Sot unë jam homoseksual

10 Korrik 2010

Nga Kristi Pinderi 
Botuar ne Gazeten Panorama

Ka shumë arsye pse Klodi i Big Brother acaron shumicën e shqiptarëve sot! Klodi acaron intelektualët, acaron politikanët, ai acaron gazetarët e drejtuesit e medias! Klodian çela acaron në njëfarë mënyre vetë komunitetin e homoseksualëve dhe të lesbikeve, madje madje, Klodi acaron edhe komunitetin e transgjinorëve në Shqipëri! Me atë që ka bërë, apo që nuk ka mundur të bëjë, Klodi i turbullon të gjithë sot në Shqipëri.
Pikësëpari intelektualët!

Ndiqini me vëmendje intelektualët e angazhuar publikisht, kur prononcohen për Klodin! Ata nuk flasin pothuajse asnjëherë për homoseksualizmin, as për lesbizmin, as për personat biseksualë. Nuk artikulojnë pothuajse asnjëherë në media rëndësinë e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT, njësoj si të drejtat e çdo njeriu tjetër! Intelektualët tanë, kur vendosin të prononcohen për "Klodin", preferojnë të analizojnë e të filozofojnë jo për të drejtën e Klodit për të qenë ai që është, por bëjnë si bëjnë dhe flasin për median… për rolin sipas tyre "të ekzagjeruar" për të treguar një padrejtësi (në opinionin e përgjithshëm në lidhje me rastin e Klodian çelës, media ka luajtur rolin e 'fryrjes' së një fenomeni), flasin për familjen…, për shoqërinë…! Tek tuk shkruajnë rreshta empatikë për të treguar se nuk janë homofobë!

Në fund "bërtasin", jo për Klodin, apo të tjerë si Klodi, po për faktin që media (ky Gogol i pakontrollueshëm) po na e "keqpërdorkërka" të drejtën e kujtdo për t'u shfaqur atje/këtu ashtu si është, e madje për t'u ndjerë krenar për atë që është. E si "garniturë", shtojnë edhe fjalinë: pse na imponohet media?! Shqiptarët nuk janë homofobë…

PD, PS dhe gjithë politika shqiptare dështon!

Një pjesë tjetër e shoqërisë, që nuk dëshiron, e në fakt nuk mund të përballet dot me "Klodin", janë politikanët shqiptarë! 
Këta të fundit, referencat homofobike, i kanë përdorur kudo e kurdo që kanë mundur! Kryeministri me një origjinë dhe mënyrë jetese konservatore, e përdori homofobinë për të fituar e jo për të humbur kredo politike, kur një vit më parë, në vend që t'u fliste shqiptarëve për zgjedhjet e 28 qershorit, u hodhi si "rrufe në ditë me diell" idenë e martesave mes së njëjtës gjini! 
Sot, Kryeministri beson se është përballur njëherë me "Klodin"! Se punën e vet e ka bërë njëherë! Se një kontribut e ka dhënë ndërkohë…

Po sikur Kryeministri të përballet tani me këdo "Klod", publikisht, që i thotë: "zoti Kryeministër, dua të martohem me të dashurin tim, a mund të më mbështetësh publikisht?" çfarë do duhet t'i thoshte "Klodit" z. Berisha…? 
Ndaj nuk do të përballet me asnjë "Klod", Kryeministri shqiptar…

Partia Socialiste, ashtu si dhe gjithë e majta shqiptare, kanë dështuar për ta shndërruar çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut si një çështje parësore të programit të tyre, ndonëse në mes të deputetëve më dinjitozë të kësaj partie rreshtohen sot figura ndërkombëtarisht të njohura në fushën e aktivizimit për të drejtat e njeriut në Shqipëri!

1/3, në mos më shumë, e atyre që sot bëjnë politikë në Partinë Socialiste, dje kanë milituar për të drejtat e njeriut, e sipas Principeve të Xhakartës (2006) që Shqipëria i ka nënshkruar si "soft laws", të drejtat e LGBT janë mbi të gjitha edhe të drejta të njeriut!
Në mitingjet dhe protestat e opozitës, krijohet gjithnjë e më shumë hapësirë për fjalime që motivojnë e frymëzojnë homofobinë! Madje në fjalimet e aleatëve të PS paralelizohet koalicioni LSI-PD, si një "martesë" mes së njëjtës gjini, kryetarët e liderët e partive të majta lejohen e frymëzohen që në fjalimet e tyre drejtuar turmës ta venë medomosdo këtë paralelizëm banal mu në mes të fjalimeve të tyre!
Klodi, rasti i tij personal dhe kurajoja për të treguar të vërtetën, i bën politikanët e ligjvënësit shqiptarë të ndihen në siklet që Shqipëria nuk ka ende një legjislacion kundër krimeve apo incidenteve të motivuara për shkak të urrejtjes, homofobisë, apo transfobisë! 
E thënë troç: të drejtat e njeriut, nuk kanë qenë asnjëherë prioritet, as i maxhorancës aktuale, as i opozitës! 
Kanë 20 vjet minatorët e shkretë që vdesin e lenë në honin e minierës e të "prostitucionit" politik, të gjitha shpresat, aspiratat dhe ëndrrat për një jetë më dinjitoze…

Po pse, mos me "lëvizjen për të drejtat e grave" është bërë ndonjë punë më e mirë?! Të pasurit disa deputetë më shumë në Kuvend, mos ndoshta tregon se ia paskemi dalë të mbrojmë të drejtat e atyre mijëra grave të nëpërkëmbura mu në mes të jetëve tona…?! 
A mos kemi mundur ne, si shoqëri të bëjmë ndonjë gjë të hajrit për ata njerëz, ata njerëzit ndoshta më të dashur për ne të cilët, nuk shohin, nuk mund të ecin, nuk mund të dëgjojnë, nuk mund të jetojnë dreqi e mori edhe fatkeqësinë e tyre…??!!!!!
Rasti personal i Klodit shqetëson me shumë të drejtë të gjithë shoqërinë shqiptare!

Mbi të gjitha shqetëson ato dhjetëra, qindra e ndoshta mijëra nëna, që sot vuajnë në vetmi nga mungesa e informacionit, që sot, ndoshta "urrejnë" Klodin që guxoi t'u tregojë në sy të të gjithë botës që … dreqi e mori: DISA NJEREZ JANE GAY DHE PIKE! Kështu ka qenë, kështu është, e kështu do të jetë…
Shoqëria ndryshon shumë ngadalë, e ndryshon hap pas hapi. 
Politika, ndryshon e fundit…
Ajo që duhet të ndryshojë e para, janë këta të "uruarit" intelektualë që ne mezi i presim të na ndriçojnë sa herë media u jep mundësi të flasin pa frikë e komplekse për të vërtetën!

Unë sot ndjej nga zemra të falënderoj z. Lubonja dhe këdo tjetër që mundi ta kuptojë se të drejtat e njeriut, janë (apo më së paku do duhet të jenë) mbi të gjitha edhe një lëvizje politike dhe me plot gojën them: SOT UNE JAM HOMOSEKSUAL!

Mbështetësit Dhe Partnerët