- Shqip
- English
Hapet Ambasada Pink
- Jan 20, 2010
- Ambasada Pink
Komuniteti LGBT (lezbike, gej, biseksuale dhe transgjinore) do të ketë tashmë një vend të sigurt që quhet Ambasada PINK e që përvecse një vend i sigurt për këtë komunitet do të jetë edhe një instrument për të emancipuar shoqërinë shqiptare në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.
Ambasada PINK (Pink Embassy) u prezantua me 5 tetor para pjesëtarëve të komunitetit LGBT, përfaqësuesve të shoqërisë civile, të Trupit Diplomatik, të institucioneve publike etj, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e hotel Tirana International.
Ambasada PINK (Pink Embassy) financohet nga qeveria e Hollandës përmes programit MATRA dhe zbatohet përmes një partneriteti mes CRCA/DCI Albania, COC Netherlands dhe LGBT PRO Albania.
Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulta z. Henk G.C. Van Den Dool i pranishëm në këtë event u shpreh gjatë një fjalimi se do të kishte dashur që një ambasadë e tillë të mos ishte e nevojshme të hapej por realiteti shqiptar e kërkon një gjë të tillë pasi, sipas tij, ka ardhur koha që të drejtat e komunitetit LGBT të respektohen e që ky komunitet të pranohet si i barabartë në shoqëri.
Gjatë ndërhyrjes së tij Ambasadori u bëri një thirrje politikanëve shqiptarë që cështjen e homoseksualizmit të mos e politizojë pasi ajo në të vërtetë, është një cështje që i përket gjithë shoqërisë e që kërkon kontributin e të gjithëve për të bërë gjithcka në mënyrë që të drejtat e njeriut të respektohen maksimalisht.
Duke bërë një veprim të pazakonshëm, z. Van Den Dool deklaroi se ai ndihej i lumtur që krahas të qënit ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri do të ishte edhe ambasador i Ambasadës PINK. Ai i dhuroi Ambasadës PINK vëllimin “Just Different. That’s all!”, një libër që flet për të gjithë procesin që i është dashur Hollandës të kalojë derisa arriti të pranonte si të barabartë në mesin e saj komunitetin LGBT.
Ambasadorë të kësaj ambasade do të jenë z. Altin Hazizaj, znj. Meri Pone, znj. Delina Fico, znj. Belioza Coku, të cilët gjatë fjalëve të tyre theksuan se është tashmë e papranueshme që të shkelen akoma të drejtat e LGBT. Znj. Pone tha se: “është totalisht jashtë logjikës njerëzore që sot në vitin 2010 të kriminalizohet ky grup njerëzish, “krimi” i vetëm i të cilëve është se dashurojnë. Të dashurosh nuk është krim!.
Altin Hazizaj u shpreh krenar që CRCA së bashku me COC Netherlands vendosën të ndërmarrin një projekt të tillë. “Eshtë e gjitha për shkak të të drejtave të njeriut”, tha Hazizaj, “ e unë ndihem krenar që pavarësisht presioneve e pavarësisht reagimeve nga më të ndryshme ne mund të vazhdojmë të luftojmë për këtë kauzë që në fakt i shërben të gjithë shoqërisë për të kuptuar se qenia njerëzore lind me të drejta e se të drejtat janë të njëjta e të pandryshueshme për këdo, qofshin fëmijë, qofshin gra, qofshin njerëz me aftësi të kufizuara, qofshin pjesëtarë të komunitetit LGBT”.
Belioza Coku u shpreh e lumtur që kishte patur mundësi që gjatë këtyre muajve të fundit të asistonte të rinj gjatë procesit të “coming out” e në të njëjtën kohë të mund të asistonte edhe prindër të këtyre të rinjve. “Ne jemi të gjithë të barabartë e jemi të gjithë qenie me të drejta. Të mbrosh të drejtat e LGBT do të thotë të mbrosh të drejtat e njeriut”, tha ajo.
Aktivistja e njohur për të drejtat e grave znj. Delina Fico u shpreh se kishte pranuar me gjithë kënaqësi të bëhej ambasadore e PINK dhe siguroi mbështetjen e organizatave që luftojnë për të drejtat e grave, ndaj kauzes LGBT. Ajo tha se tashme ka dy organizata qe punojne per keto te drejta: LGBT PRO dhe Aleanca Kunder Diskriminimit por ka ardhur koha qe per kete ceshtje te angazhohet e gjithe shoqeria.
Kristi Pinderi falenderoi të pranishmit në emër të Ambasadës Pink e të LGBT PRO Albania dhe u shpreh se tashmë ka ardhur koha që institucionet shtetërore të mund të tregojnë me vepra se janë të gatshëm të punojnë deri në fund që të drejtat e njeriut të respektohen e që respektimi i tyre të mos mbetet vetëm një angazhim në kuadër të nënshkrimit të konventave ndërkombëtare por të jetë një angazhim me rezultate konkrete.
“Teksa ne prezantojmë këtë program”, tha Pinderi, “poshtë në katin e pare të këtij hoteli prindërit e një djali pjesëtar të komunitetit po qëndrojnë në mënyrë provokative duke bërë presione të vazhdueshme ndaj të birit i cili ka vendosur të bashkëjetojë me të dashurin e tij”, tha Pinderi, “e të dy së bashku u duhet të përballojnë presione nga më të ndryshmet vetëm e vetëm se duhen me njëri tjetrin. Si ata, ka dhe pjesëtarë të tjerë të këtij komuniteti, te cilet dëbohen nga shtëpitë e tyre, ose në shumë raste detyrohen të martohen kundër vullnetit. Të gjithë, qofshin djem apo vajza përballen me dhunë fizike e psikologjike ndonëse kjo dhunë nuk raportohet e nuk dokumentohet, ndërkohë që komuniteti transgjinor bje të flerë natën pa qenë i sigurt nëse do zgjohet gjallë në mëngjes, për shkak të dhunës gati të përditshme që ushtrohet ndaj tyre jo vetëm nga persona homofobikë, por edhe nga policët e patrullave apo policë të tjerë civilë... Për të gjitha këto arsye ekziston PINK Embassy”.