Shqip
English
Anxhela feston 27 vjetorin ne Ambasaden PINK
- Apr 13, 2011
- Ambasada Pink
Anxhela mbushi 27 vjec dhe të vetmit që e uruan dhe i dhuruan dhurata të ndryshme ishin aktivistët e Ambasadës PINK.
Nga këto 27 vjet, rreth 20 vjet ajo i ka kaluar në rrugë ku është përballur në mënyrë c’njerëzore me dhunë fizike dhe psikologjike.
E lindur në qytetin e Shkodrës, Anxhela është braktisur nga nëna e saj që kur ishte fëmijë. Tre vjet ajo qëndroi e sëmurë dhe e braktisur në spitalin pediatrik të qytetit verior ndërsa më pas u strehua në shtëpinë e fëmijës.
Ajo vuan sot pasojat e neglizhimit dhe të abuzimit ndërkohë që përballet cdo ditë me dhunë, me urrejtje, përcmim dhe me indiferentizmin total të strukturave shtetërore që për fat të keq, nuk e sillen me te si me një përfituese të shërbimeve shoqërore, por thjesht si me një pengesë qe duhet shmangur apo si me nje qytetare të dorës së tretë.
“Unë nuk dua të jetoj rrugëve dhe të punoj si punonjëse seksi”, thotë Anxhela e cila në gjendjen civile ende njihet me emrin Fatjon Hoxha, “por nuk kam asnjë mundësi tjetër për të mbijetuar”. Edhe në këtë rast ajo tregon kujdes të mos përdorë fjalën “prostitutë” por “punonjëse seksi” duke qenë e ndërgjegjshme që e para është fyese dhe diskriminuese.
Në fillim të muajit nëntor edhe OKB i kërkoi Shqipërisë që të “dekriminalizojë punonjëset e seksit”, duke e vlerësuar penalizimin e tyre si shkelje të të drejtave të njeriut.
Edhe pse tani kemi një ligj që i mbron të gjithë qytetarët nga diskriminimi, Anxhelës sërish nuk i jep askush një shtëpi me qera edhe në rastet kur ajo ka mjaftueshëm të holla për ta përballuar koston e qërasë. Disa herë Anxhela është sulmuar dhe dhunuar fizikisht. Në mjaft raste ajo pohon se është keqtrajtuar edhe nga efektiva të policisë, ndonëse drejtues të Policisë së Shtetit nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.
Ajo pohon se dhe në ambientet e spitalit eshte hasur me transfobi dhe me refuzim të mjekëve për ta trajtuar.
Në rastet kur Anxhela kërkon të përdorë mjetet e transportit publik, i duhet të përballet me fjalë dhe me fyerje të rënda nga drejtuesit e urbanëve të cilët refuzojnë ta pranojnë në autobus. Shumë shpesh atë bashkë me transgjinorë të tjerë që punojnë si punonjëse seksi nuk e pranojnë as edhe në bare apo kafe të ndryshme vetëm për shkak të veshjes femërore.
“Unë që e vogël e ndjeja veten femër”, pohon Anxhela një të vërtetë që mesa duket ia ka bërë jetën ferr! “Kur dikush më thotë të vishem si mashkull, është njësoj si të më fyejë pasi unë ndihem femër”, vazhdon më tej ajo.
Ambasada PINK i uron Anxhelës 27 vjetorin e lindjes dhe përfiton nga ky rast t’u bëjë thirrje të gjitha strukturave shtetërore që të hedhin të paktën njëherë vështrimin ndaj jetës së paimagjinueshme dhe të marxhinalizuar që ajo bën dhe ta konsiderojnë atë si njeri me të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi.














