Ambasada PINK fiton çështjen kundër një deputetit të parlamentit shqiptar

Tiranë, 17 Tetor 2011 – Pas ankesës së paraqitur nga Pink Embassy/LGBT PRO Shqipëri, Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi reagon me një letër rekomandimi ndaj z. Tritan Shehu, deputet i Kunvendit të Shqipërisë dhe nënkryetar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Në Dhjetor 2010, Pink Embassy/LGBT PRO Shqipëri reagon me një letër-ankesës pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku kërkohej marrja e masave nga ky institucion ndaj z. Tritan Shehu, nënkryetar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvend i cili, në seancën dëgjimore të Komisionit të zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, është shprehur se homoseksualiteti është sëmundje dhe duhet trajtuar me hormone. Gjithashtu ky Komision nuk ka marr parasysh kërkesën zyrtare nga Pink Embassy/LGBT PRO Shqipëri, ku kërkohej organizimi i një seance të hapur dëgjimore në lidhje me situatën e personave të prekur nga HIV/AIDS në Shqipëri, përfshirë edhe komunitetin LGBT në vend, duke e zhvilluar në mënyrë sekrete pa njoftuar në asnjë moment kërkuesit e saj.

Pas ankesës sonë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e ka shqyrtuar atë dhe ka ndjekur proçedurat e përcaktuara për trajtimin e ankesës, gjatë gjithë kësaj kohe, dhe më datë 30 Shtator 2011 reagon me anë të një letre për z. Shehu ku e rekomandon si më poshtë:

  • Të evitojë deklaratat me nota diskriminuese në të ardhmen, të cilat ndikojnë në krijimin e një atmosfere të tensionuar dhe jo-miqësore me komunitetin LGBT në Shqipëri (në këtë kuadër informojnë z. Shehu, se homoseksualiteti është përjashtuar nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë). 
  •  Dhënien e të gjitha garancive të mundshme që mendimi, opinioni dhe fjala e komunitetit LGBT të dëgjohet, të vlerësohet dhe të merret në konsideratë, kur ata janë të involvuar në mënyrë direkte në çështjet të caktuara për të ndihmuar këtë komunitet të gëzojë normalisht të drejtat dhe liritë e tyre.

Pink Embassy/LGBT PRO Shqipëri, shpreh mirënjohjen dhe falenderon institucionin e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi për bashkëpunimin dhe reagimin për rastin në fjalë dhe e inkurajon e mbështet atë për realizimin e detyrës së saj në mbrojtje nga diskriminimi. 

Mbështetësit Dhe Partnerët