PINK per Gazeten Shqiptare: I papranueshem fjalori i politikaneve

Fjalori që përdoret shpesh herë nga politikanët, në seancat parlamentare është cilësuar jo vetëm diskriminues por frymëzon edhe dhunë nga drejtori i LGBT PRO/Pink, Kristi Pinderi. Në intervistën dhënë për “Gazeta shqiptare”, Pinderi tregon se ky fjalor që përdoret nga ministra, deputet dhe politikan të tjerë është një diskriminim dhe një dhunë e mirëfilltë verbale dhe psikologjike jo vetëm ndaj komunitetit LGBT(lezbike, gey, biseksual, transeksual) por edhe ndaj grave, nënave, motrave tona.  

Gazeta Shqiptare: Ç’mendoni për fjalorin që përdoret sot në Kuvend? Ju duket ai diskriminues?

Kristi Pinderi: Tejet diskriminues! Tejet fyes dhe mbi të gjitha ekstremisht i varfër edhe moralisht edhe shpirtërisht.  

Zgjidhet vetëm me fushata ndërgjegjësuese?

Për fat të keq jo! Në terma afatgjatë sigurisht mund të zgjidhet duke edukuar njerëzit dhe duke i informuar ata për çdo pasojë që mund të ketë një fjalor i tillë. Por në terma afatshkurtra kohorë kërkohet miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i një legjislacioni që pengon dhe dënon maksimalisht krimet dhe incidentet mbi bazë urrejtje. Një legjislacion i tillë (që do të përmblidhte edhe fjalimet që frymëzojnë urrejtje, diskriminim dhe veçim, sapo është miratuar në SHBA në nivel federal sidomos edhe pas lobimit të jashtëzakonshëm te Jud Shepard nënës së një djali të ri që u masakrua për vdekje për shkak se ishte gay.  

Ju po kërkoni një ligj tjetër, përveç atij kundër diskriminimit që tashmë ka hyrë në fuqi?

Po shprehim bindjen tonë se hartimi dhe miratimi i një legjislacioni që targeton krimet dhe incidentet me bazë urrejtjen në Shqipëri do të ishte një hap shumë i mirë i joni për tu përafruar me legjislacionin europian. Ambasada PINK do të ishte e gatshme që të jepte kontributin e saj nëse do ti kërkohej, tashmë si një institucion i mirëfilltë që përfaqëson interesat e një grupi të tërë interesi siç janë LGBT. Nga ana tjetër personalisht mendoj që fjalë të tipit b..q... që për fat të keq përdoren dhe nga deputetë apo ministra janë një fyerje, një diskriminim dhe një dhunë e mirëfilltë verbale dhe psikologjike jo vetëm ndaj komunitetit LGBT por edhe ndaj grave, nënave, motrave tona.  Dëgjojmë madje dhe versione me baza dialektore të tipit sumshkatërrum, etj. Një zhargon i tillë për fat të keq frymëzon dhunë, vrasje, krime e veçim të shumë pjesëtarëve të shoqërisë sonë. Gjuha kocka s‘ka e kocka thyen, thotë populli! Edhe nëpër shkollat tona së fundmi sipas statistikave vihet re një numër frikshëm në rritje i fenomenit të bulling nëpër shkolla, mes kalamajve, përplasje edhe fizike edhe psikologjike mes tyre. Në shumë raste pikërisht për shkak të diferencave që vetë fëmijët mund të kenë mes tyre e ku më i dobëti sulmohet dhe persekutohet nga vetë bashkëmoshatarët e tyre. Po në fund të fundit si mund të pretendojmë të rrisim një shoqëri të shëndetshme kur ne kemi deputetë e politikanë sharlatanë që përdhosin edhe tempullin e demokracisë. 

Një legjislacion për incidentet dhe krimet me bazë urrejtjen do ta zgjidhte situatën?

Jo përfundimisht, por të paktën do të sillte drejtësi edhe për shumë viktima që ndonjëherë rëndom dëgjojmë të kenë qenë viktima për motive të dobëta! 

Cili është mesazhi juaj?

Kryesisht drejtuar prindërve: Nëse dëgjoni që fëmija juaj përdor një fjalor që lëndon, atëherë flisni me të dhe shpjegojani pse ai nuk duhet të përdorë më fjalë që mund të vrasin, edhe shpirtërisht. Nëse dëgjoni që ato fjalë i përdor deputeti, ministri apo kryeministri juaj në televizor, fikeni televizorin dhe bojkotoni me çfarë të mundeni këtë klasë politike që nuk meriton asnjë mbështetje. Në terma afatgjatë secili mund të bëjë diçka qoftë edhe personalisht: më mirë të ndezim një qiri sado të vogël për të ndriçuar paksa, se të mallkojmë përjetësisht terrin e injorancës!

Mbështetësit Dhe Partnerët