Ambasada PINK dhe CRCA Shqipëri organizojnë workshop mbi qasjet e reja kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit
- Oct 31, 2025
- crca-author
Tiranë, 30 tetor 2025 – Ambasada PINK Shqipëri dhe CRCA Shqipëri, me mbështetjen e Këshilli i Europës, organizuan workshop-in me temë: “Eksplorimi i qasjeve dhe narrativave të reja për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin ndaj personave LGBTIQ+ dhe grupeve të tjera vulnerabël në Shqipëri.”
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të të drejtave të njeriut, si dhe anëtarë të komuniteteve LGBTIQ+, të grave, komunitetit Rom dhe Egjiptian dhe personave me aftësi të kufizuara. Qëllimi i takimit ishte reflektimi i përbashkët mbi mënyrat më efektive për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, pa urrejtje dhe diskriminim.
Gjatë workshop-it u trajtuan çështje kyçe që lidhen me përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, veçanërisht në platformat dixhitale dhe mediat tradicionale. Diskutimet u fokusuan gjithashtu në detyrimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor, si dhe mekanizmat ligjorë dhe shoqërorë për adresimin efektiv të këtyre fenomeneve.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zhvillimit të narrativave pozitive dhe gjithëpërfshirëse, që promovojnë respektin, pranimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U nënvizua gjithashtu se vitet e fundit është vërejtur një rritje e sulmeve ndaj organizatave LGBTIQ+, organizatave për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, kryesisht nga lëvizje kundër të drejtave dhe anti-gjinore, çka po ndikon drejtpërdrejt në hapësirën e shoqërisë civile, lirinë e shprehjes dhe diskursin demokratik në vend.
Në përfundim të takimit u prezantuan një sërë rekomandimesh konkrete për përmirësimin e politikave dhe praktikave në parandalimin e gjuhës së urrejtjes, duke përfshirë forcimin e etikës në komunikim, përmirësimin e komunikimit publik dhe mediatik, si dhe promovimin e respektit për diversitetin.
Ky workshop përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta të Ambasadës PINK dhe CRCA Shqipëri për avancimin e të drejtave të njeriut, barazisë dhe tolerancës në Shqipëri, në përputhje me standardet europiane.














