Ambasada PINK prezantohet në konferencën rajonale të BE: Personat LGBT jo viktima!

21 Nëntor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri ndoqi me vëmendje dhe mori pjesë në diskutimet e zhvilluara ditën e sotme në konferencën rajonale “Të drejtat themelore, mos-diskriminimi dhe mbrojtja e grupeve vulnerabël, përfshi personat LGBT” mbajtur sot në Tiranë me organizim të Parlamentit Europian, Presidencës Italiane të Këshilit të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian.

Konferenca u mirëprit nga figura të rëndësishme të politikës shqiptare si Z. Ilir Meta, Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë dhe Z. Niko Peleshi, Zv. Kryeministër i Shqipërisë dhe u ndoq nga deputetë të Parlamenteve të të gjitha vendeve kandidate dhe atyre që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian: Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Herzegovina, Serbia dhe Turqia.

Në komentet e tyre drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar dërguan mesazhe të rëndësishme në luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut përfshi edhe komunitetin LGBT.

Në fjalën e tij Z. Ilir Meta u shpreh: “Barazimi dhe mosdiskriminimi janë parime themelore të Kushtetutës. Aksioni ynë i përbashkët do bëhet efikas falë agjendës së veprimit europian. Shqipëria ka hedhur disa hapa të rëndësishëm në mbrojtjen e te drejtave themelore, ku parimi i gjithëpërfshirjes ka një rëndësi të veçantë. Ngritja e disa nënkomisioneve dhe grupeve parlamentare për mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve, komuniteteve vunerabël, përfshirë dhe LGBT-në. Ky i fundit ka bërë përparim”

Ndërkohë Z. Niko Peleshi si numri dy i ekzekutivit shqiptar dërgoi mesazhe të forta inkurajuese për punën e vështirë por të drejtë në mbrojtje të personave LGBTI. Konkretisht ai dha mesazhe shumë të qarta kundër diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në vend. Ai u shpreh ndër të tjera se diskriminimi e ka burimin te padija dhe paragjykimi që sjell dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Me tej ai shtoi se: “Shqiptarët kanë disa përparësi në këtë drejtim me respektimin e minoriteteve dhe harmoninë fetare që ekziston në vend, që ndikon në respektimin e të drejtave të njeriut. Në këtë drejtim ka disa sfida për të përballuar”.

Zëvendëskryeministri deklaroi se qeveria ka punuar për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut, dhe se organizatat LGBT në Shqipëri punojnë çdo ditë për përmirësimin e jetës së këtij komuniteti:

 “Një nga sukseset e mbrojtjes është krijimi i suksesit koordinues mes qeverisë dhe organizatës për veprime të përbashkëta për këtë komunitet. Debatet mediatike, përmirësimi i legjislacionit dhe ndërgjegjësimi publik, janë hapat e ndërmarrë që nuk kanë të krahasuar me ato të viteve më parë”.

Disa nga hapat dhe konsideratat e ndërmarra nga qeveria kundër diskriminimit dhe respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT janë:

  • Të drejtat e këtij komuniteti, janë të drejtat e njeriut:
  • Gjendja e te drejtave të njeriut,  janë barometri i shoqërisë sonë:
  • Jemi fokusuar në vazhdimin e punës për mos shkeljen e të drejtave, me krijimin e  aksesit në arsim dhe punësim:
  • Përmirësim legjislacioni me frymën e Konventës së të Drejtave të Njeriut:
  • Qasja e dialogut të vazhdueshëm dhe veprimeve me shoqërinë civile:

Në përfundim, Peleshi tha se Plani i Veprimit për këtë komuniteti është një hap kryesor dhe i sigurt drejt një realiteti me më pak diskriminim dhe më shumë respekt për të drejtat e njeriut.

Ndërkaq përfaqësuesi i Ambasadës PINK, Z. Amarildo Fecanji vuri theksin tek disa nga sfidat më të mëdha që ekzistojnë për implementimin e ligjit anti-diskriminim dhe ndërmarrjen e hapave pozitivë në mbrojtje të komunitetit të tilla si avancimi i të drejtave në fushën e arsimit, punësimit, shërbimeve etj. Më poshtë mund të gjeni fjalimin e plotë.

Konferenca vuri në dukje disa nga sfidat që ekzistojnë në lidhje me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave LGBT në Shqipëri dhe rajon. Problem madhor në këtë kuptim mbetet implementimi i dobët i ligjeve shumë të mira si dhe homofobia dhe transfobia e madhe. Kjo konferencë gjithashtu ishte një sinjal i fuqishëm për rëndësinë e madhe që Bashkimi Europian i jep të drejtave të njeriut përfshi edhe ato LGBT. Kështu, për Shqipërinë dhe vendet e rajonit integrimi europian mbetet një promotor i rëndësishëm i përparimit të këtyre të drejtave. 

<< Klikoni ketu per te lexuar fjalimin e plote >>

Mbështetësit Dhe Partnerët