Diskutohen sfidat e diskriminimit. PINK:Duhen rezultate konkrete

Diskutohen në Tiranë sfidat kundër diskriminimit. PINK: Tani duhen rezultate konkrete.

LGBT PRO/Ambasada PINK diskutuan sot paradite gjatë një konference të organizuar nga qeveria në bashkëpunim me PNUD disa nga sfidat me të cilat duhet të përballet Shqipëria për të luftuar diskriminimin.

Një vit pas miratimit të ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi Shqipërisë i duhen tashmë rezultate konkrete në këtë luftë.

Në emër të LGBT PRO/Ambasadës PINK, Kristi Pinderi kërkoi që të bëhet më shumë në lidhje me informimin dhe edukimin e të gjithë qytarëve mbi ekzistencën e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe mbi mënyrat se si ata mund të kenë akses në të. ”Duke filluar nga sqarimi i disa pyetjeve fillestare që duken detaje por që në fakt janë jetësore për ta shndërruar këtë ligj në një histori suksesi”, tha Pinderi, ”si për shembull:

Ku ndodhet institucioni i Komisioneres?

Nëse shkoj atje, a do të më pranojnë?

Sa do të zgjasë procedura e ankimimit?

A mund ta shkarkoj nga interneti një formular ankimimi?

A më duhet të kem një dokumentacion për ta paraqitur?

A më duhet të paguaj ndonjë tarifë për këtë shërbim?

Cfarë shansesh kam për të përfituar nga ky ligj?”, etj.

Mungon informacioni rreth këtij ligji sidomos në institucionet arsimore.
Edhe nxënësit e shkollave, edhe studentët duhet të kenë njohuri mbi ligjin. Një pjesë e mirë e komunitetit LGBT ndjen diskriminim në shkolla e në institucionet arsimore. Shumë shpesh raportohen raste diskriminimi edhe nga vetë mësuesit. Psikologët e shkollave duhet të kenë gjithashtu njohuri rreth këtij ligji dhe të dine se ku ti orientojnë të rinjte e diskriminimuar.

Në këtë konferencë ku ishte i pranishëm Ministri z. Spiro Ksera, komisionerja znj. Irma Baraku, zvministrja e Brendshme znj. Iva Zajmi (E Brendshme), zv/ministrja e Drejtesise znj. Brikena Kasmi, Zvministrja e  Punës, Cështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta znj. Filloreta Kodra, përfaqësues të shoqërisë civile, të PNUD e organizatave të tjera ndërkombëtare etj. Ishte i pranishëm edhe deputeti Tritan Shehu, ndaj të cilit Ambasada PINK ka nënshkruar zyrtarisht ankesën e parë për shkak se pretendon që z. Shehu ka konsumuar diskriminim ndaj komunitetit LGBT. 

Për këtë cështje, Pinderi vlerësoi rolin e komisioneres znj. Baraku dhe tha: ”ne pamë me optimizëm angazhimin serioz të komisioneres për të hedhur hapat e duhur në ndjekjen e kësaj ceshtje. Por i akuzuari u mbrojt përmes imunitetit si deputet i këtij vendi. Vetëm ky rast i parë hedh për diskutim një sërë pyetjesh e tezash diskutimi analizimi i të cilave do të ndihmonin në krijimin e një mendimi juridik të plotë rreth zbatueshmërisë së ligjit. Këto diskutime mund të zgjeroheshin edhe në auditoret e studentëve atje ku një brez i ri juristësh po formohet”.

Duke folur për fjalimet e politikanëve që frymëzojnë urrejtje, Pinderi theksoi se Ligji Kundër Diskriminimit do të gjente një terren më të lehtë për tu zbatuar nëse Shqipëria do të amendonte edhe Kodin Penal në atë mënyrë që të prezantonte në vend edhe një legjislacion të mirëfilltë kundër krimeve me bazë urrejtjen dhe kundër fjalimeve që frymëzojnë urrejtje dhe diskriminim.

Duke folur specifikisht për komunitetin e gejve, lezbikeve, biseksualëve e transgjinorëve, përfaqësuesi i PINK vuri në dukje mungesën e politikave konkrete kundër diskriminimit të LGBT në institucionet publike dhe qeveritare, vendore dhe qendrore. ”Edhe kur Ambasada PINK artikulon me zë të lartë në evente të tilla të drejtat e LGBT njerëzit mbledhin supet të intimiduar e sëkëlldisen a thua se po flet për ndonjë realitet jashtëtokësor”, tha Pinderi.

Ai pyeti përfaqësuesit e qeverisë të pranishëm në këtë konferencë se: ”Cilat janë masat që shteti shqiptar ka ndërmarrë për të luftuar diskriminimin e komunitetit LGBT në institucionet arsimore, shëndetësore, në polici, në administratën publike, në ushtri, apo kudo ku një pjesëtar i këtij komuniteti do të ndihej i diskriminuar për shkak të orientimit seksual dhe/apo identitetit gjinor?”

Ambasada PINK, vlerësoi pozitivisht punën e Komisioneres Kundër Diskriminimit por theksoi se kërkohet përmirësimi i disa praktikave të punës së përditshme. Kërkohet profesionalizëm gjatë fazës së intervistimit e të mbledhjes së informacioneve nga ana e punonjësve kundër diskriminimit.

Nuk mund të intervistohet askush në një ambient ku ndodhen, në të njëjtin moment edhe 7 punonjës të tjerë, per shembull. Kjo ka rëndësi sidomos për faktin se komuniteti LGBT e ka shumë të vështirë të drejtohet në institucionet publike apo shtetërore e të denoncojë një akt diskriminimi pasi që ta bëjë këtë kërkohet që të deklarojë në një mënyrë ose në tjetrën orientimin e vet seksual, gjë që është pafund e vështirë për këdo.

Per me shume informacion vizitoni www.pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët