Festivali i 17-të i Diversitetit hapet me Dialogun e Nivelit të Lartë mbi Piketat e Ndërmjetme të BE-së dhe të Drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri
- May 17, 2026
- crca-author
Tiranë, 14 Maj 2026 – Ambasada PINK Shqipëri dhe partnerët e saj hapën zyrtarisht edicionin e 17-të të Festivalit të Diversitetit, platforma më e madhe kombëtare në Shqipëri për promovimin e barazisë, diversitetit dhe respektit për personat LGBTIQ+, duke e lidhur këtë vit festivalin me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Në kuadër të Festivalit dhe aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), Ambasada PINK Shqipëri organizoi në 14 Maj 2026 në Tiranë Dialogun e Nivelit të Lartë: Piketat e ndërmjetme të BE-së dhe të drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri, në partneritet me Njesinë e Orientimit Seksual, Identitetit dhe Shprehive Gjinore dhe Karakteristikave Seksuale (SOGIESC) të Këshillit të Europës.
Aktiviteti zhvillohet në një moment të rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku progresi në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht Kapitujt 23 dhe 24, mbetet vendimtar për avancimin e negociatave me BE-në.
Dialogu mblodhi së bashku përfaqësues kryesorë të Qeverisë shqiptare, të Kuvendit, institucioneve të pavarura, organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut për të diskutuar progresin e Shqipërisë dhe sfidat që mbeten në përmbushjen e piketave të ndërmjetme të BE-së për të drejtat themelore dhe mosdiskriminimin.
Takimi u hap me prezantimin e gjetjet kryesore të raportit të ri të Ambasada PINK: “Piketat e ndërmjetme të BE-së dhe të drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri”, i cili analizon progresin e Shqipërisë në fusha si mbrojtja nga diskriminimi, lufta kundër gjuhës dhe krimeve të urrejtjes, aksesi në drejtësi, llogaridhënia institucionale dhe mbrojtja e lirive themelore.
Festivali i Diversitetit dhe aktivitetet e IDAHOT këtë vit synojnë jo vetëm të festojnë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen, por edhe të forcojnë mesazhin se barazia, dinjiteti dhe mbrojtja nga diskriminimi janë vlera themelore europiane dhe pjesë e pandashme e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Për më shumë info, kontakto:
Ambasada PINK Shqipëri
Email: pink@pinkembassy.al













