Shqiperia, vendiI me homofobik ne rajon

 Shqipëria renditet në listën e vendeve që kanë shkallën më të lartë të homofobisë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ky konstatim është publikuar në raportin e fundit social dhe ligjor mbi diskriminimin me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor, të realizuar nga Këshilli i Europës.

“Ne shpresojmë që ky raport së bashku me Rekomandimin e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës të aprovuar dhe nga Shqipëria, i hyrë në fuqi gjatë marsit, së bashku me një numër çështjesh nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, do t’i sigurojë vendeve të Europës, përfshirë dhe Shqipërinë, një guidë solide drejt barazisë së plotë dhe respektimit të të drejtave të personave LGBT”, tha Martin K.I. Christensen, kryetar i bordit drejtues të organizatës më të madhe për të drejtat e komunitetit, LGBT. Në raportin e KiE-së thuhet se ky është raporti i parë që mbulon 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës në një larmishmëri çështjesh të të drejtave të njeriut, që i përkasin personave lesbike, gay, biseksual dhe transeksual.

“Shqipëria renditet ndër vendet me shkallë më të lartë homofobie duke përmendur rastet e vështirësive të aksesit të personave LGBT në shërbimin shëndetësor, vështirësive në punësim, mungesës së informacionit rreth homoseksualitetit në tekstet shkollore, rastet e dhunës fizike, si dhe problematika lidhur me zbatimin e ligjit kundër diskriminimit, ashtu sikundër edhe vakumi ligjor lidhur me parashikimin e veprave penale për krimet e nxitura nga urrejtja me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor”, citohet në raport.

Dokumenti përmban një numër rekomandimesh specifike për vendet anëtare të Këshillit të Europës, për mënyrën si mund t’i japin fund diskriminimit dhe për të siguruar barazi të plotë për personat LGBT. Në të paraqiten njëkohësisht edhe një numër rekomandimesh mbi masat joligjore të tilla si, programet shtetërore të edukimit që kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe kuptimit të orientimit seksual dhe identiteteve gjinore dhe si pasojë promovimin e përmirësimit të sjelljeve shoqërore bazuar në fakte dhe informacion objektiv.

Mbështetësit Dhe Partnerët