Kodi Zgjedhor, diskriminon haptazi personat LGBTI në Shqipëri!

   Ambasada PINK i dorëzon Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në Republikën e Shqipërisë rekomandimin “Për njohjen dhe respektimin e të drejtave politike të personave LGBTI”

Tiranë, 9 Qershor 2020 – Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, vijon të mos përfshijë në vetvete gëzimin e të drejtave politike për të qënë të zgjedhur, apo edhe për të zgjedhur, për të gjithë personat LGBTI. Ambasada PINK e sheh këtë Kod si një devijim që i bëhet të drejtave të njeriut, të cilët janë të lirë të zgjidhen dhe të zgjedhin këdo në postet politike.

Ambasada PINK i kërkoi Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe Kuvendit të Shqipërisë që në kuadër të Reformës Zgjedhore në Shqipëri të përfshijë në amendimet ligjore edhe njohjen e garantimin e të drejtave politike, konkretisht, të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur për personat LGBTI sipas parimit të barazisë në lidhje me identitetin gjinor dhe orientimin seksual, konform nenit 15/2, 18, 45 të Kushtetutës së Shqipërisë[1]; si dhe, neni 1, 4, 5, 7, 9 të Ligjit për Mbrojtjen Nga Diskriminimi[2].

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë[3] në fuqi, në nenin 3, pika 3 të tij, parashikon shprehimisht se: “Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod.”

Në këtë kuadër ligji shqiptar në fuqi për Kodin Zgjedhor nuk ka parashikuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (të drejtat politike) të personave LGBTI. Kodi Zgjedhor aktual nuk krijon garanci, dhe lë shteg për diskriminim në ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, në dëm të personave LGBTI për shkak të identitetit gjinor ose orientimit seksual të tyre.

Ambasada PINK Shqipëri i kërkon Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe Kuvendit të Shqipërisë që në kuadër të ndryshimeve/amendimeve të Kodit Zgjedhor të adresohet edhe kjo problematikë e rëndësishme me thelb diskriminimin në përmbajtjen e ligjit të amenduar. Ndryshimet e nevojshme përfshijnë përshtatjet në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në mënyrë që Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (i amenduar) të njohë, afirmojë dhe garantojë të drejtën për të zgjedhur, për t’u zgjedhur dhe për t’u emëruar në një detyrë publike, për çdo shtetas Shqiptar që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, pa u diskriminuar padrejtësisht për shkaqe të tilla si: identiteti gjinor, orientimi seksual ose me çdo shkak tjetër siç parashikohet në nenin 1 të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Është e rëndësishme që Komisioni i Posaçëm Parlamentar Për Reformën Zgjedhore dhe Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të kontributit të tyre tepër të rëndësishëm për Reformën Zgjedhore në Shqipëri të eleminojnë diskriminin e hapur ndaj personave LGBTI, duke i mundësuar kështu edhe ligjit zgjedhor një kuptim përfaqësimi më gjithpërfshirës.

Ambasada PINK do t’i dërgojë në vazhdim Komisionit të Posaçëm Parlamentar Për Reformen Zgjedhore propozimet konkrete për amendimet ligjore lidhur me propozimet e rekomanduara.

Ambasada PINK Shqipëri është një organizatë jo-fitimprurëse e cila punon për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave Lezbike, Gej, Biseksualë, Transgjinorë, Interseks dhe Queer në Shqipëri. Ambasada Pink ka shërbyer gjithashtu si një qendër kërkimore dhe informimi për çështjet LGBTI brenda dhe jashtë vendit duke krijuar një mjedis mirëkuptues, emancipues dhe progresiv për njohjen e drejtë të kauzës LGBTI në vend.

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Ambasada PINK Shqipëri

pink@pinkembassy.al



[1]Miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 të Kuvendit Popullor. Miratuar me referendum më 22.11.1998 Shpallur me dekretin nr. 2260, datë 28.11.1998 të Presidentit të Republikës, Rexhep Mejdani Ndryshuar me ligjin nr. 9675, datë 13.1.2007 Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.4.2008 Ndryshuar me ligjin nr. 88/2012, datë 18.09.2012 Ndryshuar me ligjin nr. 137/2015, datë 17.12.2015 Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.07.2016

[2]Ligj Nr.10 221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen Nga Diskriminimi”.

[3] Miratuar me ligjin nr.10019, datë 29.12.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015

 

Mbështetësit Dhe Partnerët