Publikohet Indeksi i Arsimit për të Rinjtë LGBTI në Shqipëri: Bullizmi dhe mungesa e kurrikulës gjithëpërfshirëse ndër shkaqet kryesore të diskriminimit në shkolla në Shqipëri
- May 21, 2025
- crca-author
Tiranë, 21 Maj 2025 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë, Bifobisë dhe Interseksfobisë (IDAHOTBI), u publikua Indeksi i Arsimit për të Rinjtë LGBTI në Shqipëri, një raport që nxjerr në pah të dhëna shqetësuese mbi gjendjen e arsimit gjithëpërfshirës dhe nivelin e diskriminimit që përjetojnë të rinjtë LGBTI në sistemin arsimor shqiptar.
Të dhënat e indeksit tregojnë mungesë të theksuar të mbështetjes institucionale dhe dështime serioze në zbatimin e politikave arsimore gjithëpërfshirëse. Megjithëse Shqipëria ka miratuar dy Plane Kombëtare Veprimi për personat LGBTI (2016–2020 dhe 2021–2027), të cilat parashikojnë masa konkrete për reduktimin e diskriminimit dhe përmirësimin e kushteve në arsim, vetëm rreth 32% e masave të planifikuara janë zbatuar plotësisht. Përfshirja e çështjeve LGBTI në kurrikulën shkollore dhe trajnimi i mësuesve mbetet pothuajse inekzistent.
Indeksi e identifikon sistemin arsimor si një nga mjediset më diskriminuese për të rinjtë LGBTI në Shqipëri. Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga Aleanca LGBTI për vitet 2023–2024, situata është alarmante: 87% e të rinjve LGBTI kanë përjetuar ngacmime verbale në shkollë, 42% kanë qenë viktimë e dhunës fizike për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, ndërsa 62% kanë munguar në shkollë për të shmangur bullizmin dhe përjashtimin.
Raporti thekson se mungesa e politikave specifike kundër bullizmit homofobik dhe transfobik, së bashku me mungesën e një kurrikule gjithëpërfshirëse dhe trajnimeve të strukturuara për mësuesit dhe stafin psiko-social, kontribuojnë në normalizimin e dhunës, stigmatizimit dhe përjashtimit të të rinjve LGBTI në shkolla.
Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë disa masa të kufizuara ndër vite, Indeksi kritikon mungesën e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Veçanërisht problematike mbetet mungesa e një kurrikule të detyrueshme që adreson çështjet SOGIGESC (orientimi seksual, identiteti dhe shprehja gjinore, si dhe karakteristikat seksuale), si dhe fakti që shumica e mësuesve dhe psikologëve shkollorë nuk janë të trajnuar për të mbështetur në mënyrë profesionale të rinjtë LGBTI.
Në këtë kontekst, shoqëria civile ka luajtur një rol kyç në mbushjen e boshllëqeve institucionale. Organizata si CRCA Shqipëri dhe Ambasada PINK kanë ofruar trajnime, materiale informuese dhe mbështetje direkte për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Megjithatë, këto përpjekje shpesh janë penguar nga rezistenca publike, narrativa stigmatizuese dhe mungesa e mbështetjes së qëndrueshme nga institucionet shtetërore.
Indeksi i Arsimit për të Rinjtë LGBTI u bën thirrje institucioneve shtetërore që të rrisin angazhimin financiar dhe teknik për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2021–2027, të hartojnë dhe zbatojnë një kurrikulë gjithëpërfshirëse që adreson edukimin seksual, identitetin gjinor dhe orientimin seksual, të sigurojnë trajnime të detyrueshme për mësuesit dhe psikologët në shkolla, si dhe të krijojnë mekanizma efektivë për parandalimin dhe adresimin e dhunës dhe diskriminimit ndaj nxënësve LGBTI.
Ky indeks përbën një dokument referues për politikëbërësit, institucionet arsimore dhe aktorët e shoqërisë civile që synojnë ndërtimin e një sistemi arsimor të drejtë, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë të rinjtë në Shqipëri, pa përjashtim.
Raporti dhe Harta e Indeksit mund të lexohen në Anglisht në këtë link:














