TIRANA PRIDE 2022 - KËTË 21 MAJ NËN MOTON: NE JEMI FAMILJE!
- May 11, 2022
- crca-author
Dy vite pas pandemisë, Marshimi i Krenarisë (TIRANA PRIDE 2022) rikthehet në jetën publike, për të kremtuar diversitetin, dashurinë, solidaritetin dhe përkatësisë, ndaj komunitetit dhe familjes. Me moton “Ne jemi familje!”, të gjitha organizatat LGBTIQ+ së bashku me aleatët tanë, po organizojmë Javën e Krenarisë, e cila kulmon me Marshimin e Krenarisë - aktiviteti thelbësor i kësaj jave. Në 21 Maj, duke filluar nga ora 11:00, Sheshi Nënë Tereza.
“Ne jemi familje” - përçon mesazhin e dashurisë dhe ngrohtësisë familjare. Ai rreket të ndërgjegjësojë mbi rëndësinë e familjes dhe diversitetit të saj.
“Ne jemi familje” - sepse komuniteti ynë ndër vite është treguar bashkëpunues dhe solidar, duke i ofruar mbështetje njëri-tjetrit. Familja jonë mbështetet te dashuria, respekti dhe pranimi i njëri-tjetrit pa kushte.
“Ne jemi familje” - sepse familjet LGBTIQ+ janë pjesë e padiskutueshme e familjeve. Familjet tona ekzistojnë! Ato janë pjesë e shoqërisë sonë. Ato ushqehen nga dashuria dhe përkushtimi për njëri-tjetrin, pavarësisht sfidave, diskriminimit dhe sakrificave.
Bashkohemi në solidaritet me çdo familje në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, bullizmit, shtypjes, seksizmit, abortit selektiv, presionit psikologjik, dhunës ekonomike dhe çdo forme tjetër të saj.
“Ne jemi familje” - sepse familjet duhet të jenë të sigurta, përkrahëse dhe pranuese për çdo person! Familja duhet të jetë sinonim i pranimit, i dashurisë pa kushte dhe mirëqenies. Ato duhet të jenë një mjedis ku të gjithë mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Për këto arsye dhe për shumë të tjera, të shtunën e 21 majit marshojmë në rrugët e Tiranës me ngjyra, për të protestuar kundër shtypjes dhe pabarazive dhe mbi të gjitha për të festuar dashurinë. Të presim edhe ty, sepse dashuria na përket të gjithëve! Eja, sepse diversiteti është vlerë e shtuar e shoqërisë! Eja, sepse ne jemi familje!
Itinerari:
Ora 11:00- Mblidhemi te Sheshi Nënë Tereza për të marshuar drejt Kryeministrisë - Kuvendit, përgjatë Bulevardit, Parkut Rinia, urës së vogël në Bllok dhe për ta mbyllur marshimin sërish te sheshi Nënë Tereza, ku do të mbahet një koncert me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të disa prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar. Më poshtë do të gjeni edhe itenerarin e Pride 2022!