të thotë se një shërbëtor vështirë se mund të jetë edhe bir i të zotit të shtëpisë).
Luka shpjegon se djali ishte shumë i rëndësishëm dhe është dashur shumë (duke përdorur fjalën greke "entimos") nga Centurioni. Gjithashtu theksohet fakti se Centurioni ndërtoi sinagogën lokale, që të bën të kuptosh se ai ishte i pasur.
Është e mahnitshme se si të dy, edhe Mateu, edhe Luka, citojnë Centurionin të ketë bërë qartë përmes fjalëve të tij dallimin mes "Pais" dhe "Doulos”.
Çfarë përfundimi mund të nxjerrë e gjithë kjo?
Së pari, duke marrë parasysh dëshminë e Lukës, është e qartë se skllavi ishte me të vërtetë një shërbëtor dhe jo një bir i Centurionit. Dhe siç thotë dhe Mateu, skllavi ishte i ri ("Pais").
Së dyti, ne e dimë se ai djalë ishte i çmuar ("entimos") për Centurionin. Kjo fjalë mund të nënkuptojë gjëra të ndryshme.
Së pari, ndoshta Centurioni kishte paguar një shumë të madhe për atë skllav, dhe nuk ka dashur ta humbasë. Por kjo nuk ka shumë kuptim përsa kohë që dime se Centurioni ishte i pasur, e fare mirë mund të shkonte në tregun e skllevërve e të blinte një tjetër njeri.
Një tjetër shpjegim mund të ketë lidhje me faktin se ai mund të kishte qenë një shërbëtor shumë i aftë dhe me përvojë, një person kyç pra për administrimin e shtëpisë së Centurionit. Por edhe ky shpjegim nuk bën sens pasi dimë se djali ishte shumë i ri në moshë, për të qenë një administrator i tillë.
Më në fund, "entimos" mund të nënkuptojë një lidhje të mirëfilltë emocionale e romantike. Me sa duket ky është interpretimi më i mirë.
Pra, si ishte marrëdhënia mes Centurionit dhe shërbëtorit e tij?
Në fakt, nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur me siguri pasi mungon referenca historike.
Ekziston mundësia që Centurioni ishte thjesht një njeri i mirë dhe kujdesej për shëndetin e një skllavi të vet të sëmurë. Por ky interpretim sentimental është modern e pak lidhje mund të ketë me realitetin kohor kur ngjarja ka ndodhur në të vërtetë.
Eshtë anakronik ky shpjegim i mësipërm pra, në lidhje me kushtet e vështira të jetesës së shekullit të parë të Perandorisë Romake, kur shëndeti i njerëzve ishte vazhdimisht në rrëzik .
Pse pra, një Centurion romak duhej të shqetësohej në atë mënyrë për një skllav, mes shumë të tjerëve?
Ishte shumë e zakonshme në atë periudhë historike që pronarët të përdornin skllevërit e tyre si objekte seksuale. Ishte gjithashtu e zakonshme që ushtarët romakë të cilët ishin larg shtëpive të tyre të kishin burra si partnerë seksualë.
Centurioni dhe skllavi i ri të cilin Jezusi e shëroi, ka shumë mundësi të kishin marrëdhënie intime me njëri-tjetrin. Në këtë rast, siç ndodh shpesh, Centurioni ndoshta kishte rënë në dashuri me të riun. Shpjegimi më racional për sjelljen e Centurionit me skllavin e tij është që ata ishin dashnorë. Nuk ka dyshim se Jezusi ishte i informuar për këto gjëra. Ai nuk ishte budalla! Dinte çdo gjë që ndodhte rreth tij. Pra, me pak fjalë, ne kemi një rast në të cilën Jezusi është ballafaquar realisht me një çift homoseksualësh meshkujsh të dashuruar me njëri-tjetrin.
Reagimi i Jezusit në këtë rast është shumë domethënës: Ai lavdëron besimin e Centurionit dhe i rikthen të riut shëndet të plotë.
A mendonte Jezusi se homoseksualiteti nuk ishte i gabuar? Ne nuk e dimë me siguri. Gjithçka që ne dimë për të është ajo që tha dhe bëri! Së paku ne mund të marrim një mësim për mëshirën nisur nga kjo ngjarje: rrethanat që lidhen me sëmundje dhe vdekje nuk duhet të shërbejnë si argument për të predikuar urrejtje dhe dënim!
Në epokën e AIDS-it, udhëheqësit fetarë duhet të marrin një shembull të mirë nga ky mësim. Por jo vetëm ata: edhe politikanët!
Rasti i të riut në shërbim të Centurionit duket se ka implikime të mëdha. Bazuar në prova, mund të thuhet se Jezusi nuk ishte i shqetësuar në lidhje me marrëdhëniet homoseksuale të kohës së tij.
Përveç kësaj, Mateu dhe Luka as nuk u shqetësuan për të debatuar mbi këtë temë. Kur këta dy apostuj të Jezusit përshkruajnë këtë ngjarje ata as që e vrasin mendjen për të përqëndruar interesin e tyre mbi praktikat seksuale, por ata u ndalën te besimi dhe te vullneti i mirë i Centurionit.
Përktheu nga italishtja Erjon Tela
Burimi i Lajmit: Notizie Gay