Publikohet online udhërrëfyesi për daljen hapur!
- Nov 03, 2014
- Ambasada Pink
3 Nëntor 2014 – Ambasada PINK / LGBT Pro publikon sot online broshurën informative “të dalësh hapur”, një material që flet mbi proçesin e pranimit të orientimit seksual apo identitetit gjinor tek vetja, të afërmit, miqtë, kolegët etj. Ky material është prodhuar dhe publikuar në anglisht nga Human Rights Campaign, një nga organizatat më të mëdha LGBTI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vjen i shqipëruar pas bashkëpunimit midis dy organizatave.
Udhërrëfyesi nis me thënien “trimëri nuk do të thotë të mos kesh frikë. Do të thotë, se nëse ke frikë, atëherë ju duke bërë atë çka të tremb më shumë”. Ai i drejton lexuesit, jo në një platformë “si të dalim hapur” por shpjegon çfarë do të thotë të hapesh me veten, çfarë kërkon bërja e një plani për të dalur hapur, çfarë ndodh me bisedat mes miqve, kolegëve e të njohurve mbi homoseksualitetin, si funksionon një dalje hapur personale. Ndërkohë udhëzuesi jep edhe informacione të hollësishme mbi lëvizjen LGBT në Shqipëri, punën e organizatave vendase, sfidat dhe nevojat e komunitetit etj.
Dalja hapur, nuk është një fenomen universal në formë dhe shprehje për të gjitha kulturat, aq më pak ato amerikane dhe shqiptare. Ky proçes po njeh një zhvillim edhe në Shqipëri. Shumë persona LGBTI, sidomos të grupmoshave më të reja, janë pashmangshmërisht në një proçes dalje hapur. I tillë është çdo hap, që nga pranimi i identitetit tek vetja deri tek pranimi botërisht i orientimit seksual apo identitetit gjinor. Por, për shumë njerëz ky nuk është një proçes linear. Për shkak të shumë konditave personale, lirisë personale reale apo të perceptuar, gjendjes ekonomike, pikëpamjeve personale të personave LGBT por edhe frikës së madhe ndaj mentalitetit, jetës në komunitete të vogla apo të mbyllura e bëjnë proçesin e daljes hapur të shumëllojshëm dhe me sfida të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Rreziqet e daljes hapur nuk janë gjithashtu të njëjta. Përshembull, për një person me gjendje të mirë ekonomike, që jeton e punon në Tiranë, dalja hapur mund ti “kushtojë” disa miq më pak apo një shans të humbur biznesi. Për një person gay, që është lindur dhe rritur në një komunitet të vogël dhe shanset ekonomike të të cilit mund të jenë vetëm ato të familjes, dalja hapur, nëse nuk shkon si duhet mund ti kushtojë një jetë të re në mes të katër rrugëve.
Duke pasur parasysh këtë larmishmëri, PINK publikon këtë udhërrëfyes si një material i pasur me informacion dhe që hedh dritë mbi shumë aspekte të pranimit të vetvehtes. Aty shpjegohet mirë aspekti psikologjik, social dhe ai përgatitor. Për këtë arsye PINK uron që ky udhërrëfyes ta lehtësojë sadopak proçesin personal të daljes hapur, për mirë, dhe falenderon Human Rights Campaign në SHBA që miratoi përkthimin dhe publikimin e saj në gjuhën shqipe.
Më poshtë gjeni udhërrëfyesin në format PDF.