LGBTI me një PLAN të ri Veprimi në Shqipëri

Tiranë, 10 Nëntor 2020 – Ambasada PINK në Tiranë dhe Fondacioni Gjerman Heinrich Böll Stiftung organizuan Forumin “Plani i ri i Veprimit për personat LGBTI në Shqipëri: Mësimet dhe rekomandime!” Ky Plan është hartuar nga Ambasada Pink Shqipëri në konsultim me të rinj e të reja, organizata të shoqërisë civile si dhe ekspertë të fushës së të drejtave të njeriut dhe përmban fushat më prioritare të cilat konsiderohen si domosdoshmëri për t’u përfshirë në Planin e ri të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri. Në forum ishin të pranishëm institucionet dhe zyrtarët publikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të komunitetit LGBTI, ekspertë, etj.

Siguria dhe mbrojtja nga dhuna, gjuha dhe krimet e urrejtjes, parandalimi dhe elminimi i diskriminimit, shkollat e sigurta dhe miqësore, shërbimet sociale si strehimi dhe punësimi apo edhe mbështetja dhe dëmshpërblimi për të dënuarit politikë LGBTI, janë hallkat kryesore ku mbështetet Plani Kombëtar.

Forumi u përfshi nga diskutime dhe ide, mbi problematikat që sillte Plani dhe rekomandimet që shfaqte ai.  Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020 është një dokument i hartuar nga Qeveria Shqiptare nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Forumi, bëri të mundur jo vetëm diskutimin e zbatimit të këtij Plani në harkun kohor 4 vjeçar, por edhe evidentimin dhe adresimin e rekomandimeve për Planin e ri të Veprimit për Personat LGBTI. Gjithashtu, një ndër fokuset kryesore të këtij forumi ishte dhe prezantimi i gjetjeve të Raportit 10-vjeçar mbi situatën e Respektimit të të Drejtave LGBTI në Shqipëri.

Bazuar në gjetjet e raportit, përgjatë forumit u evidentuan situata e respektimit të të drejtave të mohuara dhe nëpërkëmbura deri më tani të komunitetit LGBTI. Të gjitha institucioneve publike, forumi i adresoi rekomandime konkrete për të përmirësuar këtë situatë. U evidentuan gjithashtu edhe fushat kryesore ku PKV pati impakt pozitiv dhe u identifikuan edhe rekomandimet që do të kontribuojnë në hartimin e Planit të ri të Veprimit për Personat LGBTI.

Mbështetësit Dhe Partnerët