Rritja e gjuhës së urrejtjes dhe propagandës kundër të drejtave të njeriut rrisin rreziqet për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri

   

Përfaqësuesja e CRCA-ECPAT Shqipëri dhe Ambasadës PINK ndau sot në mesditë qendrimet, opinionet dhe shqetësimet zyrtare në emër të të dyja organizatave, me Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, mbi ndikimin që ka në gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, polarizimi politik, rritja e gjuhës së urrejtjes, propagandës kundër të drejtave të njeriut, dhe qasjet anti-gjinore.

 

Tiranë, 30 Mars 2026 - Rritja e gjuhës së urrejtjes, polarizimi në diskursin publik dhe rreziqet në rritje për fëmijët dhe të rinjtë – veçanërisht ata që i përkasin komunitetit LGBTIQ – ishin në qendër të takimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE).

Gjatë diskutimeve u theksua se, përkundër progresit në kuadrin ligjor për të drejtat e njeriut, barazinë dhe mbrojtjen e fëmijëve, ekziston një hendek i dukshëm mes ligjit dhe zbatimit në praktikë. Organizatat raportuan një rritje të gjuhës së urrejtjes, sulmeve të koordinuara online dhe stigmatizimit, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien, shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet situata në shkolla, ku mungesa e standardeve të qarta dhe e stafit të trajnuar për të garantuar mjedise gjithëpërfshirëse po çon në raste të vazhdueshme bullizmi dhe përjashtimi, sidomos për fëmijët që nuk përputhen me stereotipet gjinore apo që i përkasin minoriteteve. Këto dinamika po kontribuojnë në braktisjen e hershme të shkollës dhe rreziqeve të shtuara për shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Paralelisht, u theksua rritja e dhunës së lehtësuar nga teknologjia, përfshirë gjuhën e urrejtjes online dhe shfrytëzimin digjital, ndërkohë që reagimi institucional dhe bashkëpunimi me platformat teknologjike mbeten të fragmentuara. Mekanizmat për raportim dhe mbështetje për viktimat kërkojnë forcim të menjëhershëm dhe qasje më të thjeshtë për fëmijët dhe të rinjtë.

Gjithashtu, u ngrit shqetësimi për kufizimin e hapësirave për pjesëmarrjen e të rinjve dhe sulmet në rritje ndaj organizatave që punojnë për barazi dhe të drejtat e njeriut. Të rinjtë, veçanërisht ata nga grupet e margjinalizuara, mbeten të nën-përfaqësuar në proceset vendimmarrëse.

Në këtë kuadër, organizatat i bënë thirrje delegacionit të PACE dhe institucioneve shqiptare për të forcuar reagimin ndaj gjuhës së urrejtjes, për të përmirësuar zbatimin e legjislacionit për barazi dhe mbrojtje, për të garantuar mjedise të sigurta dhe gjithëpërfshirëse në arsim, si dhe për të rritur përfshirjen e të rinjve dhe shoqërisë civile në vendimmarrje.

Takimi nënvizoi nevojën urgjente për veprime konkrete që sigurojnë që çdo fëmijë dhe i ri në Shqipëri të jetojë i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur nga çdo formë diskriminimi dhe dhune.

 

Mbështetësit Dhe Partnerët