Tirana hap Festivalin e 14-të për të Drejtat LGBTI në Shqipëri, me forumin dedikuar gjuhës së urrejtjes
- May 17, 2023
- crca-author
17 Maj 2023 – Ambasada PINK Shqipëri hapi sot në mëngjes Festivalin e 14-të të Diversitetit për të Drejtat LGBTI në Shqipëri dhe siparin e aktiviteteve në kuadër të 17 Majit – Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë, Bifobisë dhe Lezbofobisë (IDAHOT), të cilat do të mbyllen me Marshimin e Krenarisë, që mbahet në 20 Maj.
Hapja e Festivalit u bë rreth orës dhjetë të mëngjesit me një Flashmob surprizë përpara Universitetit të Tiranës, nën moton: Valëvisim flamurin LGBTI, për të vazhduar një orë më pas me Forumin Kombëtar: "Së bashku kundër gjuhës dhe krimeve të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ dhe komuniteteve të tjera vulnerabël në Shqipëri".
Forumi, i cili u mbështet nga zyra e Këshillit të Europës në Tiranë dhe Bashkimi Europian, u organizua në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Krimet dhe gjuha e urrejtjes, sidomos në mediat online dhe rrjetet sociale është kthyer në një shqetësim jo vetëm për personat dhe komunitetin LGBTI, por edhe për shumë grupime të tjera shoqërore. Ajo gjithnjë e më shumë po gjen një përhapje në rrjetet sociale, duke ndikuar në krijimin e një klime ndëshkimi, paragjykimi dhe pabarazie ndërmjet njerëzve.
Në hapje të Forumit dhe në përshëndetjen e saj, znj. Denada Dibra, zv. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, evidentoi faktin që institucioni që ajo drejton, jo vetëm është në pararojoë të veprimeve dhe masave që Qeveria shqiptare ka marr në mbështetje të personave dhe komunitetit LGBTI, por nga ana tjetër kanë vendosur si prioritet që përgjatë tre-pesë viteve të ardhshme të ngrihen shërbime miqësore në bashkitë kryesore në Shqipëri.
Vjet, në kuadër të IDAHOT, Ambasada PINK dhe iSIGURT.al prezantuan publikisht platformën kombëtare për raportimin e krimeve dhe gjuhës së urrejtjes online, si një mjet në duart e qytetarëve për të kërkuar ndihmë, por edhe parandaluar krimet e urrejtjes. Në këtë kuadër Borjana Dine nga iSIGURT prezantoi të dhënat e mbledhura përgjatë vitit 2022 në lidhje me rastet e raportuara të gjuhës së urrejtjes, duke e vendosur theksin tek fakti që ajo po prek moshat më të reja, të cilat janë edhe më pak të mbrojtura. Ndërkohë që Klaudio Pulaha nga ALO116 Shqipëri dhe Olsi Sherifi nga Rromano Kham prezantuan raste specifike të gjuhës së urrejtjes kundër adoleshentëve apo portretizimit që i bën media komunitetit Rom në Shqipëri.
Në panelin e dytë të Forumit, që u fokusua në evidentimin e nismave efektive kundër gjuhës së urrejtjes, Alma Katragjini ndau me pjesmarrësit eksperiencën e Policisë së Shtetit që në bashkëpunim me organizatat LGBTI organizuan takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Policisë në dymbëdhjetë qarqe për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre mbi krimet e urrejtjes, duke ju prezantuar edhe Manualin e Policisë për Hetimin e Krimeve me Bazë Urrejtjen.
Ndërkohë që përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të të drejtave të njeriut, Robert Gajda - Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Olta Aliaj - Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Avokatit të Popullit, e vunë theksin tek nevoja për më shumë ndërgjegjësim dhe edukimin, të cilat ndikojnë në eleminimin e gjuhës së urrejtjes. Për shkak të përhapjes që ka marrë gjuha e urrejtjes online, roli i industrisë së internetit dhe komunikimit bëhet tepër i rëndësishëm sidomos në drejtim të parandalimit të krimeve. Ledina Ferhati, përfaqësuese e kompanisë ONE, ndau eksperiencat e tyre në këtë drejtim, duke nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis industrisë, organizatave dhe institucioneve shtetërore.
E ftuar e posaçme e Forumit ishte Luana Myrto, nga Ylberofilia, një ndër personat transgjinorë më të suksesshëm në Shqipëri dhe një aktiviste e patrembur për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit transgjinor. Ajo ndau me të gjithë pjesmarrësit eksperiencat e saj në përmballjen me shoqërinë, duke patur një qasje kritike ndaj institucioneve dhe policisë, të cilat duhet të bëjnë edhe më shumë për mbrojtjen e personave transgjinorë, pasi janë ata që më së shumti përballen me gjuhen dhe krimet e urrejtjes.
Forumi u ndoq nga mbi 30 pjesmarrës nga institucionet publike në Shqipëri, organizatat e shoqërisë civile si dhe përfaqësues të Ambasadave perëndimore në Shqipëri, mbështetja e të cilëve për të drejtat LGBTI është shpesh esenciale për komunitetin.
Festivali i Diversitetit, i ideuar dhe organizuar çdo vit nga Ambasada PINK dhe partnerët e saj, është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri dedikuar komunitetit LGBTI, ku ndërthurren aktivitetet ndërgjegjësuese me ato artistike apo avokuese, siç është edhe Marshimi i Krenarisë. Qëllimi i festivalit që prej vitit të parë të organizimit të tij, është të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe autoriteteve për gjendjen e të drejtave LGBTI në Shqipëri, për të ndryshuar dhe eleminuar qëndrimet negative shoqërore të lidhura me orientimin seksual dhe identitetin gjinor.