Ambasada PINK dënon sulmet kundër komunitetit LGBT në Maqedoni

30 Tetor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro në solidaritet me Rrjetin Kombëtar kundër Homofobisë dhe Transfobisë në Maqedoni dhe komunitetin LGBTI të këtij vendi, dënon ashpër sulmet në kafenenë Damar pranë Pazarit të vjetër të Shkupit gjatë festimeve për përvjetorin e dytë të hapjes së Qendrës LGBT.

Ne mbështesim organizatat LGBT në Maqedoni në kërkesën drejtuar Kryeministrit të Maqedonisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Brendshëm për të adrresuar dhunën kundër komunitetit LGBT dhe mbështetësve të tyre. Ne dëshirojmë të ndërgjegjësojmë opinionin publik në Maqedoni dhe vendet e rajonit për rastet e shumta të pazgjidhura të dhunës dhe kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI.

Në 23 Tetor 2014, rreth orës 9:30 të mbrëmjes një grup prej rreth 30 të rinjsh u afruan nga dy kënde të ndryshme, drejt kafenesë Damar ku organizata LGBT Support Centre – Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut po festonte përvjetorin e saj të dytë. Me kapuçë në kokë për të mos u njohur dhe të pajisur me shishe të thyera dhe objekte të tjera, grupi sulmoi kafenenë brenda pak minutash dhe u larguan sërish në rrugicat e ngushta. Gjatë kohës së incidentit rreth 60 persona po ndiqnin festimet në kafene, ndërkohë që dy të rinj, një vajzë dhe një djalë, ishin në hyrje të kafenesë. Ata u sulmuan nga grupi kriminal me shishe dhe pësuan dëmtime në trup dhe kokë. Gjatë incidentit sulmuesit u thanë viktimave se pederat nuk ishin të mirëpritur aty. Mjaft njerëz që ndodheshin në bar gjatë incidentit  u dëmtuan nga shishet e hedhura drejt lokalit.

Ne jemi të vetëdijshëm se ky është sulmi i gjashtë kundër Qendrës LGBTI dhe aktiviteteve të saj gjatë dy viteve ekzistencë, tre nga të cilat kanë qenë sulme me gurë (dy gjatë aktiviteteve publike në të cilat qendra kishte mysafirë) dhe tre të tjera kanë qenë përpjekje për ti vënë zjarrin qendrës. Me përjashtim të sulmit në qendrën LGBTI të datës 02.03.2013 i cili ishte pjesë e një proteste masive multi-etnike, hetimet për rastet e tjera kanë mbetur të pazgjidhura.

Për këtë arsye, organizatat LGBT në Maqedoni i drejtojnë Qeverisë së Maqedonisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorit të Përgjithshëm këto kërkesa:

  1. Të dënohen publikisht sulmet homofobike kundër personave LGBTI në Maqedoni;
  2. Zgjidhje të shpejtë të rasteve të sipër-përmendura, identifikim të sulmuesve dhe një gjykim efiçent për rastet e dhunës dhe diskriminimit racial dhe abuzimit kundër organizatave dhe individëve që punojnë për promovimin e barazisë për të gjithë njerëzit;
  3. Zgjidhjen, identifikimin dhe gjykimin e shkaktarëve të sulmeve të shkuara kundër Qendrës LGBT pranë Pazarit të Vjetër të Shkupit.
  4. Nisjen e hetimeve për fjalimet e urrjetjes të kryer nëpër mediat sociale si dhe për nxitjen e dhunës dhe urrejtjes, mospajtimit dhe intolerancës për shkak të kombësisë, besimit fetar apo përkatësive të tjera. Ky problem është shfaqur edhe në mediat e tjera që kanë publikuar gjerësisht fjalimet urrejtje dhe kanë bërë thirrje për dhunë kundër personave LGBT sidomos në periudhën përpara eventeve.

Drejtësi për të gjithë. Të ndryshëm. Të barabartë. Të lirë.

Mbështetësit Dhe Partnerët