Shtëpia e Bardhë, Presidenti Barak Obama

Shtëpia e Bardhë
Zyra e Sekretares së Shtypit 
Për Lëshim të Menjëhershëm 
31 Maj, NJOFTIM PRESIDENCIAL—MUAJI I KRENARISË PËR PERSONAT LESBIKE, HOMOSEKSUALË, BISEKSUALË NGA PRESIDENTI I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKES.

Historia e komunitetit Lesbik, Homoseksual, Biseksual dhe Transeksual (LGBT) është historia e baballarëve dhe djemve tanë, nënave dhe vajzave tona, e miqve dhe fqinjëve tanë, të cilët vazhdojnë detyrën e bërjes së vendit tonë një Bashkim akoma më tëpërkryer. Është histori e betejës për të arritur premtimin e madh amerikan që të gjithë njerëzit të mund të jetojnë me dinjitet e drejtësi përpara ligjit. Çdo muaj qershor ne përkujtojmë personat kurajozë që kanë luftuar për të arritur këtë premtim për amerikanët LGBT, dhe riangazhohemi në ndjekjen e të drejtave të barabarta për të gjithë, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor.

Që prej kohës kur morëm detyrën, Administrata ime ka bërë përparim domethënës në drejtim të arritjes së barazisë për amerikanët LGBT. Dhjetorin e vitit të kaluar, isha krenar që firmosa shfuqizimin e politikës diskriminuese “Mos Pyet, Mos Trego.” Me këtë shfuqizim, amerikanët lesbikë e homoseksualë do të mund të shërbejnë hapur në Forcat tona të Armatosura për herë të parë në historinë e Kombit tonë. Siguria jonë kombëtare do të forcohet si edhe do të njihet e vlerësohet plotësisht kontributi heroik që këta amerikanë japin e kanë dhënë përgjatë historisë në ushtrinë tonë.

Administrata ime ka ndërrmarrë gjithashtu hapa për të eliminuar diskriminimin kundër amerikanëve LGBT në programe federale strehimi si dhe u ka dhënë amerikanëve LGBT të drejtën për të vizituar personat e tyre të dashur në spital. E kemi bërë të qartë nëpërmjet politikave jodiskriminuese të degës ekzekutive se diskriminimi në bazë të identitetit gjinor nuk do të tolerohet në frontin Federal të punës. Kam vazhduar emërimin dhe caktimin e personave me kualifikime të larta që janë shfaqur hapur si LGBT në poste të degës ekzekutive dhe pozicione gjyqësore. Për faktin se i njohim të drejtat LGBT si të drejta njerëzore, Administrata ime mban qëndrimin e përkrahësve të barazisë në gjithë botën në udhëheqjen e luftës kundër ligjeve shkatërruese që kanë në shënjestër personat LGBT dhe përpjekjeve të liga për të përjashtuar organizatat LGBT nga pjesëmarrja e plotë në sistemin ndërkombëtar. Udhëhoqëm një fushatë globale për të siguruar që “orientimi seksual” të përfshihej në rezolutën e Kombeve të Bashkuar mbi ekzekutimin e paligjshëm – rezoluta e vetme e Kombeve të Bashkuara që përmend në mënyrë të veçantë njerëzit LGBT – për të dhënë mesazhin e qartë se pavarësisht se ku ndodh, vrasja e sanksionuar nga shteti e homoseksualëve dhe lesbikeve është e papërligjshme. Askush nuk duhet të dëmtohet për atë që është apo ata që do, dhe Administrata ime ka mobilizuar përkushtim publik të paparë ndonjëherë nga vende anëembanë botës për t’u bashkuar në luftën kundër urrejtjes dhe homofobisë.

Në vendin tonë, ne po punojmë për të zgjidhur dhe eliminuar dhunën kundër personave LGBT nëpërmjet detyrimit e zbatimit të Aktit të Ndalimit për Krime Urrejtjeje Mathew Shepard dhe James Byrd. Po punojmë gjithashtu për të ulur kërcënimin e ngacmimit kundrejt të rinjve, duke përfshirë rininë LGBT. Administrata ime është përfshirë në mënyrë aktive me arsimtarët dhe drejtuesit e komunitetit në gjithë Amerikën për të pakësuar dhunën dhe diskriminimin në shkolla. Për të ndihmuar në largimin e mitit se ngacmimi është pjesë e padëmshme apo e pashmangshme e procesit të rritjes, Zonja e Parë dhe unë organizuam në muajin mars Konferencën e parë në Shtëpinë e Bardhë mbi Parandalimin e Ngacmimit. Shumë zyrtarë të vjetër të Administratës janë bashkuar gjithashtu me mua për të përkrahur rininë LGBT që është prekur nga ngacmimet duke regjistruar mesazhe video “Bëhet më Mirë” për të siguruar ata se nuk janë vetëm.

Ky muaj shënon gjithashtu 30 vjetorin e shfaqjes së epidemisë HIV/SIDA, e cila ka pasur ndikim të thellë në komunitetin LGBT. Edhe pse kemi bërë hapa të mëdha në luftimin e kësaj sëmundjeje shkatërrimtare, mbetet akoma punë për të bërë, dhe jam i përkushtuar për të zgjeruar pjesëmarrjen në parandalimin dhe kujdesin ndaj HIV/SIDA-s. Vitin e kaluar shpalla Strategjinë Kombëtarë të HIV/SIDA, e para gjithëpërfshirëse për Shtetet e Bashkuara. Kjo strategji përqendrohet në kombinimin e metodave me të bazuara në prova për të pakësuar infeksione të reja me HIV/SIDA në komunitete me rrezikshmëri të lartë, për të përmirësuar kujdesin për persona që jetojnë me HIV/SIDA si dhe për të zbutur pabarazinë në kushtet e shëndetit. Administrata ime rriti gjithashtu fondet e brendshme për HIV/SIDA-n për të mbështetur Programin e HIV/SIDA-s Ryan White dhe parandalimin e virusit HIV-it, si dhe për të investuar në kërkime në lidhje me HIV/SIDA. Megjithatë, qeveria nuk mund të angazhohet vetëm për këtë sëmundje. Ky përvjetor i shënuar është një mundësi për komunitetin LGBT dhe aleatët për t’u riangazhuar në ndërgjegjësimin për HIV/SIDA-n dhe për të vazhduar luftën kundër kësaj epidemie vdekjeprurëse.

Çdo brez amerikanësh e ka sjellë Kombin tonë më pranë përmbushjes së premtimit për barazi. Ndërkohë që është dashur kohë për të ecur përpara, arritjet tona në përparimin e të drejtave të amerikanëve LGBT na sjellin në mend se historia është në anën tonë, dhe se populli amerikan nuk do të reshtë kurrë së përpjekuri për lirinë dhe drejtësinë për të gjithë.

PRANDAJ, TANI, UNË BARAK OBAMA, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me autoritetin që më është ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara, shpall muajin qershor 2011 si Muaj Krenarie për Personat Lesbikë, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transeksual. I bëj thirrje popullit të Shteteve të Bashkuara të eliminojnë paragjykimet kudo ku ato ekzistojnë dhe të festojnë shumëllojshmërinë e madhe të popullit amerikan.

NË DËSHMI TË KËSAJ, vë dorën time në këtë ditë të tridhjetëenjëtë të muajit maj, në vitin dymijë e njëmbëdhjetë, dhe vitin e dyqindetridhjetëepestë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BARAK OBAMA

http://m.whitehouse.gov/the-press-office/2011/05/31/presidential-proclam...

Mbështetësit Dhe Partnerët