Prezantohet Raport i Përbashkët mbi zbatimin e Planit Kombëtar për Personat LGBTI në Shqipëri

   Për herë të parë Shqipëria analizon situatën e personave LGBTI dhe masat që ka marrë Qeveria Shqiptare në këtë drejtim

 

Qeveria Shqiptare dhe Organizatat Jofitimprurëse LGBTI kanë sjellë për herë të parë një Raport të përbashkët mbi Zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për personat LGBTI në Shqipëri për vitet 2016-2020. Raporti analizon situatën e personave LGBTI në vendin tonë, si dhe zhvillimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për ta.

Në raport vihet theksi mbi 3 themelet kryesore të Planit Kombëtar të Veprimit:

  • Korniza ligjore dhe institucionale
  • Mbrojtja nga diskriminimi dhe siguria
  • Aksesi në shërbime

Raporti tregon arritjet, sfidat dhe zbatueshmërinë e planit përgjatë dy viteve, duke evidentuar edhe aspekte ku kërkohet të forcohet puna për zbatimin e tij, apo edhe fusha ku nuk ka nisur ende puna.

Në raport jepen edhe sfidat që duhet të arrijë Qeveria Shqiptare dhe organizatat LGBTI që operojnë në vend dhe komuniteti.  Duhet ndryshuar qëndrimi negativ ndaj personave LGBTI dhe duhet punuar për ligjin për njohjen e identitetit Gjinor. Ndryshime kërkohen edhe në Kodin e Familjes për bashkëjetësën civile apo martesën civile në gjini / seks të të njëjtë. Duhet të vijojë puna në përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj përsonave LGBTI sidomos në rrjetet sociale, deputetë apo edhe zyrtarë publik, kjo mbetet ende një çështje problematike.

Punësimi i personave LGBTI, me fokus të veçantë komunitetin transgjinor është një tjetër fushë ku duhet ende punuar si dhe hartimi i protokollove të punës apo politikave të Brendshme të institucioneve për Mbrojtjen nga diskriminimi të personave LGBTI si dhe në nivel vendor nga ana e Bashkive.

Në arsim dhe shëndetësi, duhet krijuar aksesi pa përbuzje për personat LGBTI dhe shërbime shëndetësore të plota për ta.

Raporti sjell edhe fushën e strehimit social dhe të Mbrojtjes Ligjore për personat LGBTI që janë viktima të dhunës në familje dhe që nuk kanë mundësi financiare të mëbshtesin veten. Në këtë situatë ndjehet e nevojshme përmirësimi i ligjit për Azilin sipas standarteve të rekomanduara nga OKB-ja.

Në prezantimin e tij, Z. Altin Hazizaj, theksoi se “Shqipëria edhe pse ka bërë hapa seriozë, sërish duhet të punojë dhe ofrojë një shoqëri që lufton kundër të gjitha formave të diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe që siguron garantimin e të drejtave të barabarta, duke rritur aksesin në arsim, punësim, shëndetësi, strehim dhe integrim të plotë të personave LGBTI në  shoqëri”.

Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI ka si qëllim të përmirësojë kuadrin ligjor dhe institucional, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mosdiskriminimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI në përputhje me standardet ndërkombëtare. 

Në të përfshihen edhe eliminimi i të gjithë formave të diskriminimit ndaj komunitetit LGBTI. Ky plan duhet të përmirësojë aksesin në shërbimet e punësimit, edukimit, shëndetësisë, strehimit dhe sporteve për personat LGBTI, duke garantuar mundësi dhe të drejta të barabarta.

Raporti i përbashkët mbi Zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për personat LGBTI në Shqipëri  u prezantua në kuadër të Festivalit të Diversitetit në ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë nëdatë17 Maj 2018.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët