Ambasada PINK prezanton podcastin e saj të parë në Festivalin e 11-të të Diversitetit LGBTI

Me mbështetjen e Këshillit të Europës, podcasti ka si qëllim të parandalojë gjuhën dhe krimet e urrejtjes ndaj personnave LGBTI në Shqipëri

 

Tiranë, 18 Maj 2021 – Për herë të parë, në kuadër të javës së Diversitetit, Ambasada PINK realizon një podcast mbi personat LGBTI në Shqipëri dhe mbrojtjen e tyre nga krimet e urrejtjes. Me mbështetjen e Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Ambasada PINK përgatiti dhe solli për të gjithë të interesuarit podcastin “Mbrojtja e Personave LGBTI nga gjuha dhe krimet e urrejtjes”. Podcast trajton ndër të tjera konceptet LGBTI si dhe çështjen shqetësuese të gjuhës dhe krimeve të urrejtjes ndaj personave LGBTI.

Podcasti pati disa të ftuar, një prej të cilëve ishte edhe Luana, nje pjestare e komunitetit transgjinor në Tiranë. Ajo sjell në podcast historinë dhe përballjet e saj në të gjitha mjediset ku ajo jeton, arsimohet, punon e dëfrehet. Luana, në këtë podcast jep edhe mesazhin e saj, drejtuar të gjithë personave LGBTI, duke kërkuar kryesisht vëmendje të shtuar nga të gjitha institucionet shtetërore për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat e personave trangjinorë, që çdo ditë provojnë dhunën dhe krimet.

Pavarësisht se Shqipëria prej vitesh ka bërë përparime në drejtim të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTI, ata sërish vijojnë të vuajnë paragjykimet, diskriminimin dhe dhunën. Qëndrimet shoqërore ndaj komunitetit LGBTI janë përgjithësisht negative, pavarësisht se shumë koncepte dhe qasje kanë ndryshuar me kohën.

Presidenti i Ambasadës PINK, Altin Hazizaj, u fokusua në qendrimet rreth identitetit gjinor dhe orientimit seksual, e si kanë ndryshuar ato me kohë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. solli një tablo të situatës në të cilën ndodhet Shqipëria dhe hapat janë bërë për të mbrojtur personat LGBTI nga krimet e urrejtjes dhe diskriminimi.

Një ndër problemet më të rëndësishme që podcast prek është dhuna apo trajtimi joprofesional që personat LGBTI ndeshin në kontaktet e tyre me punonjësit e policisë. Alma Katragjini, solli një tablo të trajnimeve dhe eksperiencave që punonjësit e policisë tashmë kanë krijuar me personat LGBTI. Ajo trajtoi edhe nismat që janë duke u ndërmarrë për të mbrotjur dhe për t’i dhënë ndihmë personave LGBTI, kur ata vendosen në kontakt me policinë.

Podcasti “Të papranuar”, pati si qëllim që jo vetëm të nxisë njohjen dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë për të drejtat e personave LGBTI, por edhe të shtojë gamën e informacionit për adoleshentët, mësuesit, prindërit dhe komunitetet anembanë Shqipeërisë. Gjithashtu podcast sjell informacion për çdo person LGBTI se ku mund të ankohet dhe cilat janë institucionet që e kanë për detyrë t’i mbrojnë and ndihmojnë gjatë denoncimit të krimeve të urrejtjes.

 

Podcastin mund ta gjeni të plotë në këtë lidhje:  https://youtu.be/1-C40mrG37s

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Ambasada PINK Shqipëri

E-mail: pink@pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët