PARADA E 3-TË E KRENARISË MË 25 SHTATOR 2016

 Hapet Fushata: “Une Jam në Paradën e Tiranës, Po Ti?”

Shkurt 2016 – Ambasada PINK / LGBT Pro hapi sot zyrtarisht fushatën e saj nën moton “Une Jam në Paradën e Tiranës , Po Ti?” me synimin të mobilizojë institucionet, organizatat dhe qytetarët shqiptarë të bashkohen me datë 25 shtator 2016 në Marshimin e 3-të të Krenarisë, TIRANA PRIDE 2016.

Tirana Pride 2016 është një ditë solidarizimi me komunitetin e personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilët për shkak të diskriminimit historik hasin vështirësi të shumta në jetët e tyre. Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka bërë progres të madh ligjor dhe social drejt pranimit të diversitetit seksual dhe gjinor, kulturalisht dhe normativisht vizibiliteti i ulët i komunitetit LGBT mbetet një pengesë në njohjen dhe pranimin e tyre në shoqërinë shqiptare.

Në datën 17 Maj 2016, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë do të zhvillohen aktivitetet e ndryshme ndërgjegjësuese të tilla si leksione të hapura, ekspozita, tryeza pune, debate, seanca dëgjimore  etj.  

Një vit më parë, më 17 maj 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”, i cili u miratua me 75 vota pro dhe vetëm 2 kundër. Miratimi i kësaj Rezolute është një fitore e jashtëzakonshme për komunitetin LGBT, pasi që prej miratimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në fillim të vitit 2010, në Kuvend kishte kaluar shumë pak nisma legjislative apo politike në mbështetje të të drejtave të njeriut të çdo individi LGBT në Shqipëri.

Marshimi i krenarisë nuk është thjesht çështje krenarie. Marshimi ka të bëjë me të drejtën për të jetuar të lirë, duke mposhtur ndjenjën e turpit dhe fajit dhe perceptimin e gabuar të shumë personave LGBT, se duke qenë të tillë ata nuk janë të denjë për familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.

Për më shume informacion kontaktoni në: pinkembassy@crca.al; Tel: 04 2265741 

Mbështetësit Dhe Partnerët