Shumë faleminderit për këtë vit

Ambasada PINK u prezantua para publikut më 5 tetor 2010 në një ceremoni të zhvilluar në hotel Tirana, por vajzat dhe djemtë e PINK kishin filluar të punonin për këtë ide, kauzë e projekt njëkohësisht, që në muajin maj të këtij viti.

Le ta themi hapur e pa modesti: për më pak se një vit kalendarik PINK ka mundur jo vetëm të imponohet në Shqipëri si një institucion i mirëfilltë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por duke shembur paragjykimet dhe frikërat, është shndërruar tashmë dhe në një pikë referimi për të gjithë komunitetin LGBT në vend.

Në nëntor të këtij viti ne festuam ditëlindjen e 27-të të Anxhelës, transgjinores më kurajoze në Shqipëri e cila e vetme ka mundur deri më sot të përballet me baltën, pështymën, diskriminimin, dhunën, rrahjen e fyerjet e ardhura nga e gjithë shoqëria, e madje edhe nga shteti.

Para se të festonim ditëlindjen e Anxhelës, ndihemi mirë kur mendojmë se mundëm të kishim në zyrat tona drejtuesit kryesore të departamenteve në Ministrinë e Shëndetësisë, në atë të Punës e Cështjeve Sociale, të Arsimit, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe të NGO të ndryshme e bashkë me ta, edhe përfaqësuesit e transgjinorëve në Tiranë. Në atë takim, ishin këto të fundit që mundën të adresonin përmes zërit të tyre të gjitha padrejtësitë me të cilat përballen cdo ditë. Një takim i tillë nuk ishte mundur të zhvillohej asnjëherë më parë, pasi asnjëherë më parë në këtë vend nuk kishte ndodhur që një punonjëse seksi që është njëkohësisht edhe transgjinore të konsiderohej si përfituese e mirëfilltë e shërbimeve sociale e jo më si pengese e bezdisshme për t’u anashkaluar në rastin më të mirë, apo për tu plasur brenda qelive, në rastin më të keq.

Ne në PINK ndihemi krenarë që këtë vit mundëm të vemë para përgjegjësisë publike një përfaqësues të popullit në Kuvend, pasi ai guxoi të fyente një komunitet të tërë duke e konsideruar atë si të sëmurë që duhet kuruar me hormone apo me cdo lloj ilaci tjetër! Tritan Shehun, e denoncuam zyrtarisht pranë Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe ky rast ishte e para cështje e proceduar nga ky institucion i Pavarur që ne urojmë të jetë i tillë gjithmonë.

Ndihemi patjetër mirë, kur shikojmë se media ka nevojë për lajme nga komuniteti LGBT e ndihemi po aq mirë kur vërejmë se në tashmë jemi partnerë të kësaj mediaje. Nuk jemi fodullë kur mendojmë se kjo është një domosdoshmëri: domosdoshmëri për të gjithë lexuesit e gazetave, e domosdoshmëri për të gjithë audiencën e medias elektronike, për ta parë sy ndër sy këtë komunitet ashtu sic është në të vërtetë, e për të kuptuar më atë rast nevojën që kemi të gjithë për të dashur e jo për të urryer; për të pranuar e jo për të përjashtuar njëri tjetrin; për të ndihmuar e jo për të vënë shkopinj nën rrota; për të toleruar e jo për të përjashtuar; për të kuptuar e jo për të paragjykuar. Ndaj, me përgjegjësi dhe mirënjohje falenderojmë të gjithë gazetarët e drejtuesit e medias që na mbështetën këtë vit 2010 e na dhanë mundësi e hapësirë në mediumet e tyre për të shprehur këndvështrimin tonë.

Shumë faleminderit Panoramës, dhe drejtuesve të saj për korrektësinë, Gazetës Shqiptare për solidaritetin, Top Medias për profesionalizmin, Shekullit që pavarësisht mënyrës në disa raste, shprehu dëshirën vullnetmirë për ta shndërruar në pjesë të së përditshmes kauzën tonë; falenderojmë OraNeës, Klan dhe Vizion Plus, gazetën Albania, Telegraf, etj.; falenderime për MAPO-n e përditshme dhe MAPO-n tradicionale të fundjavës, vecanërisht këtë të fundit që falë mendjemprehtësisë së stafit të vet ka qenë një luftëtare e pafrikësuar për të drejtat e njeriut.

