Ambasada PINK: Personat LGBTI në Shqipëri të gëzojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve!

   Shqipëria, vijon të diskriminojë haptazi personat LGBTI nga barazia në bashkëjetësë dhe martesë

 

Tiranë, 21 Shtator 2020 – Ambasada PINK në Shqipëri, kërkoi zyrtarisht që personat LGBTI të gëzojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve dhe barazisë në martesë. Nisur nga propozimet që Ministria e Drejtësisë ka paraqitur për konsultim së fundi për disa ndryshime dhe përmirësime në ligjin për birësimet dhe në Kodin e Familjes, Ambasada PINK kërkoi që ndryshimet e propozuara të eleminojnë diskriminimin e hapur që iu bëhet personave LGBTI, si në Ligjin e Birësimeve ashtu edhe në Kodin e Familjes. 

Pavarësisht kërkesave të brendshme dhe presionit ndërkombëtar që Shqipëria të garantojë barazinë në martesë dhe përgjegjësitë që vijnë me të, vendi ynë vijon të diskriminojë haptazi personat LGBTI nga e drejta për të njohur ligjërisht marrëdhëniet apo familjet e tyre, për t’u kujdesur për fëmijët e tyre apo për të birësuar. Sot në Europë 26 Shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë: 14 shtete zyrtarisht njohin barazinë në martesën civile në seks të njëjtë dhe 12 të tjera njohin bashkëjetesën civile.

Paragjykimet shoqërore për martesën në Shqipëri janë të ngulitura thellë edhe në ato pak ligje që kanë mbetur e që janë haptazi diskriminuese ndaj personave LGBTI.

Ministria e Dejtësisë prej disa javësh ka hapur procesin e konsultimit publik për dy ligje të rëndësishme që kanë të bëjën me familjen, atë të birësimit të fëmijëve dhe vetë kodin e familjes. Ambasada PINK është e vetmja organizatë që prej vitit 2010, që ka kërkuar dhe avokuar çdo vit për barazinë në martesë për personat LGBTI në Shqipëri.

Gjatë takimit të fundit konsultues që u zhvillua midis përfaqësuesve të ministrive dhe OSHC-ve, Ambasada PINK paraqiti publikisht kërkesën e saj për eleminimin e të gjitha barrierave apo edhe atrificave ligjore që ligji shqiptar vijojnë të mbajë vetëm ndaj personave LGBTI.  Në 15 shtator 2020, në takimin e radhës konsultues lidhur me ndryshimet në Ligjin e Birësimeve dhe Kodin e Familjes, I mbajtur në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, Ambasada PINK ftoi të gjitha institucionet publike duke kërkuar eleminimin e diskriminimi në të drejtën për bashkëjetesë dhe martesë brenda së njejtës gjini.

Pavarësisht se Shqipëria vijon të bëjë përparime në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTI, paragjykimet, diskriminimi dhe dhuna janë prezente në jetën e tyre. Një sërë studimesh tregojnë se qëndrimet shoqërore ndaj komunitetit LGBTI janë përgjithësisht negative dhe ndër më të pafavorshmet në Evropë.

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Ambasada PINK Shqipëri

pink@pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët