Shqip
English
Qeveria kthen sytë nga LGBT!
- Jul 12, 2011
- Ambasada Pink
Ministri Ksera: politikat, jo më në letër! Jemi të detyruar të përmbushim rekomandimin e BE.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Ambasadën PINK dhe LGBT Pro Shqipëri, kanë kanë organizuar paraditen e të enjtes, për herë të parë zyrtarisht, Tryezën e diskutimit për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.
Shqetësimet e ngritura nga Ambasada Pink, Aleanca kundër Diskriminimit dhe Aksion + kanë të bëjnë me krijimin e një ambienti më të sigurt, mundësi punësimi dhe garantimin e mbrojtjes së të drejtave themelore të komunitetit të Lesbikeve, Gejve, Biseksualëve dhe Transgjinorëve në Shqipëri.
Psikologu, Edmond Dragoti theksoi rolin e informimit drejt të shoqërisë mbi domethënien e orientimit seksual dhe identitetit gjinor, pasi kjo do të reduktonte paragjykimet dhe diskriminimin.
Z. Henk Van den Dool, Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri, tha se mesazhet e dhëna më parë nga ambasadorët kanë arritur në veshin e duhur dhe janë marrë parasysh. Ai tha se gjatë tre viteve të mandatit të vet në Shqipëri ka kërkuar shpesh vëmendje për komunitetin LGBT dhe se në këtë takim është hera e parë që ka një përfshirje kaq të madhe të të gjithë aktorëve që kanë përgjegjësi për garantimin e të drejtave të komunitetit LGBT.
Z. Spiro Ksera, Ministër i MPCSSHB, në fjalën e tij tha se takimi organizohej në vijim të procesit të nisur nga ministria, e cila ka ngritur grupin e punës për masa në mbrojtje të komunitetit LGBT nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Ai theksoi se MPCSSHB duhet të luajë rol të rëndësishëm për përmbushjen e rekomandimit të 11 të BE që kërkon politika të favorshme kundër diskriminimit. Ai gjithashtu tha se shoqëria shqiptare ka nevojë të informohet rreth çështjes LGBT pasi kjo ka qenë tabu deri para disa viteve dhe akoma ka mungesë informacioni rreth çështjes. Edhe pse parimet kundër diskriminimit janë pjesë e Kushtetutës shqiptare, prapë miratimi i ligjit ishte plus për të luftuar diskriminimin. Gjithashtu ai theksoi se MPCSSHB ka filluar punën për shikimin e legjislacionit për të eleminuar çdo term apo përcaktim diskriminues. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se ky takim do të shërbejë si fillimi i dialogut dhe bashkëpunimit mes gjithë aktorëve që politikat në letër të zbatohen për eleminimin e diskriminimit me bazë identitetin gjinor dhe orientimin seksual.
Të pranishëm në këtë takim, ishin edhe Zv.ministrja Filloreta Kodra, Komisionerja kundër Diskriminimit, Përfaqësuesja për të drejtat e njeriut në Bashkimin Evropian si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e pjesëtarë të komunitetit LGTB në Shqipëri.














