Tirana mirëpret Marshimin e 11-të të Krenarisë të komunitetit LGBTI

   Ambasada PINK çon flamurin LGBTI në institucionet kryesore, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë

 

Tiranë, 17 Maj 2020 – Sot në mëngjes, Ambasada PINK, së bashku me organizatat e saj partnere, organizuan Marshimin e 11-të të Krenarisë LGBTI, një event i përvitshëm që zhvillohet për të ndërgjegjësuar publikun mbi gjendjen e personave LGBTI në Shqipëri dhe më gjerë. #TIRANAPRIDE2020, ashtu si edhe në vitet e tjera, u zhvillua afër datës 17 Maj – që përkon me Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë.

Marshimi i Krenarisë Tiranë këtë vit zhvillohet nën moton “Ji krenar! Ço flamurin!” dhe përkon me Festivalin e 11-të të Diversitetit LGBTI në Shqipëri, një event kombëtar i Ambasadës PINK Shqipëri. Për shkak të Covid19 dhe masave të vendosura për sigurinë e qytetarëve në Tiranë, Marshimi u zhvillua me pjesëmarrje tepër të kufizuar, por kjo nuk ia zvogëloi as kuptimin dhe as rëndësinë që ajo ka për Shqipërinë dhe vetë komunitetin LGBTI.

Marshimi u hap në ora 9.30 në oborrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me një ceremoni modeste që u mirëprit nga zv. Ministrja Bardhylka Konspiri dhe Drejtorja e Përgjithshme e Politikave Sociale dhe Shëndetësore, znj. Merita Xhafaj. Gjatë ceremonisë, një flamur i lartë rreth 2 metra iu dorëzua zyrtarëve të Ministrisë nga organizatorët e Paradës, në shenjë të përgjegjësisë dhe punës që Ministria duhet të zhvillojë për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e personave LGBTI në Shqëipëri.

Më pas Marshimi ndaloi përpara Bashkisë Tiranë, ku u mirëprit nga disa zyrtarë të saj, të cilët flamurin e dhuruar nga #TiranaPride2020 e vendosën në katin e dytë të ndërtesës. Që këtu Tirana Pride marshoi përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i cili që në mëngjes ishte mbushur me flamujtë LGBTI nga Bashkia Tiranë, në rrreth 1 km rrugë të tij.

Marshimi ndaloi përpara Kryeministrisë, ku u zhvillua ceremoni e vendosjes së flamurit përpara ndërtesës së Qeverisë shqiptare, për të kaluar më pas në vendosjen e flamurit përpara ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë.

“Shqipëria ishte vendi e parë në Ballkanin Perëndimor që theu tabunë e organizimit të Marshimit të Krenarisë. Jam vërtetë i lumtur që zhvillimi i tyre ka patur kaq shumë mbështetje nga institucionet, por edhe qytetarët, që është një tregues i qytetarisë dhe mikëpritjes së Tiranës, si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve.”- tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe President i Ambasadës PINK Shqipëri.

 

Pavarësisht se Shqipëria prej vitesh ka bërë përparime në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit paragjykimet, diskriminim dhe dhuna në familje janë prezente në jetën e shumë personave LGBTI. Qëndrimet shoqërore ndaj komunitetit LGBT në Shqipëri janë përgjithësisht negative dhe ndër më të pafavorshmet në nivel Evropian.

Disa të dhëna mbi komunitetin LGBTI në Shqipëri, bazuar në vëzhgimet e Gallup, NDI dhe Ambasadës PINK:

- 94% e shqiptarëve nuk do ta përkrahnin fëmijën e tyre nëse do të zbulonin se ai i përkiste komunitetit LGBTI;

- 53 % e shqiptarëve besojnë se "homoseksualët dhe lezbiket nuk duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën ashtu siç dëshirojnë;

- 1 në 3 persona LGBTI, është viktimë e dhunës fizike në familje;

- 66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë dhe transfobinë;

- 70 % e mësuesve në Shqipëri deklarojnë se nuk do t’i mbështesnin fëmijët e tyre nëse janë LGBTI;

- 56% e shiptarëve mendojnë se një homoseksual nuk duhet të gëzojë poste publike;

- 25 % e punonjësve të administratës shqiptare, mendojnë se personave LGBTI duhet të kenë shërbime veç personave të tjerë.

Për më  shumë info, kontaktoni:

Ambasada PINK Shqipëri

President: Altin Hazizaj

Tel: + 355 67 20 75 330

pink@pinkembassy.al

Mbështetësit Dhe Partnerët