Shtëpia e të drejtave të njeriut dhe Ambasada PINK marrin pjesë në konsultimin vjetor të Bankës Botërore

Në datat 6-11 Tetor, Shtëpia e të drejtave të Njeriut (HRHA) dhe Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri morrën pjesë në takimin vjetor midis Bankës Botërore dhe organizatave të shoqërisë civile në Washington / SHBA. Takimi u zhvillua për të diskutuar mbi masat dhe politikat mbrojtëse në lidhje me orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe ato të grupeve të tjera sociale, të cilat ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga politikat e investimit të Bankës.

Ky konsultim i aktivistëve për të drejtat e njeriut nga e gjithë bota me drejtuesit më të rëndësishëm të Bankës, synon të vlerësojë impaktin e politikave aktuale të këtij institucioni në mjedis, shoqëri dhe grupet e margjinalizuara, përfshi edhe ato mbi gratë dhe komunitetet LGBTI. Konkretisht, organizatat pjesëmarrëse dhe një rrjet prej më shumë se 300 organizatash nga e gjithë bota kundërshtojnë draftin aktual me masat e Bankës për mbrojtjen e të drejtave të grave, personave LGBTI dhe grupeve të tjera për shkak se ato nuk përmbushin rregullat e nevojshme. Sipas organizatave, drafti me masat e parashtruara shkëputet nga standartet ndërkombëtare dhe shpërbëjnë mbi 30 vite evolucion në politika sociale, çka përbën një preçedent mes aktorëve kombëtarë, rajonalë dhe globalë.

Në një kohë që Banka ka deklaruar synimin për të zgjeruar huadhënien e saj në projekte madhore por edhe të rrezikshme infrastrukturore dhe skema mega-projektesh të tjera, ajo nuk arrin të kuptojë se masat e forta mbrojtëse janë shumë të rëndësishme për tu siguruar që përfitimet nga këto projekte janë të ndara në mënyrë të drejtë dhe se kostot e tyre nuk paguhen nga grupet e varfra dhe të margjinalizuara. Duke dobësuar masat aktuale Banka do e ketë të pamundur ti japë fund varfërisë ekstreme dhe nuk do promovojë dot një zhvillim më të barabartë.

Organizatat refuzojnë mënyrën se si këto masa janë parë dhe përgatitur dhe i konsiderojnë ato përjashtuese dhe jo-transparente. Proçesi i rishikimit të dokumentit nuk arriti të përfshijë kontributet e organizatave të shoqërisë civile, ekspertët e pavarur dhe studiuesit, grupet indigjene, sindikatat dhe komunitetet e prekura nga këto projekte.

Për sa më sipër, organizatat kërkuan zhvillimin e një proçesi të gjerë konsultues për të implementuar më efektivisht standartet ndërkombëatre. Ky proçes duhet bazuar në kërkime empirike që garantojnë mos-dëmtimin e grupeve të margjinalizuara dhe që garantojnë vazhdimësinë e investimeve dhe projekteve.

Në përmbullje organizatat kërkuan që Banka të ndërhyjë me hapa konkrete për të mbrojtur të drejtat e punonjësve, garantojë të drejtat e njeriut, adrresojë ndryshimet klimaterike, mbrojë komunitetet nga humbja e pronës dhe largimi nga vendbanimet e tyre, të mbrojë fëmijët nga puna e detyruar, të mbrojë pyjet dhe njerëzit jeta e të cilëve varet prej tyre, të mbrojë personat me aftësi të kufizuara, të mbrojë gratë dhe personat LGBTI në mënyrë efektive dhe të promovojë përfshirjen e tyre në projekte madhore zhvillimi, të zgjerojë axhendën e fushave dhe aktiviteteve dhe të rrisë standartet e investimeve dhe projekteve të zhvilluara nga vendet përfituese etj.

Kërkesat e aktivistëve të pranishëm në takimin me Bankën Botërore u mbështetën nga mbi 300 organizata të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota. 

Mbështetësit Dhe Partnerët