Falenderojmë të gjithë ata përfaqësues të medias së shkruar, elektronike e sidomos ata të medias online që e kanë nuhatur më në fund rëndësinë për të qenë të drejtë me njeriun, individin si të tillë, pavarësisht orientimit seksual dhe/apo identitetit gjinor.

Do të dëshironim të falenderonim politikën, por më shumë se faleminderit ndjejmë se ajo meriton një këshillë për Vitin e Ri: nuk mund të jeni politikanë të nderuar e as të suksesshëm nëse axhendën tuaj nuk e përcakton nevoja dhe kërkesa e drejtë e cdo individi që ju keni marrë përsipër të qeverisni.

Nëse ju politikanë që sot ndërhyni me edhe pa vend në jetët tona, nuk kuptoni se duhet të leni lidera dhe udhëheqës me iniciativë e jo fikacakë, apo llogaritarë të rëndomtë, nëse nuk kuptoni pra që ky popull kërkon udhëheqje e sakrifica prej jush, atëherë më mirë hapni rrugë dhe kërkoni falje për impotencën udhëheqëse që keni shfaqur.

Ose, në të kundërtën, filloni të mendoni si europianë dhe dilni hapur me idetë, mendimet, dhe planet tuaja për këdo grup të shoqërisë, përfshi këtu edhe komunitetin LGBT, për të cilin, për fat të keq tuajin, nuk ia njihni akoma mundësitë, as përqindjet, as vlerat e mirëfillta, e as nivelin e angazhimit publik e qytetar!

Sigurisht që ndihemi krenarë që për herë të parë mundëm të komunikojmë këtë vit me nivelet më të larta të institucioneve europiane që vendosin për rrugën në të cilën do kanalizojë energjitë e përpjekjet vendi ynë. Falenderojmë në mënyrë të vecantë Drejtorinë e Zgjerimit të BE pranë Komisionit Europian që na dëgjoi, na pyeti e na respektoi në mënyrë që të kishte një pamje të qartë të situatës së respektimit të të drejtave të njeriut në këtë vend.

Falenderojmë aktivistët e huaj e shqiptarë që duke sfiduar gjithcka e gjithkënd, na dhanë një dorë e një ide si mund ta përmirësojmë punën tonë që sapo ka nisur.

Por mbi të gjitha falenderojmë ata dhjetëra e qindra të rinj e të reja të cilët/të cilat jetojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Ersekë, Pogradec, Korcë, Sarandë, Gjirokastër, Pukë, etj, e që pavarësisht realitetit mbytës që u duhet ta durojnë nga mëngjesi deri në darkë, sërish gjejnë kohë, dashamirësi, e buon-sens për të qenë qytetarë të angazhuar të këtij vendi, për t’u informuar e për të marrë pjesë në këtë ndryshim që duam apo nuk duam ne ka filluar e do vazhdojë deri në fund.

Faleminderit të gjithë djemve dhe vajzave që mendojnë se të dashurosh, nuk është krim, përkundrazi, është mesazhi më i mirë që ne të gjithë mund t’u japim prindërve, miqve, të afërmëve, e kujtdo që njohim.

Gëzuar këtë Vit të Ri 2011 që ne duam ta shndërrojmë falë ndihmës suaj, në vitin kur Shqipëria do hapë sytë e do shikojë rreth vetes të gjithë bijtë e bijat e vet si qytetarë e qytetare të denja, për një jetë më të mire, pavaresisht orientimit seksual, identitetit gjinor, fesë, gjinisë, ngjyrës, besimit politik, përkatësisë familjare, origjinës, etnisë e pavarësisht cdo aspekti tjetër që e pasuron shoqërinë me të ndryshmen e vet!

Ambasada PINK

Mbështetësit Dhe Partnerët