Publikohet Raporti Vjetor i Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut
- Jan 16, 2015
- Ambasada Pink
Personat LGBT raportojnë diskriminim dhe dhunë në familje, punë dhe mjedise të tjera
15 Janar 2015 – Ambasada PINK / LGBT Pro bën sot publik Raportin Vjetor të Shkeljeve të të Drejtave të personave LGBT. Raporti përmban denoncimet dhe ankesat e anëtarëve të komunitetit drejtuar organizatës, rastet e fjalimeve dhe ato të diskriminimit në media dhe për herë të parë, në të, përfshihen të gjitha rastet e kërkesave të komunitetit LGBT për tu larguar nga Shqipëria apo kërkesat e qytetarëve të huaj që kërkojnë azil në Shqipëri.
Raporti përmban 13 raste të shkeljeve dhe akteve apo fjalimeve diskriminuese, drejtuar individëve të veçantë apo edhe gjithe komunitetit LGBTI në Shqipëri si dhe organizatave që punojnë për këtë kauzë. Këtu përfshihen fjalimet e urrejtjes, i ashtu-quajturi Peticion i 57 intelektualëve “Familje e Shëndoshë, Atdhe i Shëndoshë”, si dhe deklaratat diskriminuese të disa politikanëve e personazheve publikë shqiptarë.
Ambasada PINK / LGBT Pro gjen rastin e publikimit të këtij raporti për ti bërë thirrje Qeverisë së Shqipërisë dhe veçanërisht Ministrisë së Brendshme që të bëjë më shumë punë dhe përpjekje në luftën kundër krimeve me bazë homofobinë dhe transfobinë. Pavarësisht nëse e heton motivin e krimit apo jo, Policia e Shtetit nuk publikon ende asnjë raport mbi krimet e urrejtjes, çka do të hidhte më shumë dritë mbi natyrën e problemeve sociale në Shqipëri. Nuk duhet harruar se krimet e urrejtjes ndodhin jo vetëm për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor por gjithashtu edhe për shkaqe të tjera si etnisë, racës, gjinisë, besimit fetar etj. Njohja e fenomenit, rritja e ndërgjegjësimit publik dhe marrja e masave të duhura mbi këtë problem janë disa nga hapat për zgjidhjen dhe zhdukjen e tij.
Gjithashtu, Ambasada PINK u bën thirrje qytetarëve LGBT që të raportojnë rastet e diskriminimit apo dhunës që vuajnë në familje, shkolla, shërbime apo mjedise të tjera. Ata mund të dërgojnë ankesat e tyre për raste diskriminimi pranë zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (www.kmd.al) si dhe pranë zyrës së Avokatit të Popullit, (www.avokatipopullit.gov.al). Për të raportuar rastet e shkeljeve të të drejtave të tyre pranë PINK mund të shkruajnë në adresën pinkembassy@crca.al.
Ju lutemi klikoni ketu per te lexuar raportin dhe publikojeni atë gjerësisht.