Ekspozita: Të jesh Transgjinor në Shqipëri!

Being trans in Albania. Te jesh trans ne Shqiperi

Të jesh transgjinor është të jesh i burgosur i ndërgjegjes!

 

Nga: Altin Hazizaj

 

Të jesh transgjinor në Shqipëri nuk ka qenë kurrë e lehtë! Njëherë e një kohë vrasja e tyre pranohej si "normale", në ditët e sotme prostitucioni i tyre për mbijetesë konsiderohet si një normë. Shpesh, e kam pyetur veten, si është të jesh transgjinor dhe të jetosh nën lëkurën e tyre? Të shohësh botën që ata shohin! Të takosh njerëzit që ata takojnë! Të ëndërrosh…

Po, po, të ëndërrosh!

Të ëndërrosh që një ditë familja do të të dojë për atë që je! Për atë bukuri të brendshme dhe të jashtme që vjen me çdo qenie njerëzore dhe që ndryshimi e bën atë edhe më rrezatues.

Të ëndërrosh që fqinji nuk do të të shtyjë poshtë shkallëve duke të thënë që nuk dëshiron të të shoh më gjallë.

Të ëndërrosh për një arsim më të mirë dhe për një mësues tjetër, sepse ai që kishe, nuk pati kurrë mirësinë të të mësonte një shkronjë ose një formulë të matematikës! Ishin ata që të lanë në bangën e fundit të klasës dhe kurrë nuk përmendën më as emrin tënd!

Të ëndërrosh për një punë të denjë që mund të paguajë për shtëpinë me qira, ushqim dhe veshje të reja, por kjo nuk ndodhi kurrë, sepse askush nuk guxon të punësojë një person trans ... ata e dinë që klientët e tyre do t'ju trajtojnë si të ishit një specie tjetër.

Ka kaq shumë urrejtje, kaq shumë përjashtim, kaq shumë refuzim, kaq shumë nga kjo dhe ajo. Duket sikur e keqja nuk mbarron asnjëherë!

Megjithatë, ju kurrë nuk hiqni dorë nga ëndrrat tuaja: të jesh regjisor filmi, të jesh shkrimtar, të jesh mësues, të jesh student dhe i diplomuar Universiteti, të kesh familjen tënde! Mbi të gjitha, a nuk është e vërtetë se ëndrrat nuk vdesin kurrë?!

Me kaq shumë ëndrra në mendje, përgatitëm edhe ne këtë ekspozitë! Së bashku me katër nga transgjinorët më të talentuar, më të komunikueshëm, më provokues dhe më ëndërrimtarë: Luana, Lola, Amelia dhe Denisa! Ata u bashkuan me ne në një udhëtim drejt burgut më famëkeq të ish-komunizmit, atë të Spaçit, ku para shembjes së sistemit, të paktën 2000 njerëz ishin burgosur aty për arsye politike, shumica e tyre sepse kishin folur hapur dhe pa frikë kundër atij regjimi të tmerrshëm që dehumanizonte qenien njerëzore deri në shkatërrim.

Në këtë sfond, ne ndërtuam konceptin e ekspozitës së parë të personave transgjinorë në Shqipëri. Të katërt vendosën të vesheshin secili sipas mënyrës që ata zgjodhin, nga veshjet më personale, te veshja ushtarake dhe së fundmi tek kostumet e bukura kombëtare të Shqipërisë, nga Mirditë, Tirana, Berati dhe Korça.

Ne ishim me fat që Gent Shkullaku, një fotograf jashtëzakonisht i talentuar dhe me përvojë, u bashkua me ekipin tone, ndonëse e njoftuam shumë  vonë. Ai bëri atë që di të bëjë më mirë, një fotografi të bukur dhe disa planëshe, që vendos në qendër si hapësirën historike të ish-burgut (tani muze) ashtu edhe personazhin që fotografohet.

Të jesh transgjinor është të jesh i burgosur i ndërgjegjes! Ju jeni ai person që shoqëria nuk e pranon! Ai person që familja, shoqëria dhe shteti i mohojnë ekzistencën e të pasurit të një gjinie të ndryshme, sikur gjinia të jetë një medalje që nuk ia japin të gjithëve.

Ne sot e sfidojmë këtë realitet! Të jesh transgjinor do të thotë të jesh vetvetja! Dhe kjo është një e drejtë që jo vetëm duhet mbrojtur por edhe garantuar me çdo mjet të mundshëm. Nëse ka një gjë, që kjo ekspozitë kërkon, është vetëm një: Respektim dhe njohje të identitetit gjinor!

Ekspozita mbështetet nga Njesia e Orientimit Seksual dhe Identitetit Gjinor e Këshillit të Europës. Një koktej modest do të shoqërojë të gjithë mbrëmjen e ekzpozitës.

Ekspozita “Të jesh Transgjinor në Shqipëri” e Ambasadës PINK Shqipëri, 20-24 Maj 2021, Galeria e Artit “Zeta”.

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Ambasada PINK Shqipëri

pink@pinkembassy.al

 

Mbështetësit Dhe Partnerët