Shqip
English
Hapet fushata kombëtare “Është normale. Mësohu!” - për të sfiduar paragjykimet dhe promovuar barazinë
- May 16, 2026
- crca-author
Tiranë, 25 Prill 2026 – Ambasada PINK dhe partnerët e saj hapën sot fushatë e re kombëtare që në qendër të saj ka një mesazh të thjeshtë, por të drejtpërdrejtë: “Është normale të jesh LGBTIQ+. Mësohu.”
E iniciuar nga Ambasada PINK, në bashkëpunim me partnerë të ngushtë të shoqërisë civile, si CRCA-ECPAT Shqipëri, ALO 116-111 dhe iSIGURT.al - fushata synon të sfidojë paragjykimet dhe të ndryshojë mënyrën se si shoqëria shqiptare e percepton diversitetin dhe të drejtat e personave LGBTIQ+, duke promovuar narrativa të reja që mbështesin respektin, jetesën me dinjtet dhe pranimin shoqëror. Fushata, në vend që të hyjë në debate të gjata apo narrativa të ndërlikuara, ndërtohet mbi një ide të thjeshtë: shumë gjëra në jetën tonë janë të ndryshme dhe kjo është normale. Në të njëjtën mënyrë, edhe orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë pjesë e këtij normaliteti.
Postimi i parë i fushatës, i publikuar sot në rrjetet sociale, vendos këtë ton duke lidhur situata të zakonshme të përditshmërisë me mesazhin për pranimin dhe respektin. Përmes një qasjeje vizuale të pastër dhe mesazhesh të shkurtra, fushata synon të jetë e kuptueshme, e afërt dhe lehtësisht e shpërndarë nga të gjithë. Në të njëjtën kohë fushata bazohet në krijimin e situatave ngacmuese dhe gazmore, për të sjellë një këndvështrim pozitiv për të drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri në opinion publik, që mbetet ende tepër paragjykues dhe mospranues.
Një fushatë që flet me gjuhën e përditshme
“Është normale të jesh LGBTIQ+. Mësohu!” synon të dalë nga qasjet tradicionale të ndërgjegjësimit, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë, të afërt me realitetin shqiptar. Ajo nuk kërkon të bindë përmes argumenteve të ndërlikuara, por të nxisë reflektim përmes normalizimit të diversitetit.
Fushata do të zhvillohet kryesisht online, përmes postimeve, videove të shkurtra dhe angazhimit të të rinjve dhe organizatave partnere në të gjithë vendin. Një komponent i rëndësishëm i saj është përfshirja e të rinjve për të krijuar dhe shpërndarë versionet e tyre të mesazhit, duke e bërë atë më autentik dhe më të afërt me publikun.
Një thirrje për bashkëpunim
Ambasada PINK Shqipëri që në hapje të fushatës ka ftuar institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë, median dhe qytetarët të bëhen pjesë e saj, duke shpërndarë mesazhet e fushatës dhe duke kontribuar në krijimin e një shoqërie më të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Ndryshimi fillon nga mënyra se si flasim dhe si reagojmë ndaj njëri-tjetrit. Ndonjëherë, mjafton një fjali e thjeshtë për ta nisur atë: Është normale. Mësohu.
Për më shumë info, kontakto:
Ambasada PINK Shqipëri
E-mail: pink@pinkembassy.al














