Shqip
English
BE: Zgjidhni Avokatin e Popullit dhe zbatoni Ligjin Kunder Diskriminimit!
- Feb 23, 2011
- Ambasada Pink
Në deklaratën për shtyp publikuar sot pasdite BE kërkon nga Kuvendi t’i alokojë sa më shumë fonde Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të garantuar kështu zbatimin e plotë të këtij ligji
Delegacioni i Bashkimi Evropian në Tiranë u shpreh sot pasdite shumë i shqetësuar për faktin që Kuvendi i Shqipërisë nuk ka zgjedhur akoma Avokatin e ri të Popullit, ndërkohë që i bëri thirrje politikës shqiptare që të marrë masa sa më të shpejta për zbatimin sic duhet të Ligjit Kundër Diskriminimit.
“Bashkimi Europian është mjaft i shqetësuar për ndikimin që ngërçi politik ka në funksionimin e institucionit të Avokatit të Popullit”, thuhej në një deklaratë të bërë publike sot nga zyra e shtypit e Delegacionit të BE në Tiranë, deklaratë e cila ndryshe nga herët e tjera adresonte kësaj rradhe vetëm cështjen e të drejtave të njeriut.
“Ngërçi politik nuk duhet të pengojë miratimin nga ana e Parlamentit të reformave dhe masave që janë në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, thuhej gjithashtu në deklaratën për shtyp.
BE u bëri gjithashtu thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masat e nevojshme për të garantuar vënien në zbatim ashtu siç duhet të Ligjit Kundër Diskriminimit të miratuar nga Parlamenti në shkurt të vitit 2010, përfshirë këtu edhe mbështetjen me burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Vlerësime pozitive jep BE ndërkohë për punën e organizatave të shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërkohë që në deklaratë i kujtohet Shqipërisë kushti themelor i integrimit në BE, që është respektimi i të drejtave të njeriut.
Institucioni i Avokatit të Popullit është drejtuar deri para disa muajve nga z. Ermir Dobjani të cilit i mbaroi mandati. Që nga ajo kohë Kuvendi ende nuk ka zgjedhur kreun e ri të këtij institucioni të pavarur gjë që ka shkaktuar probleme në eficencën e punës. Ndërkohë, pas miratimit të Ligjit Kundër Diskriminimit, Kuvendo zgjodhi si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj. Irma Baraku por në buxhetin e shtetit institucionit që ajo drejton i janë alokuar fonde jashtëzakonisht të paprërfillshme për të realizuar sic duhet misionin e vet. /Balkan Press Network/














