Shqip
English
Hetim urgjent për dhunën ekstreme policore të ushtruar ndaj një transgjinori në Tiranë.
- Aug 15, 2011
- Ambasada Pink
Tiranë, 15 Gusht, 2011
Ambasada PINK / LGBT PRO Shqipëri, një organizatë që punon për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri, dëshiron të shprehë shqetësimin e saj për rastin e fundit të dhunës ekstreme ndaj një pjesëtari të komunitetit transgjinor në Shqipëri.
Rreth orës 16:00 të ditës së Diel, 14 Gusht 2011, tek parku pranë Kuvendit të Shqipërisë, efektivë të Policisë së Shtetit, të shoqëruar nga një qytetare e thjeshtë, kanë kryer verifikime mbi vjedhjen e varëses së kësaj të fundit. Ndër personat e pyetur, ka qenë edhe një djalë, shoqërues i grupit transgjinor, që jeton në këtë park, ndalimi i të cilit ka hasur në rezistencën e personit transgjinor të quajtur Paloma.
Reagimi i forcave policore ndaj Palomës, ka qenë i dhunshëm, duke kapërcyer të gjithë kufijtë e përdorimit të saj në mënyrë të ligjshme. Grupi prej gjashtë efektivësh të Policisë së Shtetit, mes të cilëve edhe një femër, ushtruan dhunë totalisht të pajustifikuar ndaj transgjinorit, e cila bazuar në aktet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, mund të klasifikohet torturë.
Paloma, më pas është shoqëruar në mjediset e Komisariatit Nr. 1 të Tiranës, ku dhuna ka vazhduar deri në momentin që ajo ka qenë e mbuluar në gjak dhe ka humbur ndjenjat. Një nga metodat e përdorura ishte vendosja e një skafandre, për të evituar shfaqjen e shenjave të dhunës në kokë, ndërkohë që goditjet me shkelma dhe grushta vazhdonin në çdo pjesë të trupit. Policia e ka shoqëruar Palomën pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku ajo ka marë ndihmën e shpejtë dhe më pas e ka rikthyer atë në Komisariat.
Përgjatë të gjithë kohës së ndalimit, Palomës nuk i është ofruar në asnjë moment ndihma juridike dhe për më tepër asaj i është kërkuar të firmosë dokumente pa i’a lexuar ato paraprakisht. Paloma nuk di as shkrim as këndim.
Ambasada PINK i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Avokatit të Popullit, të nisin një hetim urgjent për ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat me uniformë të përfshirë në të, të cilët kanë torturuar për orë të tëra një transgjinor, duke e vendosur jetën e saj në rrezik absolut.
Prej vitesh komuniteti transgjinor në Shqipëri vuan margjinalizimin dhe përjashtimin e shoqërisë shqiptare për shkak të mungesës së masave mbështetëse nga Bashkia Tiranë dhe institucionet qëndrore qeveritare. Nuk është hera e pare që Ambasada PINK / LGBT PRO Shqipëri proteston publikisht për dhunën dhe keqtrajtimin nga ana e forcave të Policisë të transgjinorëve në Tiranë. Edhe pse gjatë muajve të fundit ishte vënë re një përmirësim i trajtimit të personave transgjinorë nga ana e Policisë së Shtetit, ngjarja e fundit vë në dukje nevojën për përmirësimin e mëtejshëm të sjelljes së policisë dhe ndalimin e akteve të homofobisë nga ana e tyre.














