Jo “Ai” ose “Ajo” - Arsimi parashkollor lufton paragjykimet gjinore

Shkrim nga Jenny Soffel – Associated Press, dt. 27 Qershor 2011

Stockholm (AP) – Në kopshtin “Egalia”, stafi shmang përdorimin e fjalëve si “e tij”, “e saj” dhe u drejtohet 33 fëmijëve si “shokë” në vend të vajza dhe djem.

Nga vendi dhe ngjyra e lodrave deri te zgjedhja e librave, çdo detaj është planifikuar me kujdes për tu siguruar që fëmijët nuk do të bien pre e paragjykimeve gjinore.

“Shoqëria pret që vajzat të jenë të buta, të mira e simpatike dhe djemtë të jenë burrëror, të ashpër dhe të hedhur”, thotë Jenny Johnsson, një mësuese 31 vjeçare. Kopshti “Egalia” u jep atyre një mundësi shumë të mirë që të jenë ata që duan të jenë.

Kopshti i financuar nga tatim-paguesit, i cili u hap vitin e kaluar në krahinën Sodermalm të Stockholm-it për fëmijët e moshës 1 deri 6 vjeç, është ndër shembujt më radikal të përpjekjeve të Suedisë për të projektuar barazinë mes gjinive nga fëmijëria e në vazhdim.

Thyerja e roleve gjinore është një mision kryesor në programin kombëtar për parashkollorët, mbështetur në teorinë që edhe në Suedinë mendjehapur, shoqëria u jep djemve një avantazh të padrejtë.

Shumë kopshte kanë punësuar “pedagogë gjinorë” për të ndihmuar stafin të identifikojë gjuhën dhe sjelljet që rriskojnë përforcimin e stereotipeve.Shumë prindër shqetësohen që gjërat kanë shkuar kaq larg. Obsesioni i zhdukjes së roleve gjinore, thonë ata, mund ti bëjë fëmijët konfuzë dhe të papërgatitur për tu përballur me botën jashtë kopshtit.

“Rolet e ndryshme gjinore nuk janë problematike për aq kohë sa vlerësohen në mënyrë të barabartë”, thotë 37 vjecarja Tanja Bergkvist, një nga zërat kryesorë kundër asaj që ajo e quan “çmenduria gjinore” në Suedi. “Ata që janë të vendosur në shkatërrimin e roleve gjinore thonë se ekziston një hierarki në të cilën gjithçka që djemtë bëjnë u jepet një vlerë më e lartë, por unë pyes veten se kush e vendos sasinë matëse të kësaj vlere”, - thotë ajo. “Pse ka më shumë vlerë të luash me makina?”

Në kopshtin Egalia – titulli tregon barazi – djemtë dhe vajzat luajnë bashkë me një lodër kuzhine, luajnë me enët plastike dhe pretendojnë se gatuajnë. Tullat dhe mjetet e tjera të ndërtimit janë vendosur me qëllim pranë kuzhinës, për të qenë të sigurt që fëmijët të mos vendosin barriera mendore mes gatimit dhe ndërtimit.

Drejtoresha, Lotta Rajalin, vëren se kopshti Egalia vë një theks të vecantë në nxitjen e një mjedisi tolerant për njerzit që i përkasin komunitetit LGBT. Nga një raft librash, ajo nxjerr historinë e dy xhirafave meshkuj te cilet janë të trishtuar sepse janë pa fëmijë – derisa gjejnë një vezë krokodili të braktisur. Pothuajse të gjithë librat e fëmijëve kanë histori me çifte homoseksualë, prindër të vetëm ose fëmijë të adoptuar. Nuk ka libra me “Borëbardhën” apo “Hirushen” ose përralla të tjera klasike të cilat forcojnë stereotipet gjinore.

Rajalin, 52 vjec, thotë se stafi përpiqet të ndihmojë fëmijët të zbulojnë ide të reja kur ata luajnë. “Një shembull konkret mund të jetë kur ata luajnë “shtëpirash” dhe roli i nënës është zënë dhe ata fillojnë të grinden, - thotë ajo. Në këtë rast ne sugjerojmë dy ose tre nëna dhe kështu me radhë.”

Metodat që përdoren në kopshtin e Egalias janë të diskutueshme. Rajalin thotë se stafi është kërcënuar nga rracistë, mesa duket të mërzitur nga fakti i përdorimit të kukullave me ngjyrë të zezë në këtë kopësht. Por ajo thotë se nga ana tjetër ekziston një listë e gjatë pritjeje për pranim në kopshtin Egalia dhe vetëm një çift e ka hequr fëmijën nga kopshti.

Jukka Korpi, 44 vjeç, thotë se ai dhe gruaja e tij zgjodhën kopshtin Egalia “për tu dhënë fëmijëve tanë gjithë mundësitë, bazuar në atë që ata janë dhe jo në gjininë e tyre.”

Suedia ka promovuar të drejtat e grave për dekada dhe së fundmi ishte një nga vendet pionere mes shteteve te Europës në lejimin e legalizimit të çifteve gay dhe lezbike dhe adoptimit të fëmijëve nga ana e tyre.

Studimet gjinore përshkojnë jetën akademike në Suedi. Bergkvist vuri në dukje në blogun e saj se Këshilli Shkencor Suedez kishte dhënë 80,000$ për një bursë postdoktorature me qëllim analizimin “e trumpetës si një symbol i gjinisë”.

Kopshti Egalia është i pazakontë edhe për vetë Suedinë. Stafi përpiqet të heqë referencat mashkullore dhe femërore nga e folura e tyre, përfshirë edhe përemrat “e tij” ose “e saj”. Në vend të tyre ata kanë adoptuar “hen-in” e pagjini, një fjalë që nuk ekziston në suedisht por përdoret në disa qarqe feministe dhe gay.

“Ne përdorim fjalën “Hen” për shembull kur një doktor, polic, elektriçist ose hidraulik vjen në kopësht”, - thotë Rajalin. “Ne nuk e dimë nëse është një ai apo ajo kështu që ne themi ‘Hen do të vi në orën 2’. Kështu fëmijët mund të imagjinojnë si një burrë ashtu edhe një grua. Kjo zgjeron këndvështrimin e tyre.”

Egalia nuk mohon diferencat biologjike mes djemve dhe vajzave – kukullat me të cialt fëmijët luajnë janë korrekte nga ana anatomike.

Ajo që ka rëndësi është që fëmijët të kuptojnë se diferencat e tyre biologjike “nuk do të thonë që djemtë dhe vajzat kanë interesa dhe aftësi të ndryshme,” thotë Rajalin, “Kjo ka të bëjë me demokracinë dhe barazinë mes njerëzve.”

Shkrimtari i Associated Press, Karl Ritter, kontribuoi në këtë raport.

Mbështetësit Dhe Partnerët