PERSONAT LGBTI NË SHQIPËRI: TË DHUNUAR, TË URRYER E TË HARRUAR NGA SHTETI I TYRE!
- May 17, 2021
- crca-author
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, Ambasada PINK bën publik Raportin 10-vjeçar të shkeljeve të të drejtave të njeriut të personave LGBTI në Shqipëri. Raporti thekson se pavarësisht përmirësimeve në shumë fusha, gjendja e personave LGBTI, sidomos transgjinorëve, është tepër e rëndë dhe në shkelje të plotë të të gjitha standarteve ndërkombëtare.
Tiranë, 17 Maj 2021 – Njëmbëdhjetë vjet pas miratimit të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, personat LGBTI vazhdojnë të përballen me dhunë, diskriminim dhe krime të urrejtjes si në familje, ashtu edhe në komunitetet ku jetojnë, dhe institucionet shtetërore në nivel qëndror dhe vendor janë ende të pafuqishmë për të garantuar gëzimin e të drejtave të barabarta për personat LGBTI si të gjithë qytetarët e tjerë. Situata u rëndua akoma edhe më shumë gjatë pandemisë, ku jeta e personave transgjinorë u vendos seriozisht në rrezik për shkak të mungesës totale të të ardhurave. Qeveria nuk miratoi asnjë mbështetje të veçantë për ushqimin apo strehimin e tyre.
Një studim i Bankës Botërore e renditi Shqipërinë në vendin e parë në rajon si shteti që jo vetëm nuk pranon personat LGBTI, por që i diskriminon në shërbimet shëndetësore etj. Qëndrimet shoqërore ndaj personave LGBTI janë përgjithësisht negative dhe ndër më ekstremet në Evropë. Bazuar në një sërë raportesh të Ambasadës PINK, UNDP, Bankës Botërore etj, rezulton se:
- 94% e shqiptarëve nuk përkrahin fëmijën e tyre nëse do ta zbulonin se ai I përkiste komunitetit LGBTI
- 53 % e shqiptarëve besojnë se "homoseksualët dhe lezbiket nuk duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën ashtu siç dëshirojnë;
- 1 në 3 persona LGBTI, është viktimë e dhunës fizike në familje;
- 30 % e shqiptarëve nuk pajtohen aspak me marrëdhëniet e të njëjtit seks, shifër kjo që e rendit Shqipërinë si një prej vendeve më homofobe në rajon;
- 66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë dhe transfobinë;
- 70 % e mësuesve shqiptarë deklarojnë se nuk do ta pranonin një person LGBTI edhe sikur të ishte fëmija i tyre;
- 25 % e punonjësve të administratës shqiptare, mendojnë se personave LGBTI duhet të kenë shërbime veç personave të tjerë;
Këto shifra vijnë shumë tronditëse në një realitet në të cilin personat LGBTI në Shqipëri në gjithë këto vite ndodhen vetëm në mëshirë të fati, dhe të papërfaqësuar as në ligje, as në politika mbrojtjeje dhe as ne respektimin e të drejtave të tyre.
Përballë kësaj situate, pikërisht në javën e Diversitetit, Ambasada PINK në Shqipëri, një prej përfaqësuesve të mbrotjes së të drejtave të personave LGB TI në vendin tonë prej vitesh, kërkojnë nga shteti shqiptar dhe politikëzbatuesit:
- Miratimi i ligjit për njohjen e identitetit gjinor
- Miratimi i ndryshimeve ligjore për mbrojtjen e fëmijëve interseks
- Përmirësimi i Kodit Penal për të përforcuar kriminalizimin e mëtejshëm të krimeve të urrejtjes;
- Miratimi i standarteve kombëtare të respektit për personat LGBTI në Shqipëri, sipas parimeve të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi;
- Krijimi i një programi kombëtar për përgatitjen dhe punësimin e personave transgjinor në Shqipëri;
Sot, në hapje të Festivalit të 12 të Diversitetit për të drejtat LGBTI, Ambasada PINK dhe partnerët e saj, kanë vendosur të ngrenë në mënyrë simbolike flamurin LGBTI në Sheshin Skënderbej si dhe të mbajnë Tirana Pride për të 6-in vit radhazi, ndonëse për shkak të rregullave marshimi I krenarisë nuk mund të mbahet.
Presidenti i Ambasadës PINK, Altin Hazizaj, në emër të të gjithë organizatorëve nënvizoi: “Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, Shqipëria ende vazhdon të privojë nga gëzimi i të drejtave të barabarta, të dhunojë, urrejë dhe harrojë tërësisht personat LGBTI. Personat LGBTI nuk kërkojnë asgjë më shumë, sesa të jetojnë me dinjitet dhe të respektuar, të dashurojnë të lirë si gjithë të tjerët. Të gjitha këto qëndrime dhe veprime negative duhet të na bëjnë të gjithëve me turp!”
Nën moton ‘Çojmë flamurin’’, Ambasada PINK dhe mbështetësit e komunitetit LGBTI në Shqipëri, kanë nisur të krijojnë kështu një traditë të përvitshme për të mbrojtur dhe promovuar trespektimin e të drejtave të personave lesbike, gej, biseksuale, transgjinore dhe interseks.
Përgjatë kësaj dite, Ambasada PINK, bën publik edhe Raportin 10-vjeçar të shkeljeve të të drejtave të njeriut të personave LGBTI në Shqipëri. Një studim ky i cili analizon rastet që Ambasada PINK ka trajtuar dhe thekson se pavarësisht përmirësimeve në shumë fusha, gjendja e personave LGBTI, sidomos transgjinorëve, është tepër e rëndë dhe në shkelje të plotë të të gjitha standarteve ndërkombëtare.
Për më shumë info, kontaktoni:
Ambasada PINK
E-mail: pink@pinkembassy.al
Cel: 0675002025