- Shqip
- English
Krenari në intimitetin e katër murreve Marshimi i Krenarisë në Beograd 2012
- Oct 09, 2010
- Ambasada Pink
nga Enida Bogdani
10-Tetor-2010 - Në pjesë e madhe e mediave shqiptare dhe atyre ndërkombëtare dhanë lajmin për ndalimin e Pride në Beograd. Duke rrisjellë në kujtesë ngjarjet e Pride 2010, kur qendra e Beogradit u kthye pothuajse në shesh lufte, Qeveria serbe vendosi të ndalojë, për të dytin vit rradhazi mbajtjen e këtij aktiviteti. Por, lajmet rrallë ndodh që të flasin për punën kolosale të aktivistëve serbë për organizimin e eventeve të një jave të tërë të paradës apo edhe për mendimet e mbështetësve të këtij aktiviteti, dhe ky është, ndër të tjera, qëllimi i këtij shkrimi.
Aktivistët serbë kishin organizuar një jave plot me aktivtete, ku paraditeve zhvilloheshin debate rreth çështjeve LGBT ndërsa pasditeve kishte ngjarje të ndryshme kulturore. Axhenda e gjithë javës ishte bërë publike dhe çdo qytetar kishte mundësi të merrte pjesë. Të gjitha eventet ishin të mbrojtura nga oficerë policie që ruanin hyrjen e Media Center dhe mjediseve të tjera. Ditën e parë, u duk se prania e policisë i vuri në siklet shumë nga pjesëmarrësit. Kjo të krijonte një ndjenjë pasiguri, sepse dukej sikur nga momenti në moment do të ndodhte diçka. Por nga ana tjetër, kjo të bënte të kuptoje se nëse do të ndodhte diçka, shteti serb do të ishte aty duke kryer detyrën e vet dhe ofruar mbrojtje. Në një vend të huaj ku shqiptarët nuk shihen me sy të mirë, fytyrat e heshtura të uniformave blu, u bënë pjesë e të përditshmes tonë, miq që nuk i njohëm kurrë që ishin gjithmonë me ne.
Debatet që zhvilloheshin paradite preknin tema nga më të ndryshme dhe në secilin debat kishte panele të ftuarish si edhe organizata jo-LGBT. Temat e debateve gjatë javës përfshinin të drejtat e grave, levizjen feministe, debatin mbi fenë, diversitetin etj. Në të gjitha debatet pjesëmarrësit shkonin pa e ditur ende verdiktin e policisë, nëse do e merrnin apo jo përsipër mbrojtjen e marshimit të krenarisë. Ndërkohë që pritej verdikti i policisë serbe, vazhdonin debatet përtej gjuhëve të ndryshme, rreth çështjeve LGBT në rajon dhe më gjerë. Nga të gjitha debatet do të veçoja atë që u zhvillua mbi proçesin coming-out (procesi i pranimit të orientimit seksual përpara të tjerëve). Në këtë seksion nuk pati media por vetëm rrëfime personale të shoqëruara natyrshëm nga emocione njerëzore. Salla e konferencave u rregullua ndryshe, ku karriket u vendosën në formë rrethi dhe të gjithë u ulën për të treguar historitë e tyre. Shumë nga të pranishmit flisnin për herë të parë hapur në publik për çështje që zakonisht përshpëriten në biseda intime. Disa nga prindërit e aktivistëve serbë ishin gjithashtu të pranishëm.
Pasditeve, ishte rradha e eventeve kulturore, ndër të cilat edhe dy ekspozita të cilat provokuan debate të mëdha në media dhe mes të ftuarave. Ekspozita që ngjalli më shumë debat në vend ishte ajo e suedezes Elizabet Olson Uallin. Fotografja solli në Beograd ekspozitën e saj të famshme Ecce Homo ku ndër të tjera tregohet një skenë e Krishtit nga Testamenti i Ri, por në një narracion alternativ, që përfshin komunitetin LGBT. Hyrja në ekspozitën e asaj dite u bë me ftesa të veçanta, ku ndër të tjera duhet të kaloheshin dy postblloqë policie. Ndërtesa në të cilën u shfaq ekspozita, ishte e rrethuar krejtësisht nga forcat e policisë.
