Mbrojtje ligjore për personat transeksualë dhe biseksualë

   PINK: Heshtja dhe mosreagimi i ligjvënësve shqiptarë shkel të drejtat e personave LGBTI!  

 

Tiranë, 31 Mars 2021 - Dita Ndërkombëtare e Vizibilitetit Transgjinor, risjell në vëmendje edhe njëherë nevojën e domosdoshme të ndryshimeve ligjore që duhet të bëhen për përmirësimin e situatës së personave LGBTI. Shqipëria prej kohësh ka firmosur e ratifikuar një seri Konventash Ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, por edhe të drejtave të personave LGBTI në veçanti. Gjithashtu vendi ynë, ka hartuar edhe legjislacionin e saj kombëtar në një linjë me këto Konventa, por pavarësisht përpjekjeve të vendit tonë, për fat të keq realiteti tregon se Konventat Ndërkombëtare apo Legjislacioni Kombëtar jo gjithnjë zbatohen.

Edhe pse Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri 2016-2020, si një dokument i hartuar nga Qeveria Shqiptare nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, parashikonte që të gjitha ligjet për mbrojtjen e tyre të ishin tashmë të miratuara, sërish kjo gjë nuk ka ndodhur. Ndërkaq asnjë ministër apo asnjë deputet nuk ka ndërmarrë nisma legjislative për ti propozuar ato në Kuvend. Gjithashtu edhe propozimet ligjore që Ambasada PINK i ka drejtuar këtyre insitutcioneve, nuk janë pranuar asnjëherë.

Pikërisht në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vizibilitetit Transgjinor, Ambasada PINK Shqipëri ka vendosur të realizojë një tryezë konsultimi, lidhur me ndryshimet ligjore për përmisimin e situatës së personave LGBTI. Drafti ekzistues i Ligjit për Njohjen e Identitetit Gjinor, ka nevojë për rishikim profesional dhe për këtë duhet një bashkëpunim i gjerë i të gjithë aktorëve të tij.

Në këtë kuadër ekspertët e zyrës ligjore kanë punuar për rishikimin e këtij drafti.

 

Ambasada PINK, kërkoi që nëpërmjet kësaj tryeze konsultuese të përcaktojë një grup pune, i cili do të fokusohet në disa fusha për përmirësimin e draft-ligjit. Këto fusha do të jenë:

  1. Përmirësimi i legjislacionit për personat intersex në Shqipëri; 
  2. Hartimi i ndryshimeve ligjore për njohjen e martesës dhe bashkëjetesës civile në seks të njëjtë; 
  3. Përgatitja e një harte të ligjeve që kanë nevojë për ndërhyrje për shkak se nuk përputhen apo bien në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe parimin e mbrojtjes nga diskriminimi. 

Grupi i punës së ndryshimeve ligjore do të krijojë një platformë pune dhe do të jetë zëri i fuqishëm për çdo person LGBTI në Shqipëri në realizimin e të gjitha ndryshimeve ligjore për barazi dhe jetesë me dinjitet të tyre.  

Komuniteti LGBTI në Shqipëri ka nevojë për një bashkëpunim më të gjërë me organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus të drejtat e njeriut, organizata ndërkombëtare, Ambasada, Agjensi të zhvillimit, përfaqësues të Këshillit të Europës, etj, me qëllim që të mbështeten hapat për ndryshime ligjore në vend.

Mbështetësit Dhe Partnerët