Ambasada PINK Shqipëri merr pjesë në Forumin Europian IDAHOT+ 2026 në Kopenhagen

19 Maj 2026, Kopenhagen, Danimarkë – Ambasada PINK Shqipëri po merr pjesë në edicionin e 13-të të Forumit Europian IDAHOT+ 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme europiane për të drejtat e personave LGBTIQ+, që po zhvillohet në Kopenhagen, Danimarkë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, Transfobisë dhe Interseksfobisë (IDAHOT+).

Nën temën kryesore "Përpara për Progres" forumi mbledh përfaqësues të qeverive, institucioneve europiane, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile nga e gjithë Europa për të diskutuar mbi sfidat aktuale dhe avancimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ në një periudhë kur shumë vende po përballen me rritje të gjuhës së urrejtjes, polarizimit dhe narrativave anti-LGBTIQ+.

Pjesëmarrja e Ambasadës PINK Shqipëri në këtë forum përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të sjellë në vëmendje zhvillimet dhe sfidat që lidhen me të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ në Shqipëri, si dhe nevojën për të forcuar mbrojtjen nga diskriminimi, dhuna dhe përjashtimi social, si online ashtu edhe offline.

Diskutimet e forumit fokusohen tek forcimi i politikave publike për barazi, mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, lufta kundër diskriminimit dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile për të garantuar shoqëri më të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për personat LGBTIQ+.

Ambasada PINK Shqipëri rithekson se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave LGBTIQ+ mbetet një pjesë thelbësore e procesit demokratik dhe e integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të standardeve të të drejtave të njeriut dhe detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Mbështetësit Dhe Partnerët