Kuvendi ti jape fund diskriminimit

TURP!

KUVENDI I SHQIPËRISË T’I JAP FUND DISKRIMINIMIT TË KOMUNITETIT LGBT NË SHQIPËRI!

Përmes këtij reagimi publik LGBT PRO/PINK Embassy akuzon publikisht Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë se ka
konsumuar në mënyrë të hapur një rast të pastër diskriminimi ndaj komunitetit LGBT në Shqipëri!

Në 8 Nëntor 2010, LGBT PRO Shqipëri / Ambasada PINK që lufton për të mbrojtur të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve,
transgjinoreve në Shqipëri, i dërgoi Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, një kërkesë zyrtare, ku kërkohej
organizimi pranë këtij komisioni i një seance të hapur dëgjimore në lidhje me situatën e personave të prekur nga HIV/AIDS në Shqipëri, përfshirë edhe komunitetin LGBT në vend.

Kërkesën në fjalë, LGBT PRO / Ambasada PINK, e bëri në emër të saj dhe një serë organizatave të tjera të shoqërisë civile, të cilat kishin rënë dakort që të zhvillonin bashkarisht një fushatë të përbashkët për të luftuar HIV/AIDS, sidomos diskriminimin, me të cilin ndeshën çdo ditë personat që jetojnë me HIV/AIDS. Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi qenë në pritje të marrjes së përgjigjes zyrtare nga ana e Komisionit, e cila deri më sot ende nuk ka ardhur.

Ndërkohë, në datë 1 Dhjetor 2010, Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka organizuar këtë seancë dëgjimore, e
cila nuk ishte as e hapur dhe as transparente. Seanca dëgjimore, ndonëse ishte kërkuar nga LGBT PRO / Ambasada Pink, u zhvillua në një mënyrë
sekrete, pa njoftuar në asnjë moment as kërkuesit e saj, tamam si mbledhjet e celulave komuniste të kohës së Enver Hoxhës.

Jeta parlamentare në demokraci zhvillohet e hapur dhe i jep mundësi pjesmarrjeje publikut që nëpërmjet seancave të tilla dëgjimore të sjellë
përpara deputetëve, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, të dëgjojnë dhe të marrin në konsideratë problemet e qytetarëve të thjeshtë të këtij
vendi.

Ne sot ndjehemi të dhunuar në të drejtën tonë për të informuar Kuvendin e Shqipërisë mbi gjendjen e vështirë që gjenden personat LGBT që jetojnë me HIV/AIDS! Ne sot ndjehemi të diskriminuar dhe të lënë mënjanë nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi deputetët, të cilëve komuniteti LGBT iu paguan një pjesë të rrogës së tyre, nuk kanë kurajon të përballen me problemet e këtij komuniteti!

Ndonëse nuk do të dëshironim të paragjykonim në asnjë moment punën e një Komisioni Parlamentar, mënyra sekrete dhe jo transparente e zhvillimit të seancës dëgjimore, pa pjesmarrjen e palëve të interesuara, vetëm ngre pikëpyetje mbi integritetin e punës së këtij komisioni.

Mbi të gjitha ne nuk mund të rrimë pa vënë re faktin se kjo seancë e zhvilluar pa prezencën e komunitetit LGBT në Shqipëri, që është një
tregues i hapur i homofobisë që Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mund të ketë ndaj të gjithë personave me orientim të ndryshëm seksual.

LGBT PRO Shqipëri / Ambasada Pink, me anë të kësaj deklarate publike, ju kujton të gjithë deputetëve se në muajin Shkurt 2010, ishin ata të cilët votuan në mënyrë unanime për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ishte një nga kërkesat bazë që bëri të mundur udhëtimin e të gjithë shqiptarëve pa viza në Europë. Ne nuk do të dëshironim të mendonim në asnjë moment që Kuvendi i Shqipërisë ta quaj të mbullur kapitullin e
respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT në vend, thjesht e vetëm me miratimin e një ligji të vetëm dhe pa e zbatuar atë!

Ambasada PINK ka dokumentuar në mënyrë profesionale dhe objektive këtë rast dhe do ta bëjë publik atë jo vetëm në median shqiptare por edhe në
atë ndërkombëtare në mënyrë që të gjithë të ndërgjegjësohen për faktin që të drejtat e njeriut janë parime dhe vlera mbi të cilat askush nuk mund dhe nuk duhet të shkelë!

Nisur nga ndodhia në fjalë, ne do të kerkonim që raste të tilla të mos ndodhin më në Kuvendin e të gjithë shqiptarëve. Integrimi europian i Shqipërisë nuk mund të bëhet me fjalë por me vepra. Në këtë aspekt ne i kërkojmë publikisht të dyja grupeve parlamentare më të mëdha në kuvend, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që të bëjnë një analizë serioze të kësaj ngjarjeje dhe të udhëzojnë të gjithë deputetet e tyre në
komisione, që Ligji Kundër Diskriminimit nuk ishte vetëm për t’u miratuar nga deputetët, por duhet të jenë ata të parët që duhet ta zbatojnë atë.

Mbështetësit Dhe Partnerët