Ambasada PINK prezanton bizneset miqësore ndaj komunitetit LGBT

7 Prill 2014 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri, prej disa javësh ka lançuar faqen më të re me tematikë LGBT në vend, www.lgbtravelalbania.com . Me mbështetjen e projektit LGBT të Këshillit të Europës, me pjesëmarrjen e organizatave LGBT në vend dhe e përkrahur nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, faqja synon të jetë një nga burimet kryesore të informacionit për vizitorët LGBT të huaj dhe shqiptarë.

E ndërtuar për të qenë sa më e lehtë dhe praktike faqja ka dy audienca kryesore: të parët janë bizneset, aktivitetet e ndryshme publike dhe private të cilat janë miqësore, jo-diskriminuese dhe përkrahëse ndaj personave LGBT, dhe të dytët janë vetë personat LGBT, shqiptarë dhe të huaj të cilët duan të udhëtojnë në destinacione të sigurta dhe të përdorin shërbime jo-diskriminuese ndaj tyre.

Edhe pse Shqipëria është shumë larg të qenurit një destinacion favorit për personat LGBT, për arsye të tilla si infrastrukturë e dobët dhe mungesë e destinacioneve tradicionale për këtë komunitet, dhe me bindjen se çdo shtet, qytet dhe fshat i botës duhet të jetë i sigurtë dhe miqësor ndaj personave LGBT, Ambasada PINK ka menduar krijimin e kësaj faqeje si eksplorim i një terreni të ri prej nga mund të avancohen të drejtat LGBT.

Shërbimet miqësore lidhen me të ndierit të pranuar, të vlerësuar dhe të lirë për tu prezantuar vetëm apo së bashku me partnerët si persona LGBT. Punësimi, një tjetër fushë shumë domethënëse për personat LGBT, mund të jetë një tjetër opsion pozitiv përmes kësaj faqe.

Ndërkohë, www.lgbtravelalbania.com nuk synon të japë perceptimin e gabuar se të drejtat LGBT janë plotësisht të respektuara apo se komuniteti LGBT është plotësisht i integruar në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht historive të ndryshme të suksesit dhe arritjeve domethënëse të lëvizjes LGBT, komuniteti vazhdon të jetë në pjesën më të madhe i fshehur pas kornizës heteronormative dhe vizibiliteti i tyre mbetet shumë i ulët. 

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri fton të gjitha bizneset, zyrat ligjore, klinikat dhe institucionet e ndryshme private apo publike që të rregjistrojnë aktivitetin e tyre në këtë faqe dhe të jenë kështu një derë e hapur edhe për qytetarët lgbt. Gjithashtu, PINK fton Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Dhomat e Tregtisë dhe Bashkitë e vendit që të mbështesin dhe promovojnë këtë portal si një hap i mëtejshëm drejt garantimit të barazisë dhe trajtimit miqësor, dinjitoz dhe të qytetëruar të vizitorëve LGBT shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu, PINK fton komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri që të promovojnë këtë portal me bizneset e huaja të pranishme në Shqipëri.

Koncepti bazë i krijimit të kësaj faqe është besimi se të gjithë qytetarët, shqiptarë apo të huaj, duhet të trajtohen me respekt, në mënyrë jo-paragjykuese dhe në përputhje me rregullat dhe normat e një shoqërie të qytetëruar nga çfarëdolloj biznesi apo industrie. Ndërkohë që koncepti gay-friendly është një term më shumë amerikan sesa shqiptar, ai përputhet plotësisht me ato që mund të njihen si nevojat bazë të personave LGBT për të mos u ndier të diskriminuar apo të përjashtuar për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor.

Mbështetësit Dhe Partnerët