Ambasada PINK zhvillon leksione pranë Universiteteve të Tiranës dhe Durrësit

14 Nëntor 2011

Dy javët e fundit e kanë gjetur Ambasadën PINK dhe PINK Youth Group (PYG) në bankat e universiteteve publike të Durrësit dhe Tiranës. Në datën 3 Nëntor 2011, PINK u gjend pranë Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Durrësit në një leksion të parë jashtë kufijve të kryeqytetit. Ky leksion, i cili shërbeu edhe për të thyer akullin e përballjes me këtë temë do të pasohet shumë shpejt me leksione në fakultete simotra të këtij universiteti. Me mbështetjen e disa pedagogëve dhe dekanit të tij u arrit që për herë të parë çështjet LGBT të diskutohen edhe jashtë Tiranës. Leksioni, u pasua nga një ekskursion me PYG në qytetin e Durrësit dhe një shëtitje në bregdet. Përshtypjet e pjesëmarrësve ishin shumë të mira dhe ne premtojmë se shumë shpejt do të rrikthehemi në këtë qytet me të tjera leksione.

Më tej, në datën 14 Nëntor 2011, PINK ishte me një leksion 2 orësh pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, me studentët e vitit të dytë, dega Punë Sociale. Mbi 60 studentë nga ky fakultet patën mundësi të njihen me punën e Ambasadës PINK si institucion, arritjet e tij deri tani, çështjet kryesore me të cilat përballet komuniteti LGBT në Shqipëri dhe një prezantim të shkurtër mbi disa teori të lidhura me orientimin seksual, identitetin seksual dhe identitetin gjinor.

Leksioni u pasua nga një seri pyetjesh nga studentët të cilët e pasuruan debatin dhe i dhanë mundësi stafit të PINK të përmendin disa nga çështjet më të rëndësishme të komunitetit LGBT. Disa nga pyetjet e studentëve ishin nëse homoseksualiteti është një gjendje biologjike apo shoqërore, format e komunikimit me komunitetin transgjinor, a janë personat LGBT në Shqipëri një grup apo një komunitet, a ka më shumë persona gay apo lezbike në Shqipëri etj. Të gjitha këto pyetje na dhanë bindjen se studentët e kishin ndjekur me shumë vëmendje leksionin dhe se kishin kuptuar disa nga mesazhet më të rëndësishme që ne përcollëm në këtë leksion

Në përmbyllje, pedagogët falenderuan stafin e Ambasadës PINK për punën që bëjnë dhe i ftuan studentët që të mbështesin këtë organizatë dhe levizjen LGBT në Shqipëri. Leksioni u mbyll me duartrokitje nga studentët të cilët e vlerësuan shumë leksionin dhe u ndanë miqësisht me stafin e PINK.

Ambasada PINK uron që sa më shpejt të jetë sërish në bankat e universiteteve të ndryshme për të ndarë me intelektualët e rinj punën e saj institucionale, sfidat, vështirësitë dhe arritjet e saj si dhe të kërkojë mbështetjen e të rinjve ndaj kësaj lëvizje në vend. 

Mbështetësit Dhe Partnerët