ILGA Rainbow Map 2026: Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të drejtat e personave LGBTIQ+
- May 17, 2026
- crca-author
Tiranë, 17 Maj 2026 – ILGA-Europe ka publikuar edicionin më të ri të Rainbow Map and Index 2026 (Indeksi dhe Harta e Ylberit 2026), raportin vjetor më të rëndësishëm në Europë që vlerëson legjislacionin dhe politikat publike që ndikojnë në të drejtat e personave LGBTIQ+ në 49 vende europiane. Raporti analizon shtatë fusha kryesore, përfshirë barazinë dhe mosdiskriminimin, njohjen ligjore të familjes, mbrojtjen nga krimet e urrejtjes, njohjen ligjore të identitetit gjinor, të drejtat e personave interseks dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe organizimit.
Edhe këtë vit, Shqipëria mbetet në mesin e vendeve me progres të kufizuar në mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTIQ+, duke mos shënuar reforma domethënëse në legjislacion apo politika publike gjatë vitit të fundit. Sipas Rainbow Map 2026, vendi ynë vazhdon të përballet me mungesën e njohjes ligjore të çifteve të së njëjtës gjini, mungesën e procedurave të bazuara në vetëpërcaktim për njohjen ligjore të identitetit gjinor dhe me boshllëqe të rëndësishme në mbrojtjen e familjeve dhe personave transgjinorë.
Ndërkohë, raporti evidenton se progresi në Europë po vazhdon të jetë i pabarabartë. Disa vende kanë avancuar më tej në garantimin e të drejtave të personave LGBTIQ+, ndërsa në vende të tjera janë regjistruar hapa pas për shkak të politikave dhe ligjeve kufizuese. Në vitin 2026, Spanja kryeson për herë të parë renditjen europiane, duke zëvendësuar Maltën në vendin e parë pas më shumë se një dekade.
Për Shqipërinë, gjetjet e Rainbow Map 2026 vijnë në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian. Pas përmbushjes së piketave të ndërmjetme dhe përcaktimit të piketave përfundimtare, respektimi i të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtat e personave LGBTIQ+, mbetet pjesë integrale e reformave që vendi duhet të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Megjithëse Shqipëria ka ndërtuar një kuadër relativisht të mirë ligjor kundër diskriminimit, zbatimi i tij mbetet i dobët. Personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim, gjuhë urrejtjeje, bullizëm, stigmatizim dhe përjashtim social në fusha të ndryshme të jetës, përfshirë arsimin, punësimin, shëndetësinë dhe aksesin në shërbime publike.
Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri vlerësojnë se Harta dhe Indeksi 2026 duhet të shërbejë si një thirrje për veprim për autoritetet dhe institucionet publike. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm të ruajë standardet ekzistuese, por të ndërmarrë reforma konkrete që garantojnë barazi të plotë për të gjithë qytetarët, pavarësisht orientimit seksual, identitetit gjinor apo karakteristikave seksuale.
Indeksin dhe pikëzimin në fushat specifike për Shqipërinë mund ta gjeni në këtë lidhje: https://rainbowmap.ilga-europe.org/