“Ekspozita e fotografes Uallin është art bashkëkohor e cila do të provokojë por jo të ofendojë dogmën fetare mbi përjashtimin dhe përfshirjen në besimin ndaj Zotit. Anëtarë të komunitetit LGBT në Serbi, Suedi apo kudo tjetër mund të jenë besimtarë të secilës fe dhe nuk vendoset nga një fuqi njerëzore pranimi apo përjashtimi nga besimi i tyre”. Ky ishte mesazhi me të cilin u larguan të gjithë pjesëmarrësit nga ekspozita edhe pse ishte pak provokuese.
Ditën pas ekspozitës së shumëpërfolur, erdhi edhe lajmi që Policia kishte anulluar mbajtjen e Pride. Ndërkohë që një nga organizatorët e Paradës, Goran Miletiç u shpreh se: “Policia nuk e ka organizuar Pride. Pride u organizua nga ne, aktivistët serbë dhe ne nuk e kemi anulluar ende. Ne nuk e anulluam as vjet. Por policia ka shprehur pamundësinë për të mbrojtur parakaluesit në Marshimin e Krenarisë”. Ishin këto fjalë që pasqyrojnë gjithë kuptimin e betejës për të drejtat e njeriut.
Në panelin e fundit të para paradës, ishin edhe shumë përfaqësues ndërkombëtarë dhe mbështetës të paradës. Vlen për tu theksuar se parada në Beograd nuk përfaqëson vetëm një ecje në rrugë, që të ndihmojë shumicën të thyejë paragjykimet, dhe të kuptojnë që personat LGBT janë thjesht njerëz me një veçori të caktuar, por paraqet të drejtën për tu mbledhur, tubuar dhe shprehur lirshëm identitetin personal, në këtë rast atë të një personi që i përket minoritetit seksual. Nëse shteti serb anullon paradën sepse policia nuk mund të ofrojë mbrojtje, kjo nuk përbën disfatë për komunitetin LGBT apo për të drejtat e njeriut. Do doja të ndaja fjalët e një tjetër aktivisti serb, organizator i Pride, Boban Stojanoviç: “Pashë një djalë që vinte tek të gjitha aktivitetet tona dhe rrinte vetëm në një cep. Vinte të gjitha ditët dhe në të gjitha aktivitetet… rrinte vetëm. Ndërsa ditën e fundit, e pashë prapë, që po kërcente me një tjetër djalë, përpara të gjithëve. Po mendoja se kjo që kemi bërë vlejti për dicka. Ne po ndryshojmë një realitet për shumë njerëz, dhe kjo vlen shumë”.
Pas fjalimeve të të gjithë të ftuarve rajonalë dhe ndërkombëtarë, të gjithë pjesëmarrësit dolën në hyrjen e godinës, atje ku si gjithmonë na priste policia, e cila kishte barrikuar vendin dhe nuk linte as të hynte e as të dilte njeri. Ndërmjet aktivistëve, mbështetësve dhe mediave të ndryshme, Parada e Beogradit ishte e rrethuar nga dy murre dhe një barrikadë policësh. Por aktivistët serbë nuk mendonin se duhet të dorëzohen këtu, sepse nuk mund të jetojnë në një vend ku kumunitetit LGBT i jepet vetëm e drejta për të ekzistuar por jo për të gëzuar ekzistencën e tij.
Pjesëmarrja në Pride-in e Beogradit ishte një aktivitet ku mësoje shumë gjëra. Si shpesh herë i janë rreferuar Ballkanit, si “kazan zierje” një hap përpara apo prapa për Serbinë është një hap përpara apo prapa për rajonin. Aktivistët serbë kanë treguar se janë të gatshëm të luftojnë për një shoqëri me të drejta të barabarta dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse duke kaluar përtej politikës se politikanëve të tyre dhe fasadës që mban Serbia. Komuniteti LGBT në Serbi, me anë të aktivistëve të tij, organizoi debate dhe provokoi opinionin publik përmes artit, duke demonstruar një mesazh të qartë: Ata ekzistojnë pavarësisht ekstremizmit apo mos-pranimit. Planet konkrete të veprimit për lëvizjen LGBT në Serbi ecin bashkë me aktivizmin dhe përkushtimin që avancohet përditë. Faleminderit për eksperiencën.
Shënim: Opinionet dhe mendimet e shprehura në këtë editorial nuk janë dhe nuk përbëjnë domosdoshmërisht opinionet dhe mendimet e Ambasadës PINK/LGBT Pro Shqipëri.