LETËR E HAPUR ”Falje e dënimit” për të burgosurit LGBTI përgjatë periudhës së komunizmit

   I nderuar z. Meta,

Ambasada PINK dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri (HRH) me anë të kësaj kërkese të hapur, drejtuar Presidencës së Republikës së Shqipërisë, kërkon të shprehë qëndrimin dhe propozimin e saj lidhur me një shtresë të harruar të të dënuarve në burgjet e periudhës së komunizmit, personave që në atë kohë janë dënuar për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor.

Përgjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri, të shumtë në numër kanë qënë ata që për shkak të orientimit të tyre seksual janë dënuar, madje edhe konsideruar si kriminelë vetëm në emër të dashurisë. Të gjithë këta persona, numri i të cilëve ende nuk dihet, kanë vuajtur vite të tëra në burgjet e diktaturës. Sistemi komunist në Shqipëri e kuptoi që në fillimet e veta, se nuk ishin vetëm fjalët ato që mund të rrëzonin sistemin, por edhe veprimet e pafjala, shprehjet e diversitetit të qënies njerëzore, duke filluar nga jeta e përditshme nëpërmjet veshjes dhe sjelljes, deri tek letërsia dhe arti. E megjithatë nëse veshjet përbënin garanci për fletërrufe, tërheqje vëmendjeje apo kërcënime, dashuria e shprehur ndërmjet dy burrave apo djemve përbënte krim dhe dënohej me burg! Regjimi komunist i asaj kohe për herë të parë vendosi të marrë me forcë, përveç lirisë së fjalës dhe ideologjisë, neni 137 i Kodit Penal (1977), edhe lirinë e besimit, dashurisë dhe jetës seksuale të çdo individi.

Ndërkohë Ligji Nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë", (i ndryshuar) nuk ka përfshirë në amnisti, ata të dënuar të cilët përgjatë periudhës së komunizmit u detyruan të vuajnë heqjen e lirisë vetëm si shkak i orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Këto dënime të padrejta janë bërë vetëm si shkak i shprehjes së tyre të lirisë seksuale, pjesë kjo e lirisë së individit dhe në emër të dashurisë.

Nisur nga të gjitha këto fakte dhe të dhëna, ne sot i kërkojmë Presidentit Të Republikës së Shqipërisë, të ushtrojë faljen e dënimit për të gjithë të dënuarit LGBTI në mënyrë të padrejtë dhe vetëm në emër të dashurisë!

 

Në emër të Ambasadës PINK dhe Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut (HRH)

 

Altin Hazizaj,

President i Ambasadës Pink

Mbështetësit Dhe Partnerët