"LGBT PRO" dhe "Aleanca" bashkeorganizojne nje forum ne Akademine Marubi

Në Akademinë Marubi u organizua një forum në lidhje me Diskriminimin, fjalimet e urrejtjes (hate speeches), me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe objektiv (fair trials) dhe në lidhje me Ligjin Anti-Diskriminim. Ky forum u organizua nga Akademia Marubi, në bashkëpunim me LGBT PRO Shqipëri, Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe Civil Rights Defenders.

Në panel ishin të pranishëm z. Peter Moosop, znj. Vjollca Meçaj, z. Ted Orlin, z. Simon Walker dhe z. Kristi Pinderi i cili ishte gjithashtu dhe moderator i forumit, ku morën pjesë nxënës të 6 shkollave të mesme të Tiranës. Moosop dhe Pinderi diskutuan në lidhje me diskriminimin, Meçaj mbajti një fjalim në lidhje me të drejtën që gëzon kushdo për të patur një gjykim të drejtë dhe objektiv (fair trials), Orlin referoi në lidhje me hate speeches, ndërsa Walker foli për ligjin Anti-Diskriminim.

Gjatë 30 minutave të para nxënësit e shkollave të mesme diskutuan për diskriminimin, por sidomos për diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara. Shumica e diskutuesve nga rradhët e shkollave ishin dakort me faktin që në Shqipëri ka sjellje të shumta diskriminuese sidomos për personat me aftësi të kufizuara, të cilët në shumicën e rasteve mbahen të mbyllur brenda mureve të shtëpisë.

Moderatori i forumit i pyeti të pranishmit në lidhje me diskriminimin që përjetojnë personat që janë pjesë e komunitetit LGBT dhe reagimi në sallë ishte kundërshtues. Pyetjes së Pinderit se ”a do të pranonit të kishit për shok apo shoqe një gay apo një lezbike” nxënësit në sallë fillimisht iu përgjigjën duke reaguar me brohoritje kundërshtuese. Kjo ngjalli debate të shumta.

Nxënës kryesisht të seksit mashkull u shprehën se nuk është mirë të diskriminohen personat LGBT por ama ata vetë nuk do donin ti kishin për shokë apo shoqe persona të tillë. Pas ndërhyrjeve të personave në panel dhe pasi nxënësit moren më shumë informacion në lidhje me të drejtat e njeriut, nga salla pati reagime pozitive sidomos nga vajza të cilat u ngritën në këmbë dhe deklaruan se për to nuk është fare problem që të shoqërohen me djem apo me vajza që i përkasin komunitetit LGBT.

Në ambientet e shkollave të mesme diskriminimi mbi bazën e orientimit seksual është në një nivel të lartë dhe tepër shqetësues. Arsyeja e kësaj ka të bëjë sidomos me mosinformimin e nxënësve në lidhje me orientimin seksual dhe në lidhje me të drejtat e njeriut në përgjithësi. Nxënësit e shkollave të mesme kanë pak ose aspak informacion në kurrikulat e tyre përsa i përket orientimeve seksuale.

Vetëm një pjesë e nxënësve të orientimit shoqëror në shkollat e mesme marrin një informacion bazë në Lëndën e Psikologjisë të vitit të katërt për orientimet seksuale. Pjesa tjetër e nxënësve nuk marrin asnjë informacion të qënësishëm për këtë çështje. Kjo sjell që veprimet diskriminuese, përjashtuese dhe veçuese të nxënësve të jenë në një nivel të lartë.

Është e domosdoshme që shkollat shqiptare të rrisin informacionin për të drejtat e njeriut në kurrikulat e tyre e njëkohësisht të rrisin informacionin objektiv për të drejtat e minoriteteve seksuale. Mësues të ndryshëm të pranishëm në forum pohuan për LGBT PRO në përfundim të forumit se edhe ato lëndë që trajtojnë çështjet e orientimit seksual dhe të drejtat e minoriteteve seksuale nuk zhvillohen seriozisht nëpër shkolla dhe anashkalohen kapitujt e lidhur me ato çështje.

