Vladimir Luxuria, interviste ekskluzive per Ambasaden Pink

Në këtë intervistë për Divers, Vladimir Luxuria u jep këtë mesazh aktivistëve dhe komunitetit LGBT në Shqipëri: “Forcë dhe kurajo, jeni partizanët e lirisë! Mos u demoralizoni, sa më e errët është nata aq më afër është agimi i një epoke të re”

*INTERVISTOI ERJON TELA

Eshtë mashkull apo femër? Kjo pyetje krejtësisht e pavend nuk e ndaloi dot Vladimir Luxurian, të lindur mashkull, por që ndihet femër, të zgjidhej dy herë nga populli italian përmes votës së lirë, në Dhomën e Përfaqësuesve në Itali, si pjesë e Partisë Komuniste në atë vend. E cuditshme, apo jo kjo është e vërtetë: edhe pjesëtare e komunitetit LGBT edhe pjesë e forcës komuniste në një prej 7 vendeve më të industrializuara në botë!
 "Më mirë fashist se homoseksual", i tha Luxurias në ekran, gjatë një emisioni televiziv Aleksandra Mussolini. Ai moment, ndonëse është një fyerje personale për vetë Vladimir Luxurian që ka sfiduar gjithë shoqërinë europiane, mbetet ende një tregues se si ekstremistët politikë sot në Europë mund të jenë fashistë, vetëm e vetëm që të mos pranojnë të respektojnë të drejtat e njeriut. Mirëpo, ekstremistët janë ngado, edhe në Shqipëri... Në këtë intervistë ekskluzive për revistën Divers, të publikuar nga PINK Embassy dhe të realizuar nga aktivisti për të drejtat e njeriut Erjon Tela, Luxuria, ish deputete e Italisë, e cila është njëkohësisht një artiste, shkrimtare, dhe një aktiviste për të drejtat e njeriut, i përgjigjet me ironi z. Tritan Shehu i cili e konsideron sëmundje homoseksualizmin se, “Nuk më rezulton të ketë ndonjë ilac për të shëruar homoseksualitetin. Janë përpjekur të na shërojne në shumë mënyra: djegie, goditje elektrike, kampe përqëndrimi, burg... Disa persona mendojnë më shumë për të na anuluar se për të na shëruar... Duhet të shërohen ata nga prezumimi për të devijuar natyrën e vërtetë të të tjerëve”...

Erjon Tela (Pink Embassy): Në çfarë moshe filluat të kuptoni që jeni femër?
Vladimir Luxuria: - Që kur fillova të luaj me lodra! Më pëlqente të luaja me kukulla, më pëlqente të luaja por edhe të flisja me shoqet e mia... Unë ndjehesha si ato!

Si reagoi familja juaj përballë këtij fakti?
- Shumë keq, por mendonin se ishte një fazë kalimtare... 

Cili është kujtimi më i bukur dhe më i shëmtuar që ju vjen në mendje nga fëmijëria juaj?
- Kujtimet më të bukura janë lojrat që organizoja me kushurirat e mija: Luanim sikur të ishim në televizion… Ndërsa kujtimi më i shëmtuar është një raport me një person të vjetër, shumë më të madh se mua.

Çfarë ju shtyu t’i futeni botës së politikës?
- Ma kërkuan! Dhe unë pranova, sepse ëndërroja të ndryshoja Italinë mbi temën e homo/lezbo/transofobisë dhe mbi të drejtat e njeriut... 

Si ka qënë reagimi i popullit italian pas hyrjes suaj në politikë?
- Thonin se ishte një skandal!!! Shumë prej tyre kanë ndryshuar mëndje falë punës sime serioze në Parlament. 

Tashmë jeni një idhull dhe frymëzim për shumë aktivistë të të drejtave të komunitetit LGBT. Po ju vetë keni patur një të tillë në fillimet tuaja? Nese po, cili ka qënë ai?
- Harvey Milk, me përkushtimin e tij të madh dhe ndershmërinë që e karakterizonte. Gjithashtu Sylvia Rivera, heroina e Stonewall. Dhe të mos harrojmë Magnus Hirschfeld e të gjithë ata që luftuan në kohët dhe zonat gjeografike më të vështira. 

Jeni transgjinorja e parë e zgjedhur në dhomën e deputetëve të një shteti Europian. Cilat kanë qënë problemet dhe vështirësitë që keni hasur për ta arritur këtë?
- Paragjykimi, sipas së cilit nëse je trans, je automatikisht prostitutë! 

