Shqip
English
Raporti i Kombeve të Bashkuara lëshon alarmin për homofobinë dhe krimet e urrjetjes nëpër botë
- Dec 15, 2011
- Ambasada Pink
15 Dhjetor 2011
Raporti i parë i Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e personave lesbike, gej, biseksuale dhe transgjinorë (LGBT) paraqet se si nëpër botë njerëzit vriten, torturohen, dhunohen, burgosen, penalizohen, diskriminohen në vendet e punës, shëndetësi dhe arsim për shkak të orientimit seksual dhe identitetit të tyre gjinor, të vërtetë ose të prezumuar.
Raporti i bërë zyrtar ditën e djeshme nga zyra e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OHCHR) në Gjenevë, parashtron “një fenomen të shkeljeve të të drejtave të njeriut, që kërkon një përgjigje”, dhe thekson se qeveritë shpesh e injorojnë dhunën dhe diskriminimin e bazuar mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Dhuna kundër personave LGBT është veçanërisht mizore krahasuar me krimet e tjera të urrjetjes. Raporti zbulon se dhuna homofobike dhe transfobike është e pranishme në çdo rajon të botës dhe karakterizohet nga vrasjet, rrëmbimet, sulmet dhe përdhunimet e vazhdon me kërcënime psikologjike dhe privime arbitrare të lirisë.
Personat LGBT janë shpesh në shënjestrën e ekstremistëve fetarë, grupeve paramilitare, neonazistëve, nacionalistëve ekstremë etj si dhe janë viktima të dhunës familjare dhe të shoqërisë, në veçanti për lezbiket dhe transgjinoret që janë më të rrezikuarit.
Raporti thekson se “dhuna ndaj personave LGBT është veçanërisht mizore krahasuar me krimet e urretjes në përgjithësi” duke vënë në dukje se krimet homofobike përmbajnë një nivel të lartë mizorie dhe brutaliteti.
Incidentet e dhunshme apo aktet e diskriminimit shpesh janë të pa raportuara sepse viktimat nuk kanë besim tek policia, kanë frikë nga pasojat ose rrefuzojnë të ekspozohen si persona LGBT.
Raporti, i përgatitur si një përgjigje ndaj kërkesës së Këshillit për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së, i ka marrë të dhënat nga raporti i fundit i OKB-së, statistikat zyrtare mbi krimet e urrjetjes dhe raportimet e organizatave rajonale dhe disa organizata jo-qeveritare (OJQ).
Përmes këtij raporti, Navi Pillay, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së, i kërkon shteteve të botës të heqin ligjet që penalizojnë homoseksualitetin, të heqin dënimin me vdekje për akte seksuale të rëna dakort mes dy të rriturve, të harmonizojnë moshën e lejuar për sjellje seksuale të barabartë me atë të personave heteroseksualë dhe të vejnë në fuqi ligje anti-diskriminim.
Seksi mes personave të të njëjtës gjini është i paligjshëm në 76 vende të botës ndërsa në Iran, Mauritani, Arabi Saudite, Sudan dhe Yemen aktet homoseksuale janë të dënuara me vdekje.
Znj. Pillay u rekomandon shteteve anëtare të OKB-së të hetojnë të gjitha vrasjet apo krimet serioze të shkaktuara ndaj njerëzve për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor, të vertetë ose të supozuar dhe të ngrejnë një sistem rregjistrimi për këto incidente.
Komisionerja i kërkon vendeve anëtare që të mos lejojnë kthimin në vendet e origjinës të atyre personave LGBT jeta e të cileve mund të vihet në rrezik dhe u kujton shteteve se ligjet e azilit pranojnë që orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë baza të forta përndjejkje nga autoritetet e vendit të origjinës.
Duhet të organizohen fushata publike komunikimi, sidomos në shkolla, për të luftuar homofobinë dhe policia duhet të trajnohet për tu siguruar që personat LGBT të trajtohen me drejtësi.
Charles Radcliffe, shefi i seksionit të çështjeve globale pranë OHCHR, tha për Radio UN se “një nga gjërat që ne kemi gjetur është se nëse ligji reflekton ndjesi homofobike, atëherë ai legjitimon homofobinë në shoqëri. Nëse shteti i trajton disa njerëz si qytetarë të kategorisë së dyte, ose akoma më keq, si kriminelë, atëherë i fton qytetarët që të bjënë të njëjën gjë.”
Ai theksoi se të gjitha shtetet anëtare të OKB-së kanë detyrimin nën ligjet ndërkombëtare të heqin ligjet penalizuese ndaj homoseksualitetit duke shtuar se është e rëndësishme që shtetet të binden për këtë më shumë se sa t’u jepen leksione për ti ndryshuar këto ligje.
“Mendoj se vitet e fundit ka patur një përmirësim të situatës së personave LGBT në botë, falë më shumë se 30 shteteve që e kanë hequr homoseksualitetin nga lista e veprave penale, gjatë dy dekadave të fundit.” Shqipëria është në listën e këtyre vendeve.
Z. Radcliffe, duke pranuar se njerëzit kanë të drejtën e fesë, shtoi se “asnjë besim fetar apo vlerë mbizotëruese kulturore nuk mund të justifikojë, zhveshjen e njerëzve nga të drejtat e tyre bazike.”
Raporti, i cili do të diskutohet nga anëtarë të Këshillit gjatë një takimi në Mars 2012, është bërë publik ndërkohë që një numër i madh zyrtarësh të lartë të OKB-së kanë rritur ndjeshëm shqetësimin e tyre për shkeljet e të drejtave të personava LGBT.
Vitin e shkuar, në një fjalim me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Z. Ban Ki-moon tha “si burra dhe gra me ndërgjegje, ne e rrefuzojmë diskiminimin në përgjithësi, dhe diskriminimin mbi baza të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, në veçanti.”
Gjatë një diskutimi publik, të javës së shkuar mbi mediat sociale, Znj. Pillay, bëri thirrje për dhënien fund të çdo forme diskriminimi dhe persekutimi të personave LGBT.