LGBT PRO dhe Aleanca organizojne nje forum vetem per LGBT ne Akademine Marubi

LGBT PRO dhe Aleanca Kundër Diskriminimit organizuan në bashkëpunim me Akademinë Marubi një forum dedikuar të drejtave të komunitetit LGBT. Të pranishëm në panelin e këtij forumi ishin dy regjisorët italianë të filmit ”Suddenly last winter”. Ky film, u shfaq gjatë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut “Marubi 2010”, bashkë me dy filma të tjerë që trajtonin tematikën LGBT (Lesbanese dhe The Edge of Heaven).

Në këtë forum merrnin pjesë kryesisht pjesëtarë të komunitetit LGBT në Shqipëri, persona të tjerë të interesuar për këtë çështje, studentë të rinj të regjisurës në Akademinë Marubi, etj.

Luca Ragazzi dhe Gustav Hofer shpjeguan për të pranishmit arsyet pse ata realizuan një film që trajton të gjithë odisenë e draftimit e më pas të refuzimit të një sëre ligjesh në Itali që u jepnin të drejtë çifteve gay. Dy regjisorët italianë, të cilët në jetë janë edhe partnerë u përgjigjën më pas për të gjitha pyetjet që të pranishmit në forum kishin për ta dhe për çështjen që trajton filmi i tyre.

Simon Walker i UN shpjegoi mënyrat sesi komuniteti LGBT mund të përdorë në mënyrë që të përfitojë maksimalisht nga ligji kundër diskriminimit që Shqipëria ka aprovuar në shkurt të vitit 2010.

Drejtuesit e LGBT PRO dhe Aleances informuan të pranishmit për të gjitha nismat që dy organizatat respektive kanë ndërmarrë në kuadër të promovimit të të drejtave të komunitetit LGBT dhe në kuadër të fuqizimit të këtij komuniteti. Përveç kësaj dy video, një nga Aleanca e një tjetër nga LGBT PRO e PINK Embassy u shfaqën për të pranishmit.

Gjatë këtij forumi një pjesëtar i komunitetit LGBT ndau me të gjithë historinë personale të tij të coming out brenda familjes, histori që inkurajoi gjithë pjesëmarrësit.

Komuniteti më aktiv i popullatës LGBT në Shqipëri ka nevojë të jetë i pranishëm në aktivitete të tilla që jo vetëm sensibilizojnë opinionin rreth të drejtave të njeriut e të LGBT por mbi të gjitha inkurajojnë, informojnë dhe fuqizojnë vetë këtë komunitet.

Dy organizatat më aktive për të drejtat e LGBT në Shqipëri, LGBT PRO dhe Aleanca Kundër Diskriminimit mund të organizojnë me sukses evente të tilla të përbashkëta që i vijnë në ndihmë komunitetit mbi të gjitha, por edhe mbarë opinionit publik.

Gjatë zhvillimit të forumit, themeluesi i Akademisë Marubi, z. Kujtim Çashku u shpreh i inkurajuar dhe entuziast për faktin që mori pjesë në këtë forum pasi sipas tij, shembulli i aktivizmit të LGBT mund të inkurajojë e mund të mësojë këdo person tjetër, pavarësisht moshës, profesionit e orientimit të vet seksual.

Kjo dëshmoi edhe njëherë se lufta e LGBT mund të jetë më e suksesshme nëse aleatë të saj janë përfaqësues të shoqërisë civile, intelektuale, persona me një profil publik e me autoritet në profesionet e tyre, përfaqësues dashamirës të institucioneve etj.

Ky forum dëshmoi gjithashtu se komuniteti LGBT në Shqipëri ka nevojë të shkëmbejë informacion dhe të ndajë përvojat me përfaqësues të huaj të kauzës së përbashkët, siç ishte në këtë rast lufta dhe përpjekjet e aktivistëve italianë.

Mbështetësit Dhe Partnerët