Cilat janë ndryshimet që ju si politikane do donit të sillnit në lidhje me komunitetin LGBT? 
- Do doja që të na njihej i njëjti dinjitet dhe e njejta rëndësi historike e lëvizjeve të mëdha për mbrojtjen dhe zgjerimin e të drejtave civile, të tilla si ato kundër racizmit, për barazinë midis burrave dhe grave, ato për liritë fetare, etj... 

Në Shqipëri prostitucioni është ende një vepër penale dhe debati për legalizimin e tij është ende një tabu, ndonëse në korrik 2010 komiteti i CEDAW (Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave) në OKB i kërkoi Shqipërisë që brenda 4 viteve të ardhshme të dekriminalizojë prostitucionin. A duhet ta bëjë Shqipëria një hap të tillë?
- Po! Vepër penale duhet të konsiderohet vetëm prostitucioni i detyruar, dhe një krim shumë i rëndë siç është skllavërimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale. 

Ju jeni politikane, aktore, personazh televiziv, aktiviste e të drejtave të LGBT dhe shkrimtare. Në cilën nga këto fusha ndjeheni më mirë?
- Kudo që mund të komunikoj në mënyrë efektive, të bind apo emocionoj. 

Në vitin 2008 ju fituat “L’isola dei famosi”. Çfarë reagimesh provokoi ky fakt?
- Mamma Mia! Gjigande... E të mendosh që ishte vetëm një “reality show”... Isha e sigurtë se do të vlerësohesha edhe atje, si kudo! 

“Chi ha paura da Muccassassina”. E arriti ky liber autobiografik suksesin e pritur?
- Po! Më kërkuan menjëherë një libër të dytë. 

“Le favole non dette” tregon historitë e disa fëmijëve në vende dhe kohë të ndryshme. Ka një fëmijë në planet tuaja? 
- Nuk dua ta kem me një nënë “sorrogate” (me pagesë), dhe nuk mund të birësoj. Kështu që për momentin kam vetem fëmijë të adoptuar në distancë. 

“Me mire fashiste se homoseksual”...! Shumë persona të komunitetit LGBT por dhe aktivistë për të drejtat e njeriut ndihen të irrituar sa herë dëgjojnë këtë fyerje që Alesandra Mussolini ju bëri gjatë debatit në “Porta a Porta”. Si i bëhet me këta politikanë që ndodhen ngado e që tentojnë të inkurajojnë urrejtje e diskriminim? 
- Një politikan duhet të mendohet mirë para se të bëje deklarata që nuk më fyejnë vetëm mua, por të gjithë viktimat e diktaturave të çdo lloji. Shumë politikanë ndonjëherë nuk arsyetojnë. 

Në Shqipëri kemi rastin e një deputeti që mendon se homoseksualizmi është sëmundje... Ky deputet, ish ministër i jashtëm i Shqipërisë është njëkohësisht edhe doktor. Si do përgjigjeshit ju në një rast të tillë?
- Nuk më rezulton të ketë ndonjë ilaç për të shëruar homoseksualitetin! Janë përpjekur të na “shërojnë” në shumë mënyra: djegie, goditje elektrike, kampe përqëndrimi, burg... 
Disa persona mendojnë më shumë për të na “anulluar” (dmth: më mirë mos ekzistojmë), se për të na “shëruar”. Duhet të shërohen ata të cilët tentojnë të devijojnë natyrën e vërtetë të qënies njerëzore. 

Pasi lexuat rreth situatës së komunitetit LGBT në Shqipëri, çfarë mesazhi do t’u jepnit politikanëve shqiptarë?
- Një politikan i vërtetë është ai që mund të japë shpresë për popullin e tij: më shumë pasuri, më shumë mirëqenie, më shumë integrim, më shumë kulturë, më shumë liri. Kushdo që dhuron një buzëqeshje dhe i bën të tjerët të ndihen të papërjashtuar është dikush që do të hyjë me siguri në librat e historisë dhe që do të mbahet mend me dashuri dhe mirënjohje. 

Një mesazh për vetë pjestarët e komunitetit LGBT në Shqipëri dhe aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut...
- Forcë dhe kurajo, jeni partizanët e lirisë! Mos u demoralizoni, sa më e errët është nata aq më afër është agimi i një epoke të re. 

 

Mbështetësit Dhe Partnerët